Politike
Protokolli Shqipëri-Itali për emigrantët i ligjshëm, sipas avokatit të Gjykatës së BE-së
Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Nicholas Emiliou, ka vlerësuar se protokolli Itali-Shqipëri për ngritjen e qendrave të migracionit është në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian, me kusht që të respektohen plotësisht të drejtat e migrantëve.
Në opinionin e tij, i cili nuk është detyrues, por i paraprin vendimit përfundimtar të gjyqtarëve në Luksemburg, theksohet se ligji i BE-së nuk e ndalon një shtet anëtar të krijojë qendra për kthimin e migrantëve jashtë territorit të tij, për sa kohë garantohen standardet bazë të mbrojtjes ligjore.
Këto garanci përfshijnë të drejtën për asistencë ligjore, përkthim, kontakt me familjarët dhe autoritetet, si dhe mbrojtje të posaçme për të miturit dhe personat vulnerabël. Gjykata thekson gjithashtu se çdo procedurë duhet të shoqërohet me akses efektiv në drejtësi dhe rishikim të shpejtë gjyqësor për të shmangur ndalime të paligjshme.
Protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë, i firmosur në nëntor 2023, parashikon që Italia të ngrejë dhe administrojë në territorin shqiptar qendra për pritjen dhe riatdhesimin e emigrantëve, ndërsa juridiksioni mbetet italian.
Çështja ka mbërritur në Luksemburg pas ankimimeve të autoriteteve italiane kundër vendimeve të gjykatave në Romë, të cilat kishin refuzuar konvalidimin e ndalimeve të disa emigrantëve të transferuar në Shqipëri dhe që kishin kërkuar azil.
Në opinionin e tij, Emiliou thekson se e drejta e qëndrimit në një shtet anëtar gjatë shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare nuk nënkupton domosdoshmërish të drejtën për të qëndruar në territorin e tij fizik, duke lënë hapësirë për interpretim në zbatimin e marrëveshjes.
Pas publikimit të opinionit, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi atë si një konfirmim të drejtësisë së linjës së ndjekur nga qeveria e saj. Në një reagim publik, ajo deklaroi se ky zhvillim tregon “vlefshmërinë e rrugës së zgjedhur” dhe kritikoi vendimet e mëparshme gjyqësore që, sipas saj, kanë vonuar zbatimin e politikës për migracionin.
Meloni theksoi gjithashtu se Italia do të vazhdojë përpara me këtë qasje, duke e lidhur atë me nevojën për masa më të forta në kontrollin e migracionit të paligjshëm dhe për zgjidhje praktike në nivel evropian.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës së BE-së pritet të jepet në muajt në vijim dhe do të përcaktojë nëse modeli Itali-Shqipëri do të marrë miratimin ligjor për zbatim të plotë.