Kronike
“NUK DO TA SHOHËSH MË DJALIN”, ZBARDHET BISEDА TRONDITËSE E ARLINDËS PARA VRASJES
Detaje të reja tronditëse janë publikuar nga konflikti familjar që i parapriu vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Një regjistrim telefonik mes saj dhe bashkëshortit nga i cili ishte ndarë, Jeton Sylaj, zbulon përplasjet e ashpra për djalin e tyre të mitur dhe kërcënimet për t’i ndërprerë nënës çdo komunikim me fëmijën.
Në bisedën e bërë publike, Arlinda këmbëngul se djali ka nevojë të qëndrojë pranë nënës së tij. Por përgjigjja e Jeton Sylajt është e prerë: ai deklaron se nuk do ta lejojë ta marrë fëmijën.
“Kurrë s’ki me e marrë”, dëgjohet t’i thotë ai, ndërsa më pas paralajmëron se ajo do të humbasë edhe mundësinë për të komunikuar me djalin.
“Prej këtij minuti e humbe edhe privilegjin me fol me të”, është një tjetër deklaratë e tij në regjistrimin e publikuar.
Këto fjalë marrin një peshë edhe më të rëndë pas tragjedisë së 25 tetorit, kur Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës. Për krimin dyshohet Albert Sylaj, vëllai i bashkëshortit të saj, i cili u arrestua më 27 tetor.
Konflikti për djalin nuk ishte i panjohur për autoritetet. Më 10 korrik 2026, Arlinda kishte denoncuar në polici se bashkëshorti dhe familjarët e tij nuk po ia kthenin fëmijën, të cilin fillimisht e kishte lejuar të qëndronte pranë tyre.
Ajo kishte deklaruar se prej 20 qershorit nuk kishte më kontakt me të birin dhe dyshonte se familjarët e babait po ndikonin që ai të mos kthehej pranë saj.
Përveç konfliktit për kujdestarinë, Arlinda kishte raportuar edhe kërcënime e dhunë të pretenduar gjatë martesës. Ajo iu drejtua vazhdimisht institucioneve, duke kërkuar mbrojtje dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Deri më tani, 11 zyrtarë policorë dhe dy prokurore janë pezulluar përkohësisht nga detyra, ndërsa po hetohen veprimet dhe mosveprimet institucionale.
Publikimi i bisedës telefonike shton një tjetër element në historinë e paralajmërimeve që i paraprinë vrasjes.
Tashmë pyetja që kërkon përgjigje është nëse kërcënimet, denoncimet dhe kërkesat e përsëritura për mbrojtje u trajtuan me seriozitetin e duhur nga institucionet që kishin detyrimin të garantonin sigurinë e saj.