Connect with us

Shkrime

Qytetaria e munguar, nga Leart Kola

Politikës në Shqipëri i mungon kultura, ose me saktë jo kultura, se kjo e fundit sidoqoftë është një “pasojë” e aktivitetit intelektual e kjo do ishte shumë për t’u kërkuar, por në fakt i mungon tërësisht edukata ajo e thjeshta “qytetarja” që mësohet në librat e fillores. Fenomen që ndodh prej kohësh, por kam frikë që sot po bëhet e padurueshme, ja pse e mendoj këtë;

Këtë vit ne “festojmë” 30-vjetorin e pluralizmit, fakt është që vetëm emrin e ka të tillë, se në gjithë këto vite kanë qenë të njëjtët persona që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, njoh vende diktatoriale që kanë më shumë qarkullim dhe larmishmëri emrash, thënë kjo besoj se flas për shumicën ne nuk kemi si të besojmë verbërisht te pluralizmi aq me pak, kur ata që pritet të zëvendësojnë Ramën (24 vjet në pushtet), Saliu (30 vjet) dhe Meta (23 vjet).

Sidoqoftë ajo që na shpëton, është që ne, shqiptarët dmth, nuk kemi pritur asgjë nga qeveritë, as tani, as në diktaturë, as në mbretëri, as në sulltanat dhe i kemi provuar të gjitha. Qeveria për ne ka qënë gjithmonë gogoli që të kufizon të bësh atë që ta pret mendja në atë çast (shqiptarët janë të famshëm për të jetuar çastin, skanë as të shkuar dhe as të ardhme) dhe kryesisht këto “qeveri” kanë ekzistuar jashtë nesh jo vetëm metaforikisht por dhe fizikisht, qoftë ky Sulltani në Stamboll, Mbreti në Sauk apo Enveri ne Bllok, sjellja e tyre ka qenë e njëjtë po ashtu dhe ushtrimi i pushtetit.

Foucault thotë: “pushteti kalon nëpërmjet individeve, por nuk i përket atyre”, dhe ne shqiptarët këtë e kemi kuptuar të parët, ne nuk i besojmë ëndrrës liberale “që pushtetarët janë shërbëtorët tanë sepse i kemi dhënë votën etj”, ne e kuptojmë që shteti ekziston por më i rendësishëm është pushteti, i cili dhe ai nuk varet gjithmonë nga shteti, sepse pushteti është një zbulim i magjishëm i forcave, energjive, dinamikave historike, dëshirave, këmbënguljes.

Për këtë tek ne, zgjedhjet janë vetëm një datë për t’u hequr qafe, menjëherë pas tyre fillon beteja e vërtetë nën parimin “kush njeh kë dhe kush të mbaron punë ku”, këtu qëndron në fakt thelbi i pushtetit, për këtë arsye mosbesimi ynë te shteti është tërësisht i përligjur.

Thënë këtë shqiptari është prova e gjallë (mbase duhet mbrojtur nga UNESCO, por këtë vendoseni ju) që nuk beson për asnjë sekondë tek demokracia përfaqësuese dhe ne e përqeshim atë. Por dhe këtu ka një por të madhe, që gjithë kjo skenë të mbahet në këmbë (të paktën deri sa të ndërtohet Teatri i Ri) duhet që aktorët që e udheheqin atë (lexo qeveria), të luajë këtë teatër sepse është shumë e rendësishme që në një vend pa rregulla të kemi një komunikim normal, pikërisht për të ruajtur këtë balancë, dhe këtu kthehemi tek fenomeni dhe problematika e ngritur në fillimin e shkrimit, komunikimi i pushtetarëve me publikun.

Shteti dhe përfaqësuesit e saj, duhet të flasin për arsye pune në tre tonalitete, i pari ai zyrtari qe flitet nëpërmjet mjeteve të komunikimit në masë siç e sygjeron fjala me masën, i dyti me partinë administratën etj dhe i treti me persona privat nëpër dreka/darka, të cilët zakonisht janë ish-gangësterë sot sipërmarrës strategjikë kryesisht të armatosur se nuk i dihet asnjëherë.

Tani që teatri të funksionojë duhet që koha të ndahet në mënyrë proporcionale, nëpërmjet të trejave, por duke parë së fundmi komunikimin publik të shtetit, shoh që shteti ka kaluar shumë kohë me këtë grupin e tretë sepse nuk ka asnjë po asnje komunikim publik, që nuk është kërcënim, fyerje, bullizëm, sharje, ligjëratë rruge për t’u dukur sikur e flasim dhe gjuhën e rrugës… pse?!? Nuk e kuptoj ça kompleksi kanë që duan t’i tregojnë të fortëve që janë si ata…

Nga ana tjetër të fortët që siç e thamë më lart janë në fakt biznesmenë që çfarë nuk i kanë parë sytë në rrugët e Europës, nuk e kanë lexuar Foucault, dhe nuk mund ta dinë që “pushteti nuk është në vetëvete një relacion ekonomik, por është pikë së pari një relacion force”, pikërisht këtu gabojnë që shoqërohen me shtetar, sepse sado e sinqertë të jetë marrëdhenia financiare me të, prapë ai mbetet një aparat dhunë, dhe pikërisht është ky aparat dhune i dizajnuar që dashje apo pa dashje t’i marrë në qafe dhe ata, por ky është një problem tjetër, le të themi është problem i Foucault.

Populli që nuk gabon kurrë thotë që ndryshimi mes PS dhe PD është që këta të të majtës janë më të butë, Susan Sontag thotë: “mes dy duarve preferoj gjithmonë të majtën, sepse e djathta është dora e agresivitetit ose masturbimit, ndërsa e majta është varianti sentimental dhe romantik i saj”, pikërisht për këtë publiku pret që kjo e majtë në pushtet të sillet si e tillë, si një soft power.

Kjo është e vetmja diferencë, këta të PS, thotë populli, sidoqoftë janë më qytetarë, askush nuk i kërkon që të bëjne ndonjë gjë, nuk po pret njeri që këtu të zhvillohet ekonomia, të ketë barazi mundësish për të gjithë apo investime serioze e vetmja gjë që po kërkohet është që t’i rrini besnik të vetmes diference që këni me të djathtën dhe të flisni në publik me edukatë… kaq! A është kaq e vështirë?

Sepse ka disa raste, ka disa dreq rastesh si kjo vrasja e 7-vjeçares në Himarë, që duhet vetëm ta ndjesh dhimbjen, duhet vetëm të goditesh plotësisht përfundimisht nga dhimbja, janë pikërisht ato rastet kur komunikimi “non grata… plaku i vdekur, i pakallur, mortja etj” nuk funksionojnë, janë jashtë konteksti dhe ju bëjnë të dukeni sikur realisht e keni humbur çdo receptor për të ndjerë diçka, nëse vërtet nuk ndjeni asgjë, atëherë bëni diçka të thjeshtë dhe konkrete si për shembull, të vesh atë dreq litari që të mos futen skafet dhe motorrat e ujit në vendet ku lahen njerëzit.

Mund ta jepeni me PPP apo ta financoj BE-ja nuk e di po litari duhet vënë, nuk mundet që të iki dhe një jetë, e mos bëhet shembull për të shpëtuar jetë të tjera, nëse vërtet as nuk ndjeni asgjë, as nuk ju bëhet të bëni diçka, të paktën na kurseni këtë të folurën prej rrugaçësh dhe heshtni.

Shkrime

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”!

Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës.

Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama dhe ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Continue Reading

Shkrime

Pritini kokën Albin Kurtit, por…

Nga Andi Bushati

Kori i rakorduar i kundërshtarëve të Albin Kurtit mes Tiranës dhe Prishtinës është riaktivizuar sërish, duke marrë këtë herë si pretekst një episod të ri të një refreni të vjetër: atë se kokfortësia e kryeministrit të Kosovës po thellon çarjen me perëndimin. Shkak për valën e kësaj here është bërë refuzimi që i shteteve kryesore të BE, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti po akuzohet se i tha një “JO” të prerë futjes së një kushti të ri, atij të ndërlidhjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kriteret e pranimit në KiE. Ai e etiketoi si “absurd” këtë pretendim dhe nuk pranoi të bëjë pazar për të marrë antarësimin në një organizëm të rëndësishëm të kontinentit, në këmbim të bosnjëzimit të vendit të vet.

Natyrisht, pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm i mirë. Mospërfundimi i antarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithësecilit të drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor, konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.

Në radhë të parë ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo e shndërron në absurd krejt procesin e antarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij.

Si i tillë, anëtarësimi i Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët lokalë. Prezenca në KiE dhe futja  automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asocacioni i i kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi.

Por duket se vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shntazhon sistematikisht pqrmes aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.

Duhet të jemi realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranauan marëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte.

Këto standarte të dyfishta u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radioçiç të kryenin sulmin terrorist në Banjskë.

Pra e gjithë kjo kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të kristalizimit të një politike prendimore që do të sakrifikojë interesat e Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.

Ky është edhe thelbi i konfiktit të fundit me veton për antarësimin në KiE, që Franca dhe Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asocacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetja që shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rezistojë me koston jo të lehtë të sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?

Pa zgjidhur këtë dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmershme ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh asesi shitjen e mandatit për të cilin është votuar.

Se ç’ndodh në raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe rrymave gjithnjë e më nancionaliste dhe anti perendimore.

Mund të duket tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokfortë e Albin Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aletate për shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për polotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria e Vetëvendosjes po ruan vazhdimsinë e besimit tek SHBA dhe BE.

Pikërisht kjo vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrveshjes që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së antarësimit në KiE.

Continue Reading

Shkrime

Gabimi i rëndë i Perëndimit me Albin Kurtin

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës………

Ai ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për këtë”.

