Rajon
Patriarku serb hyri në Mal të Zi pa kontrolle, jep dorëheqjen shefi i policisë
Shefi i policisë kufitare, Vasko Akoviç, ka dhënë dorëheqjen, pasi sipas medieve në Mal të Zi, patriarku serb Porfirije ka hyrë dhe ka dalë nga Mali i Zi, pa u kontrolluar dhe pa u regjistruar.
“Regionalni šef granične policije Vasko Aković podnio je danas ostavku na to mjesto zbog toga što je patrijarh Crkve Srbije Porfirije Perić sa kompletnom delegacijom ušao i izašao iz Crne Gore bez ikakve kontrole i evidencije.”🇲🇪 Veliko poštovanje za ovog čovjeka! @MupCg @VladaCG
— Miodrag Vlahovic🇲🇪 (@Mico_Vlahovic) August 3, 2022
Lajmin e ka komentuar edhe kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit, Miodrag Vllahoviç, i cili ka shprehur respektin e tij për Akoviçin për atë vendim.
“Kreu rajonal i policisë kufitare, Vasko Akoviç, ka dhënë sot dorëheqjen për shkak se Patriarku i Kishës së Serbisë, Porfirije Periq, ka hyrë dhe ka dalë në Mal të Zi me të gjithë delegacionin pa asnjë kontroll dhe regjistrim. Respekt i madh për këtë njeri”, ka shkruar Vlahoviç në Twitter.
Dorëheqja e Akoviçit është komentuar në rrjetet sociale nga motra e tij Marina Akoviç, e cila thotë se punonjësit e doganës bënë veprime të paligjshme pas shpinës së tij.
“Vëllai im Vasko Akoviç dha dorëheqjen sot sepse kolegët e tij, ia punuan pas shpine dhe organizuan hyrjen e paligjshme të patriarkut në Mal të Zi pa procedurë zyrtare”, ka shkruar motra e tij në Facebook.
Kujtojmë se kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi dje, 3 gusht se ishte nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore.
Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.
Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviçit.
Por, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje.