Thinking ...
Connect with us

Politike

NUK MARRIM VETEM HALLE/ Rama shtrëngon drejtuesit politikë për zgjidhjen e ankesave

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit politikë të qarqeve, ku në fokus ka qenë bilanci i javëve të para të nismës “Prania Besnike”.

Gjatë takimit janë raportuar numri i dëgjesave me qytetarët, ankesat e mbledhura dhe rastet e referuara pranë institucioneve përkatëse.

Rama kërkoi që procesi të mos mbetet vetëm në mbledhjen e problematikave, por të shoqërohet me ndjekje konkrete dhe zgjidhjen e tyre.

“Nuk është ideja thjesht që ne të marrim halle e të çojmë halle. Këtu ideja është që ky proces të vijojë sa më mirë”, u shpreh Rama.

Sipas të dhënave të paraqitura, dëgjesat janë rritur ndjeshëm në javën e dytë. Në Fier janë regjistruar 431 ankesa, në Vlorë 179, ndërsa në Korçë 263 raste. Në Tiranë, sipas Ogerta Manastirliut, në takime kanë marrë pjesë mbi 1 mijë e 200 qytetarë.

Dëgjesat zhvillohen çdo të premte, në orën 17:00, pa kamera dhe fotografë, me synimin që qytetarët të shprehin lirshëm shqetësimet e tyre.

Ndërkohë, Arbjan Mazniku deklaroi se sistemi i referimit të ankesave është funksional dhe se problematikat janë përcjellë te institucionet përgjegjëse, disa prej të cilave kanë dhënë tashmë përgjigje.

Advertisement