“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha analisti amerikan Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë ku nuk mungojnë as politikanët më të rëndësishëm shqiptarë. Berisha dhe Bardhi janë at e bir në zanatin e mohimit total të asaj që kanë pohuar më parë si të vërtetë absolute, të pranimit të krejt të kundërtës të asaj çfarë kanë refuzuar me ngulm, ustallarë abrakadabra në zanatin e të bërit mik të armikut dhe për t’u sjellë me armiqësi brutale me ish-miqtë. Në çdo rast dhe rast pas rasti, sa herë që interesi ju ka lypur, ata nuk kanë hezituar të përmbysin tryezën që kishin shtuar vetë për gosti dhe për të bërë gosti në tryezat e gjithë dynjasë. Edi Rama e Ilir Meta, për shkak të jetëgjatësisë në politikë, kanë notuar në të njëjtat ujëra të errëta, kur rrjedha e interesit i ka çuar në drejtim tjetër, në të njëjtën luhatje lavjerësi mes skajesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por më së paku ata përfaqësonin dy parti të ndryshme. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë, brenda të njëjtës familje politike si Berisha e Bardhi. Askush si ata nuk ka konsumuar atë vlagë urrejtjeje të dikurshme dhe dashurie reciproke të tashme që çmend edhe kujtesën e google-it. Dhe mbi të gjitha, formulimin e gënjeshtrës publike që as nuk skuq zvjerdhjen dhe as nuk zverdh skuqjen nga turpi publik, kur interesi dikton ndryshe. Dilema nëse e ka kallëzuar apo jo vëllain e kryeministrit, Ramën Jr., ishte vetëm stacioni i fundit i një marrëzie që ka për autor absurdin. Ose ka, ose nuk ka kallëzim penal dhe vetë SPAK-u thotë jo! “Askush nuk na ka trokitur në derë, ndaj nuk ka asnjë kallëzim mbas dyerve tona”, ishte sqarimi i fundit që nuk skuqizverdhi Bardhin.

Deri në momentin e kapërcimit të ylberit të radhës, Bardhi, ose fenomeni Gaz në pandeminë parapolitike shqiptare, ishte padyshim një nga dy-tre deputetët e vetëm opozitarë që ka pasur një bilanc konkret. Madje të lavdërueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Autor i ekzekutimit politik të një numri mbresëlënës deputetësh të maxhorancës apo kryetarësh bashkish, askush si ai nuk ka shfrytëzuar fushën e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. I qartë dhe i artikuluar, metodik dhe cinik në atë luftë me disa beteja të njëpasnjëshme, Bardhi trysnoi opinionin publik me zbulimet e tij për të shkuarën e tyre dhe u bë shkas për ndëprerjen e mandateve të marra në kundërshtim me ligjin. Edhe pse i llogaritur dhe i pjesshëm – në dosjet e tij janë të paktën dy emra drithërues të majtë, viktima direkte të dekriminalizimit, që ai po i kursen për arsye të tjera – me standartet e Tiranës, llogaria dhe orientimi nuk hyjnë në listën e mëkatëve politike. Dhe askush nuk mund ta fajësojë atë. Ajo çka e bën atë princ dhe pasardhës të Berishës është krejt tjetër gjë. Eshtë pirueta alogjike që ai morri së paku në harkun e një viti e gjysmë. Duke nisur me dimrin e vitit të shkuar, kur nga krahu i djathtë i ish-shefit të tij Basha, ai zgjodhi supin e Saliut për t’u mbështetur për bastin e tij personal. Kush ka harruar – dhe në Tiranë kujtesa është vetëm virtyt i google – mund të shënjojë ashpërsinë e tij me Sali Berishën mbas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi PD. Asokohe Bardhi ishte zëdhënës i grupimit që nuk e falte për asgjë “babin e Zenit” dhe nuk kursente për parim as vilat e Nokës e Shehut dhe as banditët trafikantë që i shërbenin njerëzve të partisë së tij. Sa më shumë heshtte Basha, aq më shumë shpërthente Bardhi që kishte marrë flamurin amerikan për të mposhtuar antiamerikanët e partisë. Njëlloj si ai, edhe një numër mbresëlënës demokratësh që non grata-n e shihnnin si vijë ndarëse mes të mirës dhe të keqes në parti dhe si ylberin që nuk mund ta kapërcehej për asnjë arsye. Por në fakt arsyet u shpikën dhe ylberi u kalua në mënyrën më të pabesueshme. Njëri pas tjetrit, si delet në shpellën e Ciklopit, ata dolën nga dyert e blinduara të PD-së për t’u përqafuar me Ciklopin e tyre sepse “…ky ishte vullneti i bazës së partisë”. Por kjo është vetëm ajo që duket dhe dukja përgjithësisht është gënjeshtare. Thelbi qëndron gjetkë. Me teknologjinë e puthjes aty ku kishte pështyrë, Gazmend Bardhi më së shumti, po tenton të imponohet në parti me një skemë të qartë: Pavarësisht formës, unë jam e njëjta gjë me Berishën! Pavarësisht se do të humbasim në 2025-ën, unë do të firmos listat e 2029-ës. Ky është thelbi i arsyeve për mozaikun e ri të interesave, aleancave, miqësive dhe armiqësive të reja në PD. Të raporteve të ndërlikuara mes Bardhit e Këlliçit, për shembull dhe një serie emrash të tjera që notojnë në të njëjtat ujëra inkoherence apo edhe hijes së zonjës Malltezi si trashëgimtare në tribunën e nesërme.

