Politike
Rama: Ca “trimosha” të BKH erdhën në Kryeministri dhe s’donin të linin “patllaken” te dera
Kryeministri Rama ka deklaruar ditën e sotme se ca “trimosha” të BKH-së, kanë shkuar një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, dhe nuk kanë dashur të linin “patllaken” tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës. Gjatë podcast-it të tij “Flasim” Rama u shpreh se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional.
“…Por unë, nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.
Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrsesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.