Kronike
Prej 4 ditësh Alket Rizai “i zhdukur”/ Greqia fajëson Shqipërinë: Po e mbani të fshehur
Autoritetet greke vijojnë prej katër ditësh kërkimet për Alket Rizain, i cili nuk është rikthyer në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes shpërblyese. Deri tani nuk është bërë e ditur një gjurmë konkrete për vendndodhjen e tij, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ai të jetë larguar drejt Shqipërisë.
Rizai kishte marrë leje nga data 7 shtator dhe duhej të rikthehej në burg mëngjesin e 14 shtatorit. Pas mosparaqitjes, autoritetet greke e shpallën të arratisur dhe nisën operacionin për lokalizimin e tij.
Sipas raportimeve të mediave greke, një grup i posaçëm policor po punon për identifikimin e vendndodhjes së Rizait, por deri më tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat. Ai ishte përfshirë më herët në një incident të armatosur pranë një lokali në Saronida, gjatë periudhës kur ndodhej me leje.
Autoritetet nuk kanë mundur të përcaktojnë vendndodhjen e tij që prej incidentit. Sipas raportimeve, gjurma e fundit e tij është identifikuar në Greqinë e Veriut. Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Rizai të ketë tentuar të kalojë në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Shqipërisë. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Rizai, i njohur në Greqi edhe për lidhjen e dokumentuar me të dënuarin Vasilis Paleokostas, përballet gjithashtu me një akuzë të re. Arratisja ka ndodhur ndërsa ai ishte pranë përfundimit të dënimit. Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë pesë viteve të fundit ai kishte përfituar 16 leje për largim të përkohshëm nga burgu.
Në kuadër të hetimit për incidentin e armatosur në Saronida, policia greke po kërkon edhe një shtetas afgan, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë dhe ka plagosur dy persona gjatë konfliktit. Sipas autoriteteve greke, personi në fjalë dyshohet se ka lidhje me biznesin pranë të cilit ndodhi përplasja.
Kërkimet për Rizain vijojnë, ndërsa autoritetet greke po verifikojnë disa pista për vendndodhjen e tij, përfshirë edhe mundësinë e kalimit drejt Shqipërisë.