Edhe përdorimi i skandaleve të qeverisjes, e mbi të gjitha, edhe kryqëzata kundër bashkisë së Tiranës ka në thelb të njëjtën teknologji e të njëjtën prapaskenë. Përtej dobisë publike të denoncimeve, e pathëna e tyre është një luftë faktorizimi për pozicionet në PD-në e nesërme sërish në opozitë, por dhe një sy i shkelur ndaj rrymave të nëndheshme e kundërthënëse në PS. Një luftë në të cilën, për paradoks, vetë skifterët e PD-së, shkojnë të rreshtuar në aleanca fluide me disa nga kundërshtarët e tyre në dëm të disa të tjerëve. Kur ta kuptojnë se po gabojnë disa fish, kur aksionet e tyre, fjala vjen, në vend që të rrënojë siç duket se duan, po forcojnë Veliajn në PS, kur në vend që të yshtin ndarje mes tij dhe Ramës, vetëm i japin zë tezës së besnikërisë së bashkiakut për qeveritarin që i mbeti besnik edhe kur të tjerët kishin ikur në vitet 2011-2013, kur në vend që të defaktorizojnë SPAK-un, e bëjnë më të rëndësishëm atë institucion, me siguri do të jetë vonë. Do të jenë vonë në dëshpërimin e tyre që ndjek pyetje-përgjigjet: Ku ishe? Asgjëkundi! Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse pavarësisht sesi do të ndodhë, princi i inkoherencës, së paku në projektin e tij, kërkon të bëhet pasardhës i mbretit Sali dhe njeriu që do të firmosë listat për deputetë në vitin e largët 2029. Së paku ky është shpjegimi se pse Gazi është kundër Bardhit dhe pothuaj të gjithë janë kundër Gaz Bardhit në PD. Dhe për paradoks, si vëzhgues i hollë i dobësive njerëzore, edhe vetë Edi Rama, në mungesë të Sali Berishës, me siguri do të zgjidhte pikërisht Bardhin për kryetar të PD-së.

Continue Reading

Shkrime

Jan Kuciak, vrasja që në 2018 çoi në dorëheqje të Fico-s

Ishte një mbrëmje e mërkurë. 21 shkurt 2018. Burri që iu afrua numrit 558 në rrugën Brezova, një shtëpi e vogël në Velka Maca, një qytet në veri-lindje të Bratislavës me disa mijëra banorë, mbante në njërën dorë një pistoletë Luger 9 mm.

Dera e përparme ishte e hapur. Ai hyri dhe rrëshqiti në heshtje në kuzhinë. Dhe vetëm atëherë e pa Martina Kusnirova.

Ajo u hodh nga karrigia në të cilën ishte ulur. Goditja i erdhi në fytyrë, pikërisht mes syve.

Në katin e poshtëm të shtëpisë, në bodrum, Jan Kuciak dëgjoi një zhurmë të shurdhër.
Ai vrapoi lart shkallëve. Derisa hapat e fundit arritën në vend.

Gjoksi i tij goditi tytën e Luger-it. Dhe një e shtënë nga afër e goditi atë në zemër.

Trupi i Janit ra mbrapsht në shkallë. Vrasësi mbylli derën e shtëpisë pas tij, eci përgjatë një rruge të mbuluar nën hijen e pishave dhe më pas arriti në një fushë futbolli.

E kapi celularin. Ai e la sinjalin e numrit të thirrur të binte vetëm një herë.

Katër minuta më vonë i është afruar një Citroen Berlingo. Ai hipi në makinë e cila u nis në drejtim të qytetit të Komarno-s.

Në shtëpinë e Janit dhe Martinës, telefoni filloi të bjerë.

Dhe do të vazhdonte të binte për orë të tëra. Pa asnjë përgjigje. Derisa dikush i gjeti ata dy trupa katër ditë më vonë, më 25 shkurt.

Planifikimi i vrasjes kishte zgjatur dy javë.
Të hënën, më 5 shkurt 2018, Tomas Szabo – vrasësi – bëri inspektimin e parë në Velka Maca me njeriun e “kontraktuar” me të për të bërë “punën”.

Ai që do të ishte shoferi i tij, Miroslav Marcek.

Ata kishin zbuluar se do të ishte më e lehtë se sa pritej. Shtëpia e Janit ishte në rinovim dhe për këtë arsye e lehtë për t’u aksesuar.

Për të mos përmendur pozicionin e saj. Në një rrugë në fund të vendit, jashtë gamës së kontrollit të sistemeve të vëzhgimit me video rrugore. Dhe për më tepër, jo shumë larg një pylli, i cili në çdo rast do të ishte një rrugë e shkëlqyer shpëtimi nëse gjërat, për ndonjë arsye, do të shkonin keq.

Szabo dhe Marcek më pas ishin kthyer në Velka më 7 shkurt. Dy herë. Duke ndërruar makinë. Dhe sërish të dielën më 11, kur në perëndim të diellit iu afruan numrit 558 në Via Brezova me një Peugeot 206.

Ata kishin kontrolluar pozicionimin e kamerave të sistemit të vëzhgimit me video dhe kishin identifikuar vendin më të përshtatshëm për të parkuar një makinë pranë fushës së futbollit. Katër ditë më vonë, mbrëmjen e së premtes së 15 shkurtit, ishte radha e testeve të rrugës në këmbë.

Szabo dhe Marcek kishin llogaritur distancat dhe oraret midis fushës së futbollit dhe shtëpisë së Janit.

Rreth orës 19:34, Zoltan Andrusko, njeriu që i kishte kontaktuar për t’u besuar atyre punën, i kishte marrë në makinë.

Të shtunën e datës 16 shkurt, rreth orës 19, makina me Szabo-n dhe Marcek u kthye sërish në Via Brezova.

Vetëm Szabo zbriti për të kontrolluar perimetrin e shtëpisë dhe për të parë se në çfarë ore do të kthehej Jani.

Në orën 19:00, Szabo kishte ecur përgjatë fushës së futbollit dhe më pas arriti në shtëpi në këmbë. Tre minuta. Me hap të qetë.

Duke kontrolluar të gjitha rrugët e mundshme të arratisjes.

Njëzet minuta më vonë, vetëm një zile telefoni.

Dhe, përsëri në fushën e futbollit, Citroen Berlingo që kishte ardhur për ta marrë atë.

Të mërkurën, më 21 shkurt, gjërat do të shkonin ashtu siç duhej.

Nga ora 18.30, Tomas Szabo mbeti i fshehur në pjesën e pasme të shtëpisë në rrugën Brezova 551.

Në orën 20:21, ai do të kishte kaluar hyrjen, duke dalë pas dy minutash, pasi ekzekutoi me gjakftohtësi Martinën dhe Jan.

Në orën 20:25, Szabo u mor më pas nga Marcek në Citroen Berlingo pranë fushës së futbollit.

Në orën 22.00 të dy do të kishin arritur në Komarno dhe këtu do të kishin takuar Zoltan Andruskon për t’i thënë se puna ishte kryer.

Me vetëm një ngjarje të papritur. Pati dy vdekje dhe jo një.

Jani, njeriu i dënuar dhe një vajzë që nuk duhej të ishte aty dhe që nuk mund ta linin të gjallë.

Kishte një arsye pse Tomas Szabo u zgjodh për atë punë. Ai ishte i pagabueshëm. Nuk linte haplsirë për gabim. Ai kishte një të kaluar në polici dhe kishte disa vite që punonte si kontraktues privat në bordin e anijeve të mallrave.

Një profesion i rrezikshëm, që kërkonte aftësi të vetëkontrollit dhe përdorim të mirë të armëve.

Szabo i kishte të dyja.

Dhe kështu ai ishte kujdesur për detajet edhe për Janin. Me fjalë të tjera: ai kishte përgatitur secilin nga plumbat me të cilët mbushi karikatorin e Lugerit të tij, duke i zbrazur gjysmën e barutit.

Në këtë mënyrë, ai e dinte se plumbat nuk do ta kalonin shpejtësinë e zërit.

Dhe nuk do të kishin bërë asnjë zhurmë.

Ai nuk kishte asnjë dyshim për faktin se, duke qenë vetëm pak hapa nga viktima, të shtënat, qoftë edhe të pafuqishme, do të kishin arritur objektivin.

Miroslav Marek ishte gjithashtu një djalë që mund t’i besoje. Përveçse kushëriri i Szabo-s, ai ishte një ish-ushtar dhe gjithashtu një kontraktor për sigurinë në bordet e anijeve të mallrave. Dhe kjo shpjegon pse Zoltan Andrusko nuk kishte asnjë dyshim në fund. Ai e kishte mbyllur me Szabo me 40 mijë euro. Në vend të kësaj, dhjetë mijë do të kishin mbetur me të për telashet. Në fakt ai nuk ishte i interesuar ta eliminonte atë Jan Kuciak. Ai e kishte injoruar ekzistencën e saj deri në ditën kur ia përmendën emrin. Në moshën 50-vjeçare, sado që ishte, i duhej vetëm drithë. Menjehere.

Ai ishte sipërmarrës në Kormano, i rënduan borxhet dhe të qenit klient në kërkim të dy vrasësve profesionistë ishte një nga ato oferta që nuk mund ta refuzonte. Edhe për shkak se i kishte 20 mijë euro borxh gruas që iu afrua duke folur për Kuciakun dhe punën që duhej bërë. Emri i saj ishte Alena Zsuzsovà. U kishte ofruar 50 mijë dhe fshirjen e borxhit për aq kohë sa e eliminuan atë djalin e zhurmshëm gazetar. Ai, Zoltan, kishte pranuar në gozhdë.

Ndodhi nga fundi i vitit 2017 deri në fillim të vitit 2018, në një datë të paspecifikuar në dokumentet e gjyqësorit sllovak.

Gruaja, një 44 vjeçare gjithashtu nga Komarno, i kishte dhënë Zoltan-it udhëzimet brenda makinës së saj. Me atë rast ajo i kishte treguar atij, në një laptop, një video që e kishte ruajtur në një USB.

Disa imazhe të Janit në një vendkalim këmbësorësh. Ajo i kishte treguar edhe fotot e djalit dhe adresën.

Fotot u ngarkuan më pas në celularin e Andruskos në mënyrë që ai t’i dorëzonte ato kujtdo që do të bënte fizikisht punën.

Pse vallë u zemërua Alena Zsuzsová me Jan Kuciak, i cili nuk u kujdes kurrë për të?

Ose, më mirë akoma, në emër të kujt kishte kërkuar Zsuzsova për vrasës me pagesë?

Aktualisht, nuk ka përgjigje të qarta nga dokumentet e hetuesve sllovakë. Por, sipas asaj që vetë Andrusko la të kuptohet gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit të tij, Zsuzsová do të kishte hyrë në lojë sepse ajo njihej në Sllovaki si një “kontraktore” për vrasjet me porosi.

Me pak fjalë, pronar i një lloj agjencie të vdekjes.

Është fakt se, kur në shtator 2018, pasi policia sllovake mori rrëfimin e Andruskos dhe gjetjet pozitive nga ekzaminimi i pamjeve të kamerave të vëzhgimit Velka Maca dhe u vazhdua me arrestimin e Zsuzsová dhe dy vrasësve (Szabo dhe kushëriri i tij) , pak ose aspak dihet për gruan.

Që flet italisht p.sh. Dhe se ajo kishte qenë në bordin e drejtorëve të disa kompanive të mobiljeve të hapura nga venecianë të cilët kishin emigruar në Sllovaki vite më parë.

Është gjithashtu fakt që janarin e kaluar, Prokuroria e Banska Bystrica, zyra e ngarkuar me hetimin për ekzekutimin e Jan dhe Martinës, e lidhi emrin e Zsuzsová me të paktën tre vrasje të tjera të pazbardhura, të cilat ndodhën në fillim të viteve 2000.

Midis tyre, ai i një 30 vjeçari nga Friuli, Davide Casellato, i vrarë në Sllovaki me armë zjarri në mes të ditës, mbi 15 vjet më parë.

Vrasësi do të ishte një grua, e paidentifikuar kurrë. Një vrasje për të cilën, në atë kohë, skuadra e hetimeve të Policisë Udine kishte proceduar, derisa hyri në lojë Bratislava.

Burime nga Prokuroria e Bratislavës tani thonë se edhe rasti i Casellato është rihapur.

Ndërsa ata nuk thonë asgjë apo mendojnë të thonë për zonën gri në të cilën piqet dhe porositet vrasja e Jan Kuciak.

Dhe në të cilën, pas një inspektimi më të afërt, Zsuzsova i çon direkt.

Në fakt, ndodh që nuk ka asnjë foto zyrtare të gruas dhe i vetmi imazh është ai i bërë nga policia gjatë arrestimit të saj teksa ajo u tërhoq zvarrë nga shtëpia në pranga.

Një grua përkulet nën një kaskadë flokësh të zinj. Me sa duket ishte parukë.

Megjithatë, në profilin e saj në Facebook dhe në të tjerët që hapi me pseudonime, Zsuzsova publikoi foto mahnitëse.

Imazhet duken mes një modeleje dhe një eskorte.

Sa keq që nuk ishin të sajat, por me sa duket të vjedhura, sepse ishin të dobishme për të ndjellur burra nga elita e vendit: politikanë, sipërmarrës, avokatë, VIP.

Nuk mbaron këtu.

Me akronimin “SIS Alino” (SIS është akronimi i shërbimeve sekrete sllovake) numri i telefonit të Zsuzsovës u ruajt në një libër adresash të veçantë: atë të sipërmarrësit Marian Kocner.

Një miqësi mes të dyve që në shikim të parë është e pakuptueshme.

Çfarë kishin të përbashkët misteriozja Alena Zsuzsová dhe biznesmeni Kocner?

Sipas asaj që dokumentohet në urdhrin e kujdestarisë paraprake sllovake, sigurisht që kishte një frekuencë bankare duke pasur parasysh transfertat bankare që Kocner i dërgonte asaj në baza mujore: 2000 euro, 1400 euro.

Dëshmitë e mbledhura gjatë punës së investigimit gazetaresk bien dakord për të treguar se Zsuzsova ishte përdorur nga Kocner për të shantazhuar seksualisht politikanë dhe sipërmarrës rivalë.

Ndërsa një dëshmitar kyç në hetimin e gjyqësorit sllovak, agjenti i shërbimit sekret Peter Tóth, betohet se të dy ishin të dashuruar.

Tóth vendos të bashkëpunojë me gjyqësorin sllovak kur Alena Zsuzsová arrestohet.

Ai shpjegon se ishte ai që e prezantoi gruan me sipërmarrësin Marian Kocner. Dhe ai thotë se materiali fotografik për Jan Kuciak, të cilin Alena më pas do t’ua dorëzonte vrasësve, do të ishte mbledhur nga ai personalisht gjatë përndjekjes së gazetarit të ri të kryer së bashku me një tjetër ish-agjent të inteligjencës.

Dhe se ka qenë Marian Kocner që i ka paguar hallin, për të cilin në të kaluarën kishin monitoruar “objektivat” e tjerë.

Marian Kocner është një nga biznesmenët kryesorë dhe më të diskutueshëm të vendit dhe përkufizohet troç nga Peter Bardy, redaktor i Aktuality, gazetës për të cilën Kuciak punoi, si “mafioz”.

Ai është i përfshirë në një sërë skandalesh (midis tyre, blerja e Markíza TV në 1998 dhe i ashtuquajturi mashtrim Technopol, mbi të cilin Kuciak kishte punuar duke dokumentuar zhdukjen misterioze të qindra faqeve të dokumenteve gjyqësore).

Ai mban nën kontroll të tij disa nga njerëzit e institucioneve, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm Dobroslav Trnka dhe në kasafortën e tij ruan kopje të përgjimeve dhe dosjeve të paligjshme të të ashtuquajturit “rasti Gorilla”, një skandal që pushtoi shërbimet sekrete sllovake.

Kocner kishte arsye shumë të mira për eliminimin e Kuciakut.

Dhe nuk e fshehu se e urrente atë djalë reporter që e mundonte me hetimet e tij. Ai e kishte kërcënuar në telefon në shtator 2017: “Do të gjej prova për ty dhe familjen tënde: të gjithë kanë një skelet në dollap”.

Jan e kishte denoncuar, por policia e kishte futur dosjen në një sirtar, ku dhe mbeti.

Andrusko, ndërmjetësi midis Alena Zsuszova dhe vrasësve, akuzon Kocner gjatë marrjes në pyetje në policinë sllovake.

“Alena”, shpjegon ai “nuk më tha arsyen e vrasjes, por më dha emrin e personit që e urdhëroi atë, është Marian Kocner, por kam frikë të them emrin sepse kam frikë për jetën time”.

Prandaj, Kocner është sot i dyshuari kryesor si nxitësi i vrasjes së Janit. Kështu thotë në rrëfimin e tij.

Kështu thotë logjika.

Kështu thonë arsyet e forta pse ai do të ishte i interesuar ta eliminonte.

Avokati i familjes Kusnirova, Roman Kvasnica, thotë për “Repubblica” se “Mund të themi se Kocner është zyrtarisht i dyshuar, por jo zyrtarisht i akuzuar. Pra, ekziston prezumimi i pafajësisë, duhet ta konsiderojmë ende të pafajshëm”.

Edhe pse ka disa muaj që ndodhet në burg. Por për evazion fiskal.

Është e qartë se ndrojtja e hetimit sllovak ndaj Kocner reflekton një frikë të përgjithshme se eksplorimi i përgjithshëm i motivit (dhe si rrjedhim i nxitësve të mundshëm të vrasjes) do të çojë në mënyrë të pashmangshme në Pallatin e Politikës, në grumbullin e shantazheve që kanë çimentuar dhe vazhdon të çimentojnë klasën politike, aparatin shtetëror, biznesin e korruptuar dhe krimin e organizuar të Sllovakisë.

Kjo shpjegon se që nga dita e ekzekutimit, puna e Kuciakut nuk është marrë asnjëherë në shqyrtim në hetim si pikënisje në kërkimin e motivit të vrasjes.

Sepse nëse do të kishte qenë kështu, emri i Kocner do të dilte në dritë përpara se ndërmjetësi i “penduar” me vrasës të kishte folur për të.

Dhe kjo shpjegon gjithashtu se si dhe pse u hodh plumbi – i dokumentuar gjithashtu nga hetimi i fundit mbi të cilin punonte Jan – që çoi në marrëdhëniet midis ish-kryeministrit Roberto Fico dhe ‘Ndrangheta-s, në kontekstin e mashtrimit të fondeve evropiane për bujqësinë. dhe energjinë e rinovueshme.

“Duhet të merret parasysh mundësia që vrasja të jetë urdhëruar nga një lloj karteli, i cili bashkon interesa të shumëfishta,” thotë Peter Bardy i Aktuality për Repubblica-n.

Në një aludim të qëllimshëm për një “pakt sistemi” midis sipërmarrësve, politikës dhe krimit të organizuar, të cilën hetuesit sllovakë e braktisën. Deri në atë pikë sa protokolli i bashkëpunimit i nënshkruar një vit më parë me Drejtorinë Antimafia të Qarkut të Reggio Calabria dhe Policinë italiane ka mbetur një letër e vdekur.

Arsyetimi zyrtar, i deklaruar në një konferencë për shtyp, ishte për të mos thënë ambige, e pakuptueshme: “Nuk ka asnjë pistë italiane për vrasjen dhe për këtë arsye nuk kemi nevojë për ndihmën e drejtësisë italiane”.

Një mënyrë procedimi që ngjalli disa dyshime në Reggio Calabria, për ta thënë butë. Sepse – vërjnë ata – injorimi i punës së Kuciak do të thoshte të përjashtohej mundësia e ndriçimit të një pjese të pushtetit të korruptuar të infiltruar nga familjet e ‘Ndrangheta-s mbi të cilat do të ia vlente të hidhej dritë.

Dhe koordinatat e të cilëve ia vlen të kujtohen.

Kalabrezi Antonino Vadalà u ndalua së bashku me tre anëtarë të familjes dhe u mor në pyetje nga autoritetet sllovake më 10 mars 2018 nën dyshimin e vrasjes, por u lirua pothuajse menjëherë.

Prandaj Italia mendon ta arrestojë për një arsye krejt tjetër.

Në fakt, ai duhet të përgjigjet për trafikun ndërkombëtar të drogës para Gjykatës së Venecias.

Dhe pikërisht aty, falë një hetimi të Policisë Financiare, dalin elementë vendimtarë.

Në fakt, ndërkohë që ai organizonte dërgesat e kokainës nga Amerika Latine në Italinë veriore, Vadalà po menaxhonte një biznes që varionte nga bujqësia tek rritja e bagëtive dhe energjia e rinovueshme në Sllovaki, duke lëvizur me mjeshtëri në një zonë gri që i garantonte atij kontakte me njerëzit kryesorë: nga shërbimet sekrete, tek doganat, duke arritur në postet më të larta në shtet.

Siç dokumentohet nga një përgjim i marrë në vitin 2012 nga një Prokurori Publik Italian si pjesë e një hetimi për trafikun e drogës, i cili më pas u konsiderua pa interes dhe u rishfaq vetëm pas vdekjes së Kuciak.

Vadalà, në atë telefonatë, foli me kryeministrin e atëhershëm Robert Fico. Ai që vrasja e Janit do të detyrojë të japë dorëheqjen pas disa javësh.

Me pak fjalë, një hetim i paplotë, ai sllovak. Ndoshta i destinuar të mbetet i tillë. Dhe plot helme. Siç dëshmohet nga lëvizjet e dy zyrtarëve të lartë të aparatit sllovak pas vrasjes së shefit të policisë, Tibor Gaspar, dhe kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Robert Krajmer.

Në fakt, një dëshmitar i ri nga policia pranon tani, rreth një vit pas vrasjes, se vetë Gašpar e kishte urdhëruar që të bënte një kontroll mbi Kuciak në arkivat e policisë, kur gazetari ishte ende gjallë.

Ndërsa Krajmer përfundon i vetëm në qendër të vëmendjes.

Në fakt, ndodh që mbrëmjen e 25 shkurtit, kur në shtëpinë e tyre sapo ishin gjetur trupat e Janit dhe Martinës, në vendngjarje ka mbërritur njëkohësisht me policinë vendase edhe Robert Krajmer.

Jo shefi i mjekësisë ligjore, pra, por kreu i Antikorrupsionit.

Dhe ndodh gjithashtu që të nesërmen, në mëngjesin e datës 26, Krajmeri të kthehet sërish në atë skenë të krimit.

Këtë herë filmuar nga televizioni, teksa hyn në shtëpi.

Mbuluar menjëherë nga ajo që synohet të jetë një arnim i ministrit të Brendshëm, por që rezulton më keq se vrima.

“Ekipi i Krajmerit po hetonte të njëjtat ngjarje që po punonte Kuciak”, thotë ministri.

Është turp që më 26 shkurt askush nuk e dinte ende se për çfarë po punonte Jan Kuciak.

Nëse jo ai, që nuk mund ta tregojë më, hetimi i tij, ende i pabotuar pas vdekjes nga gazeta e tij, dhe kolegët që e kishin shoqëruar në atë hetim të fundit. Ato të Investigace dhe Irpi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING