Connect with us

DOSSIER

Revolta e Spaçit/ Na hodhën në makinë si trungje lisi…

Nga Blerina Gjoka

 

Dy ‘gardianë’ tërheqin zvarrë një djalë të ri të gjakosur dhe me bluzë të grisur në një skenë të improvizuar në rrënojat e burgut të Spaçit – pesëdhjetë vjet pas revoltës së të burgosurve të 21 majit 1973.

E tërheqin zvarrë nëpër shkallë dhe e gjunjëzojnë me forcën e shkopinjve të gomës.

Për pak minuta, i burgosuri i vetmuar rrethohet nga 3, 4, 10 djem të rinj që revoltohen ndaj policëve dhe i largojnë me forcën e duarve. Të gjithë bashkë në kor të bërtasin:  “Poshtë komunizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!” dhe tërheqin nga cepat një copë rrobe të kuqe ku ishte vizatuar një shqiponjë dy krenore. Por vetëm pak minuta më vonë, ata po presin verdiktin gjyqësor kokëulur dhe duarlidhur.

“Të pushkatohen katër!” “Të ridënohen tetë!”

Nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit e inskenuan revoltën e të burgosurve politikë kundër regjimit totalitar të Enver Hoxhës si pjesë të ceremonisë përkujtimore me rastin e 50-vjetorit, e organizuar nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës. Dramatizimi u ndoq nga protagonistët e vërtetë – ish të burgosurit e Spaçit – gulagut më famëkeq të regjimit komunist.

Gjetë Kadeli, 81 vjeç, e ndoqi me një buzëqeshje të lehtë dramatizimin e të rinjve. Pesëdhjetë vjet më parë, Kadeli ishte njëri prej protagonistëve të revoltës, për të cilën u ridënua edhe me 15 vite të tjera burg.

“Revolta në fillim kishte karakter ordiner, përplasje e policisë me një të burgosur,” kujton Kadeli për BIRN.

Ngjarja nisi nga protesta e një të burgosuri, Pal Zefi (33 vjeç), i cili refuzoi të shkonte në minierë mëngjesin e 21 majit 1973.  Gardianët e burgut e nxorën nga qelia me forcë dhe e dhunuan në shesh-pushimin e kampit në sy të qindra të burgosurve të tjerë.

Kadeli kujton se disa të burgosur e shpëtuan Palin nga kthetrat e policëve dhe u kthyen me grushta mbi policët dhe operativin e Sigurimit, deri sa policët u ngjitën lart.

Revolta mori ngjyrim politik në darkën e 21 majit, kur të burgosurit prishën dhe dogjën stendat e emulacionit, ku ishin shkruar parrullat për partinë dhe diktatorin. Kadeli kujton se për ta bërë protestën politike, i shkoi në mendje ideja e flamurit pa yllin komunist.

“Gjetëm një metër beze të kuqe dhe e bëmë,” shtoi ai.

Mëngjesin e 22 majit 1973, flamuri i improvizuar pa yll u ngrit në trekëndëshin metalik deri sipër taracës së kampit dhe deri mëngjesin e së nesërmes, të burgosurit u bënë zotër të burgut të tyre të vuajtjes.  Më pas, revolta u shtyp.

“U dha urdhëri për të na arrestuar të gjithëve. Pasi na lidhën, del komisari me një listë emërore dhe i merrnin i hidhnin në makinë si me hedh një trung lisi, rreth 70 veta u arrestuan,” shtoi Kadeli.

Të burgosurit rezistuan deri mëngjesin e 23 majit, kur forca të shumta të ardhura nga e gjithë Shqipëria e shtypën me dhunë revoltën. Në një gjyq të shpejtë të zhvilluar po aty, u vendos të dënoheshin me pushkatim Pal Zefi, 33 vjeç, së bashku me Skënder Dajën, 23 vjeç, Dervish Bejkon, 27 vjeç, Hajri Pashajn, 29 vjeç. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.

Ceremonia përkujtimore e organizuar nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës bëri bashkë shumë organizata dhe institucione aktive në fushën e kujtesës, presidentin Bajram Begaj, krerët e komuniteteve fetare si dhe politikanë lokalë.

Përkujtimi nisi në mëngjes herët me një pelegrinazh në kilometrin e fundit të rrugës që të çon në ish-kampin e Spaçit, ku instalacioni me siluetat njerëzore kujtonte vuajtjet e familjarëve të të dënuarve, kryesisht gra e fëmijë që bënin këtë rrugë të vështirë në dimër e verë për të takuar të afërmit e tyre.

“Duhet të jemi të ndjeshëm dhe të vetëdijshëm se hija e Spaçit ka prekur edhe mijëra familjarë,” tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH-së.

Ajo shton se institucioni që drejton nxit dhe mbështet nismën për ta kthyer sitin në një muze.   “Jemi të bindur se ka fakte arkivore, dëshmi  dhe artifakte mjaftueshëm për të ndërtuar një vend kujtese me rëndësi kombëtare,” tha Sula për projektin e parealizuar prej vitesh.

Një dokumentar me dëshmi të protagonistëve të revoltës u shfaq nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ndërsa ekspozita me skica “Jeta në Spaç” e fondacionit Kujto solli në mënyrë vizuale detaje të përditshmërisë së jetës së burgosurve në këtë kamp. Dramatizimi u mbështet nga Intituti për Demokraci, Media, Kulturë që e ka fokusuar punën me memorien kryesisht tek të rinjtë.

Kampi i Spaçit nisi të funksionojë si kamp pune të detyruar në vitin 1968, ku pjesa dërrmuese e të dënuarve ishin të burgosur politikë. Ata punonin në minierën e Spaçit në nxjerrje mineralesh, në një punë me tre turne dhe kushte të mjerueshme.

Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha, i tha BIRN se trajtimi i të burgosurve ishte në kundërshtim dhe me ligjet e vetë sistemit.

“Më 1957, Shqipëria ratifikoi dhe Konventën e OKB-së për ndalimin e punës së detyruar dhe më 1952, puna e detyruar u hoq nga Kodi Penal si masë dënimi,” tha Hoxha, ndërsa shtoi se pavarësisht kësaj, puna e detyruar u aplikua si formë dënimi në të gjitha kampet e kohës.

Kongresi për Llogaritjen e Krimeve të Komunizmit” Vilnius, 2000, e klasifikoi revoltën e Spaçit, si revoltën më të madhe me karakter politik që ka ndodhur nga të burgosurit antikomunistë në Evropën Lindore./BIRN

 

 

DOSSIER

Sekreti i Urës së Zogut që kushtoi më shumë se 680.000 franga ari

Ura që kërkon të jetojë jetën e saj

Markel Baballëku, inxhinier dhe strukturist, njohës shumë i mirë i historisë inxhinierike të Shqipërisë së vjetër dhe të re, ishte i ftuari i mbrëmjes së sotme në Esencë. Ura e Zogut apo ashtu siç njihet ajo ndryshe me emërtimin e saj të parë Ura e Matit ka zënë vend të ngushtë tashmë në kujtesën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Për këtë emision u shfrytëzuan materiale edhe nga arkiva personale e Inxhinierit dhe Profesorit Gjovalin Gjadri.

Eljan Tanini: -Urat ndërtohen nga njerëzit për qindra mijëra arsye. Ndërsa në fund, ato braktisen nga njeriu nga vetëm një arsye. Kjo urë duhet të ishte vendosur dhe stampuar në kartëmonedhat e Shqipërisë, ashtu si edhe kafshët e vendit tonë. Kur them kafshët nuk e kam fjalën për njerëzit. Çfarë është kjo urë për ne?

Markel Baballëku: -Lumi i Matit është një lum që ka krijuar vështirësi ndër vite! Ajo është një urë që lidh veriun dhe jugun. Përpara asaj ure kanë qenë edhe dy të tjera nga Lufta e Parë Botërore. Vitet 20 e shtunan vemendjen njerëzore për një urë të tillë, ishte fondi ZVEA që bëri të mundur ndërtimin e saj. Në atë periudhë janë ndërtuar edhe 6 ura të ngjashme si kjo. U hap një konkurs nga qeveria për këtë urë, ajo ka dosjet më të plota deri në dosjen e zbatimit të saj. Në vitin 1938 kompania italiane “Mazorana & Co ribën disa sistemime. Në dosje gjen projektet e para, përmiresimet e Mazzoranos dhe në fund Emil Mersh.

I kanë dhënë jetë saj ure: Zviceriani i famshëm Erwin Schnitter, Profesori Gjerman Emil Morsch, dhe nga pala shqiptare inxhinieri i ri Gjovalin Gjadri. Gjadri e tregon punën e tij në shumë vlera, si në Moskë dhe në ndërtimin e Urës së Gomsiqes.

Eljan Tanini: –Si është gjendja e urës sot, a i kushton shumë shtetit shqiptar ta ribëjë ashtu siç ishte atë urë?

Markel Baballëku: -Nuk janë të pakta rastet ku koha, një shekull ose 100 vjet është koha që për urat të merren më shumë masa. Shumë ura nuk e kanë patur fatin e saj, edhe asaj i është shembur një hark. Ura ka pasur 6 harqe, sot ka 5 harqe. Harku i gjashtë gjendet në lumë

Eljan Tanini: –A është zënë lumi, devijuar, për të ndërtuar urën?

Markel Baballëku: -Jo nuk është zënë e as devijuar! Lumi është besnik i shtratit të tij, ne kemi ngushtim shtrati nga linja hekurudhure dhe nga rruga e re

Eljan Tanini: -Çfarë ka ndodhur me këmbën e urës, është ngrënë apo ka rënë më poshtë?

Markel Baballëku: -Nuk e gjen dot pa e parë nga brenda këmbën! Faktorët janë disa. Gërryerja e lumit, udhëzimi i lumit, prurjet e mëdha, koha dhe mbase edhe tërmeti i fundit i vitit 2019

Eljan Tanini: –Ura e Zogut, Milotit, Viktor Emanuelit, kemi emër tjetër?

Markel Baballëku: -Është quajtur edhe Ura e Matit, ky është termi i parë.  Ajo mori emrin e Zogut që në ato çaste. Në vitin 1939 ura është quajtur Ura Viktor Emmanuel i III dhe në vitin 1999 ka marrë emrin formal Ura e Matit. Unë nuk e di nëse ka një vendim të ri gjatë viteve 1939-1999 për ndryshimin e emrit të saj. Ura është ndërtuar për më pak se një vit, ka pasur një kohë 3 vjeçare që janë marrë me projektin si fillim, më pas  zbatimi ka qenë më i thjeshtë. Kështu vepron edhe bota, bën më shumë studime si fillim.

Eljan Tanini: –Sigurisht, ashtu si një artist i cili ka kohë qe e mban në mendje idenë e tij, më pas zbatimin e ka shumë shumë më të thjeshtë.

Markel Baballëku: –Koha ka qenë e shkurtër dhe më shumë vlera e kanë krijuar atë urë në një kohë kur prurjet e lumit kanë qenë shumë më të mëdha se sot. Më 13 Mars 2024, në Prishtinë u mbajt një takim përkujtimor për veprën e shkëlqyer të Profesor Inxhinier Gjovalin Gjadrit ku unë bashkë me kolegun Rikard Luka mbajtëm kumtesën: “Ura mbi lumin Mat dhe veçori të ndërhyrjeve riaftësuese në periudha të ndryshme kohore”. Kemi hulumtuar më thellë edhe në shumë dokumenta

Eljan Tanini: -Mund ta quajmë edhe ura me 6 harqe që ka 5 harqe sot!

Markel Baballëku: –Ura është rindërtuar në një fazë të dytë. Çështja ka qenë që të bëhet një urë elegante ku edhe uji të kalonte më lehtë. Një ndër vlerat e saj është edhe pesha e lehtësuar për ti shtuar jetëgjatësinë. Vizatimet kanë qenë tepër të imta në letër. Ura është pasuri tepër e vyer. Janë ndërtuar edhe dy kulla që dikur mbanin teleferikun që shpërndante materialin e ndërtimit. Ura i ka këmbët rreth 10 m të thella.

Ura e Lezhës, unë hamendësoj se është marrë e njëjta urë mëmë në dokumenta dhe e kanë ndërtuar atë në të njëjtën trajtë. Janë pesë ura që ngjajnë me urën mëmë.

Qoftë nga shtypi i kohës dhe nga dokumenta personale të Gjovalin Gjadrit flitet për praninë e Gjovalin Gjadrit në këtë urë.

Eljan Tanini: -Ura mund të shpëtohet kollaj?

Markel Baballëku: -Po, ajo urë ka zënë pak vend në atë element të vetin

Ndërhyrja u nis për tu bërë dhe duhej bërë një ndërhyrje elementare, tani jemi në fazat e ndërhyrjes. Tani është periudha e prurjeve. Ky është një objekt që kërkon profesionalizëm të lartë

Eljan Tanini: -Ku kemi aftësi ne të restaurojmë vepra të tilla si kjo urë, vetëm nëse ngjallet Gjovalin Gjadri me të tjerë!

Markel Baballëku: -Përvoja jonë është e pakët në këtë drejtim, sidomos me ato që kanë ndodhur pas tërmetit. Kjo urë gëzon në veçanti teknologjinë e kohës së saj, ura e parë është ndërtuar në vitin 1928 në Gjermani. Ndërkohë e pa patentuar përpara saj është ndërtuar ura jonë në vitin 1926. Elementët e urës janë beton dhe çelik, as elementët e poshtëm nuk kanë asnjë plasaritje

Eljan Tanini: –Diktatura i ndryshoi gjë urës?

Markel Baballëku: –Janë bërë ndërhyrje të herë pas hershme në urë, 10 të tilla. Vepra ka rezistuar, është mirëmbajtur me ndërhyrjet më të rëndësishme në vitiet 1972-1975. Në mënyrë të plotë më të është marrë Profesor Gjovalin Gjadri.

Harku i fundit i urës ka rënë në ujë, gjermanët që e hodhën në erë janë treguar dashamirës. Harku nuk është ribërë. Dëmtime në këmbët e betonit, dhe ndërhyrjet e Gjovalin Gjadrit janë bërë në vitet 1949-1950.

Eljan Tanini: -Përse ura ka këmbë betoni të mbërthyera me çelik?

Markel Baballëku: -Ulja e urës ka ndodhur në kohë të ndryshme

Eljan Tanini: -Duket sikur urës i kanë dalë dhëmbët dhe rrënjët?

Markel Baballëku: -Ngulej një si krehër me këmbë të ndryshme betoni, këto janë këmbët e urës. Është e hamendësuar që kjo enë ka rënë, është carë poshtë. Fokusi ka qenë dhe është që në mos ta lejojmë atë urë që mos të shkojë më tej.

Eljan Tanini: -Firma që e ka marrë projektin do e lërë të pjerrët apo do e çojë në bazë urën?

Markel Baballëku: –Firma ka për detyrë të sigurojë që ura nuk do të lëvizë më. Ose të ngrihet dhe mëkëmbet e gjithë ura.

Eljan Tanini: -Ura është një trup?

Markel Baballeku: -Ato janë pjesë të pavarura nga njëra tjetra, kjo i ka bërë mirë asaj.

Eljan Tanini: -Kjo urë duhet të jetë simbol kombëtar

Markel Baballëku: -Ne jemi në diskutimet tona që kjo urë mund të gjejë kudo vendin e saj me elementët e saja që ka.

 

Continue Reading

DOSSIER

Shqiptari që u dashurua me vajzën e shokut të ngushtë të Leninit

Drama e ndarjes së çifteve shqiptaro-ruse në kohën kur lidhjet kishin ende pushtetin dhe  sharmin e kohës, përfshiu një pjesë të mirë të familjeve shqiptare duke lënë përgjysmë çdo gjë e duke mos menduar si zakonisht për asgjë, por vetëm për më të keqen. Ishte koha kur partia vendoste edhe për fatin e familjes së re. E vetmja gjë që Partia e Punës nuk bëri dot gjë ishte ndryshimi i gjinisë së fëmijëve nga babai te nëna. Ndiqni më poshtë historinë e jetës së artistit dhe skulptorit Thanas Papa, rrëfyer në Esencë nga artisti dhe skulptori Besart Papa.

Eljan Tanini: Si është historia familjare e babait tuaj dhe çfarë ju ka thënë ai për këtë fakt?

Besart Papa: -Diktatura e ndau babanë nga gruaja ruse dhe vajza e tij! Një skulptor nuk është gjithmonë i aftë të bëjë shumë gjëra!

Eljan Tanini: -Babai juaj vjen nga Berati. Do të flasim për një martesë dhe një jetë të vështirë nën diktaturë. Si i ri, nuk ishte fëmija i një artisti që befas bëhet skulptor deri në kohën kur shkon në Rusi për studime. Si ndodh e gjitha kjo?

Besart Papa: -Nuk ndodhi befas, babai lindi në fshatin Paftal të Beratit. U shpërngulën nga fshati për efektet të luftës. Shtëpitë u dogjën nga lufta. Ai spikati që kishte prirje artistike. Duheshin njerëz për ringritjen e vendit, ai spikati si element i ri i kohës së tij.

Te babai fiton bursën, shkon në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Arteve të Bukura Repin. Rri 6 vite, 1 vit gjuha dhe pesë vite Akademia. Ndoqi edhe një fakultet që kishte të bënte me parqet dhe natyrën. Spikati në Rusi për talentin e tij dhe kërkuan ta mbanin atje. Paralel me to ndoqi edhe një fakultet mjekësie.

Eljan Tanini: -Atje në Shën Petërburg njihet edhe me një vajzë ruse?

Besart Papa: -Unë këto histori i kam të gjalla! Dashuria ishte ndryshe në ato vite, 2/3 e popullsisë në Shën Petërburg ishin zhdukur në luftë. Shteti kishte sjellë njerëz nga rrethinat, leningradasit ishin detyruar të përshtaten me popullin e ri nga rrethinat. Babai thoshte se kur shikoje dikë në rrugë do të përshëndeteshe. Një ditë gjatë rrugës që e bënte shpesh shkëmbehet me një vajzë ruse.

Jeta e Thanas Papës është si një skenar filmi, është reale. Gruaja e babait studionte për gjuhët e lindjes, ajo ishte transferuar me punë për në Kinë. Babai u habit që ajo do të ikte me punë, ajo nuk e kundërshtonte dot, nuk e zhbënte dot këtë gjë.

Shqiptari Thanas Papa, pra im at, ndërhyri që ajo mos të ikte larg tij. Më pas u interesua babai që të rrinin bashkë në një dhomë konvikti , rreth një vit. Babai kthehet në Shqipëri pas studimeve dhe pas një viti merr edhe gruan e tij ruse në Shqipëri me të cilën ishte martuar në Rusi.

Babai kërkonte që gruaja e tij te mos transferoheshe me punë larg tij. Për këtë gjë interesohet në institucionet e kohës dhe i thonë që të duhet një letër që quhet Zaks. Pra që është i martuar. Zaksi ishte akt celebrimi që ai nuk e kishte. Ata u celebruan pa praninë e saj, pa praninë e gruas ruse si fillim.

Ajo u shtang kur e mori vesh këtë veprim! Zaks ishte dokumenti i martesës, edhe ai shtanget kur e merr vesh se çfarë ishte Zaks dhe se çfarë kishte bërë. Ai si burrë i thotë: -Po pse nuk je dakord ti? Jam i thotë ajo, e kështu gjenden të martuar.

Ata ndenjën në Tiranë deri në vitin 1961. Babai luftoi shumë që ajo të rrinte këtu në Shqipëri. Thanas Papa me Valentinën bëjnë edhe një vajzë që quhet Tatjana. Në Tiranë qëndruan në Hotel Vjosa, ishte shtatzënë gruaja e babait në atë kohë qëndrimi në hotel.

Eljan Tanini: -A ishte e vështirë ndarja?

Besart Papa: -Ishte traumatike! Vajza ishte 3 vjeçe e pak, e madhe për të mbajtur mend traumën. Vazhduan komunikimet me letra! Më pas u ndërprenë letrat për shumë arsye. E thërrasin babanë dhe i thonë që të kanë sjellë një kërkese Divorci në Gjykatën e Tiranës. Ai e kupton situatën, diçka nuhat! E firmos letrën duke kuptuar se diçka po ndodhte. Im at me ish gruan ruse u takuan në vitin 1991 dhe këto biseda u bënë atje. Vajza e tyre u rrit, ajo studioi për inxhinieri elektronike dhe kozmosin.

Eljan Tanini: -Babai si jeton gjatë kësaj kohe?

Besart Papa: -Trauma ishte shumë e madhe për disa arsye!

Eljan Tanini: -Unë kam frikë se diktatura do të kthehet një ditë në Shqipëri, jo nga tanët, nga kushtet e atmosferës politike. Edhe lufta është diktaturë.

Besart Papa: –Atij ju prish familja, ishte një i ri që i kapërceu shumë shpejt disa gjëra të jetës së tij nga atje ku lindi deri atje ku shkoi. Thanas Papa im at studion në një nga Akademitë më të mira të botës me medalje ari. Në Rusi diplomohet me ekuestrin Skënderbeu.

Niveli i gjykimit i komisionit të shkollës ishte shumë i lartë. Babait i thanë që ky model skulpture nuk mund të realizohet nga një student. Aq ju desh Thanasit, babait tim, për ta marrë si sfidë këtë gjë. Vepra bëri shumë bujë, u mbush akademia edhe me njerëz nga rruga. Ky kompozim u vlerësua me medalje ari, pas 10 vjetësh që nuk ishte dhënë kjo medalje. Dominon atje në Rusi  një djalë i ri nga fshati Paftal i Beratit. Ishte 30 vjeç kur u nda nga gruaja e tij ruse.

Eljan Tanini: -Çfarë bën pas kësaj kohe?

Besart Papa: -Ju dha shtëpi dhe studio nga shteti shqiptar, studio për 3 artistë si Andrea Mano, Thanas Papa dhe Dhimitër Çani. U paracaktua që do ndërtohej për ta. Artistët zgjodhën parcelën, ishte periferi. Babai ishte më i riu për nga mosha dhe për nga natyra.

Ishin disa variante për të bërë studiot. Diku toka kishte probleme, diku vakëf, ndërsa toka e tanishme e studiove ishte pronë e dy pleqve. Futet në studio në moshën 30 e pak vjeçare, caktohet edhe me punë në muzeun arkeologjik. Edhe im at si nxënës në Lice ka marrë pjesë në ndërtimin dhe krijimin e atij që sot njihet si ushtari i panjohur në Tiranë.

Unë i thosha babait që ti ke qenë gjithmonë me bodyguard me vete. Ai dilte nga shtëpia në Rrugën e Durrësit dhe e shoqëronte një spiun deri te Sahati. Nga Sahati shkëmbeheshin dhe  vinte në shtëpi me tjetrin. Babai me biçikletë po ashtu edhe sigurimsi!

Ne e zbualuam emrin e Thanas Papës nga një listë që doli në lidhje me intelektualët e përgjuar në komunizëm. Busti i Musa Fratarit ishte porosia e tij e parë që ju bë nga shteti.

Eljan Tanini: -Babai juaj artist skulptor ia vuri emrin të birit Besart. Babai jeton mes sigurimit dhe punës së tij artistike. Thanas Papa fiton konkursin e relievit që do të vihej te Kryeministria, si është kjo histori?

Besart Papa: -Konkursin e fiton ai bashkë me një arkitekt. Kur u hap zarfi me emrin dhe u pa që ishte Thanas Papa, 1971. 1972 iu dha me komisionim disa të tjerëve, relievi u bë nga Kristaq Rama, Hektor Dule dhe një tjetër.

Eljan Tanini: -Gjatë kësaj kohe që babai jeton me punën e tij, vendos të martohet. Kur ndodh kjo?

Besart Papa: –Nuk vendos të martohet! Nga ajo goditje që ndodhi nuk vendos të martohet. Diçka të keqe ai priste, internim, transferim etj… Atij do ti ndodhte diçka. Ishte në rreth të kuq, mbase shpëtoi nga fati, manovroi aty për aty. Përballë me ne banonte vëllai i Kadri Azbiut, ku ky I fundit vinte te ne dhe dëgjonte pllaka gramafoni. Disa e mbronin disa e lëshonin.

Veprën e Skënderbeut në kalë e solli nga Rusia. Komisioni I vlerësimit të diplomave të Bashkimit Sovjetik, u caktua që ajo diplomë do të bëhej në dy kopje, një për në Rusi dhe një për në Shqipëri. Vepra lëviz në disa vende të Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende socialiste, në fund vendoset në hollin e Shkollës Skënderbej. Atje e prishën, sa ishte shformuar, i thonë ta marrë veprën se e kanë hedhur poshtë te shkallët. Babai e merr veprën, deri në vitin 2010 ka qenë në studio e pa ngritur. Unë e marr mundimin ta kthej në gjendjen e parë.

Me mamanë time Shpresa Lekën njihet në vitin 1984, ishte 52 vjeç. Rasti i babait është fakti që njeriu nuk duhet të humbasë shpresën. Kur ky  njeri duroi, priti edhe pas kaq shumë vitesh gjeti fuqitë të nisë nga e para.

Eljan Tanini: -Nuk paska pritur shumë babai juaj! Në demokraci tenton të flasë me gruan e tij ish  ruse?

Besart Papa: -Ishin të kujdesshëm prindërit të mos flisnin çdo gjë. Ka tentuar të lidhet me ish gruan, vajzën e vogël e gjeti 32 vjeçe. Ishin te dy rreth 60 vjeçar, ajo, gruaja e tij ruse  vuante nga sëmundje të ndryshme. U takuan, vendosën disa lidhje të reja, por ajo ishte shumë e ftohtë, po ashtu edhe e bija!

Në ato vite Rusia ishte shumë keq, kur babai vajti atje, ka ngrënë mualebi fëmijësh, ndenji 3 ditë për të marrë një bukë. Pati një kontakt me një person që e lidhi andej me ish familjen e tij në Rusi.

Mamaja ime Shpresa Leka, ishte ajo që u bë sebep për të shkuar babai në Rusi,  ajo i tha të shkosh në Rusi e të takosh dhe të gjesh famijen tënde. Disa gjëra ishin sheshuar nga koha. E bija sillej normal por ftohtë. Gruaja e tij nuk ishte martuar.

Eljan Tanini: -Babai e fliste këtë gjë me ju në shtëpi?

Besart Papa: –E fliste vazhdimisht, por vitet e fundit nga mosha etj, nga rënia e forcës bisedat ishin të rralla. Kishte kujtime për Rusinë se ishte koha e artë e tij.

Eljan Tanini: -Si shiheni në atë kohë ata që ishin martuar me gra ruse?

Besart Papa: -Të kishe mbaruar në ato vite shkollën jashtë Shqipërisë ishe i veçantë. Im at dhe të tjerë ishin njerëz me fat për shkollën e tyre. Dikur ishte luks të ishe artist! Kur Jakup Keraj u kthye në Shkodër respektohej shumë, i veçantë si individ. Vëmendjet karshi këtij kontigjenti artistësh që janë pasuri nuk duhet të mungojnë. Unë sot vazhdoj të punoj në studion ku babai punoi për 70 vjet me radhë.

Eljan Tanini: -Kur ndërruan jetë babai dhe mamaja?

Besart Papa: –Në moshën 91 vjeçare babai, përpara 2 vjetësh. Mamaja 73 vjeçe, ata ikën të dy brenda nje muaji! Mamaja ishte arkitekte dhe urbaniste.

Eljan Tanini: -Në një kohë kur askush nuk e ka mendjen për asgjë, dikur shteti bënte çdo gjë për ta. Nëse nuk i ruajmë më vlerat e tyre deri në vdekje, nuk i mbron më askush sot.

Besart Papa: -Burimi i të gjitha të këqijave është injoranca. Pa art dhe kulturë nuk ka ekzistencë.

Continue Reading

DOSSIER

Rrëfëmi i ish-kreut të shërbimit sekret: Kur Papandreu filloi përgatitjet për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë

Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi”. Kështu shprehet studiuesi dhe eksperti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Irakli Koçollari, I cili vjen në një rrëfim të jashtëzakonshëm në “Mes dy botëve” përballë kavaletit të Helidon Halitit në RTSH. Si një ish diplomat, Koçollari, kujton vitet ’80 ku në Greqi ngritën kokë qarqet nacionaliste, ndërsa flet dfhe për Ligjin e Luftës mes dy vendeve tona. “Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi. Tamam në atë kohë shfaqet një libër në gjuhën greke, “Dy popuj jemi miq” (Libri i Enver Hoxhës), i cili ishte një mesazh për të thënë që ne jemi miq. Ai rendit atje disa fakte historike. Mendoni që ishte në të njëjtët kohë që ishin konfliktet dhe ishim tensionuar ekstremisht më ish-Jugosllavinë. Duhet ditur që Jugosllavia ishte fuqia e pestë ushtarake në Europë. Raportet me Greqinë duheshin të ishin raporte të mira dhe të sinqerta. Aq më tepër duke marrë në konsideratë kontributet e shqiptarëve në historinë e popullit grek, veçanërisht në pavarësinë e saj janë unike. Dhe këto shërbyen si fakt. Ata mbanin Ligjin e Gjendjes së Luftës dhe ti je midis dy luftërave, por asnjë vend ,qoftë dhe fuqia më e madhe në botë nuk e ka përballuar dot luftën në dy fronte. Në këtë kohë filluan përgatitjet nga qeveria “Papandreu” për heqjen e Ligjit të Luftës”, shprehet Koccollari.

Ai nënvizon se kjo nismë e Papandreut acaroi edhe më tej qarqet ekstremiste greke, ndërsa tregon dhe ngjarjet e atyre viteve gjer në djegien e automjeteve te ambasadës sonë atje. “Në atë kohë ka pasur një fushatë ekstreme antishqiptare, i ka të pakontrolluara ato qarqe. Shumë nga këto qarqe, vërtet mund të dalin nga rrjeshti, por në një shtet serioz veçanërisht për çështje që cenojnë sigurinë e saj dhe raportet e sja ndëkrombëtare, nuk duhet t’i lejojë kurrsesi. Iniciativa dhe mendësia për një miqësi mes dy popujve i takon Papandreut. Në atë kohë u bënë dhe akte të shëmtuara. Bënë demostrime para ambasadës, zjarr makinave, për të mos thënë hedhje në erë të makinave tona që publiku nuk i di. Kanë djegur komplet makinën”, thotë Koccollari.

Studiuesi Koçollari shprehet se trodjet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni.
“Brumi i mentalitetit të një populli është ai që është ngjizur ndër shekuj. Nuk e bëjnë 20 apo 30 vite. Në tërë historinë para shpalljes së shtetit shqiptar, por dhe përpara asaj dhe më pas asaj, çuditërisht po ta shikojmë, ne nuk kemi asnjë autor, asnjë studiues, asnjë politikan shqiptar me pikëpamje dhe mendësi ekspansioni kundër fqinjëve. Nuk ka. Të tjerët kanë platforma. Serbët në veri dhe grekët në jug kanë njerëz të ngritur që i konsiderojnë si balllarët e vendeve të tyre që kanë bërë platoforma për shkombëtarizimin dhe ekspansion kundër popujve fqinjë si Shqipëria.
Nëse do të përmend këtu serbët kanë deri në nobelistë që thonë: “Të theren shqiptarët”, “Të vriten shqiptarët”. Më gjej një shqiptar të thjeshtë që thotë “Të shfarosen serbët”?!.Nuk kemi një platformë os etë punuar qoftë dhe nga një individ me urrejtje nacionale apo me pretendime territoriale ndaj të tjerëve.
Gjithmonë kru diskutojmë për këtë temën më vjen në mendje një frazë e Çabej kur flet për shtrirjen territorial historike të popullit tonë dhe gjendjen faktike të trojeve shqiptare dhe të shtrirjes së popullsisë shqiptare sot. Thotë: “Trojet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni”. Gjithmonë të mbledhura dhe kemi arritur këtu ku jemi. Unë s’dua të bëj tani nacionalistin, por të vërtetat historike janë të vërteta historike”, shprehet ai.

Continue Reading

DOSSIER

Arkitekti i njohur: Muzeun e Krujës nuk e projektoi vajza e Enver Hoxhës, por unë

Nga Ani Jaupaj

Pasi e kishin shtyrë për vite të tëra realizimin e këtij muzeu, Enver Hoxha vendosi më në fund që ta ndërtonte pikërisht atëherë, kur e bija të diplomohej në Arkitekturë. Kjo do të ishte mbrojtja e saj e diplomës, sado që nota ishte e padiskutuar. Arkitekti Robert Kote dhe gurgdhendësi Kurt Murati, na tregojnë sot të vërtetën.  Siç e gjithë Kruja pohon; muzeun e këtij qyteti e ka realizuar zbatuesi i projektit, Robert Kote dhe jo projektuesja Pranvera Hoxha. Inxhinieri e arkitekti Robert Kote, punën që bëri në muzeun e Krujës do ta bënte patjetër, për sa kohë ishte me urdhër nga lart. Vetëm se urdhri i kishte ardhur shumë vite përpara realizimit. Askush nuk po e kuptonte se çfarë ndodhte, pse po vonohej puna, pse po lihej pezull…! Papritmas, një ditë e thërrasin sërish, tashmë për ta përfunduar…!

Profesor Roberti, si është historia e Muzeut të Krujës?

Historia e muzeut ka nisur shumë vite përpara se të punohej vërtet me të. Në vitin 1967, Enver Hoxha bëri një vizitë në Krujë, gjatë së cilës vizitoi edhe muzeun e vjetër. Pas kësaj bëri një letër, në të cilën e kritikonte, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer ky muze. Në këto kushte, sinjali ishte i hapur që; “merrni masa të bëni një tjetër”.

Kjo ka qenë koha kur unë, bashkë me një mikun tim që jetonte në Krujë, nisëm të bënim projektet e hamendësimet e para. Si mund të ishte, ku mund të ndërtohej?! Letra thoshte vetëm që s’i pëlqente, por nuk jepte indikacione të tjera. Si përfundim, asgjë nuk u bë. Kaluan disa vite. Unë isha pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, kur më thërrasin sërish. Në një takim me ministrin Thoma Deliana dhe Aleks Budën, vendosim të shkojmë në Krujë, për të parë terrenin.

Jo. Shkuam të tre bashkë me Foto Çamin, që ishte sekretari i parë i Komitetit Partisë së rrethit të Krujës dhe asnjëri nuk merrte përsipër të thoshte një mendim, donin ta anashkalonin, sepse u druheshin fjalëve të Enverit. Kështu u larguan nga vendi të gjithë me radhë dhe nuk u mor asnjë vendim. U kthyem sërish në Tiranë, pa bërë asgjë. Ngeli sërish varur kjo çështje për disa vite, deri sa një ditë na vjen papritmas lajmi, se do të ndërtohej muzeu.

Nga Enver Hoxha, projekti i atij muzeu, unë e kam thënë gjithnjë që ka lindur në shtëpinë e tij. Sidoqoftë, neve na erdhi kaq papritur të gjithëve, por kuptohet askush nuk guxonte të fliste.

Çfarë kishte ndodhur papritmas?

Pranvera, e bija, studionte për Arkitekturë dhe kishte ardhur koha të mbronte diplomën. E bëri me këtë projekt.

Jo, të gjithë fëmijët e udhëheqësve, kanë qenë studentët e mi, e bija e Hysni Kapos e, me radhë, por Vera jo. Më duket kam qenë në Kinë, në vitin kur i takonte t’i jepja lëndën.

Kurt Murati, një nga punëtorët e muzeut, na ka thënë se megjithëse në letër ishte emri i Pranverës, nuk ngelën shumë gjëra nga plani. Pra, u tjetërsua. Thotë se në fakt, e keni bërë ju…?

Në Krujë kështu thonë të gjithë. Në fakt, zyrtarisht unë isha zbatuesi i projektit, pavarësisht se projekti ishte fare diletant, për ta lënë ashtu. Kur ma dhanë, unë ia thashë këtë gjë Xhemal Dymyles, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Përgjigjja e tij ishte; shih e bëj vetë, rregulloji gjërat.

Ju çfarë bëtë? E tjetërsuat?

Bëra shumë ndryshime. E para sepse zbatimi i projektit, do bërë në përputhje me terrenin, me gjetjet arkeologjike. Gjatë punimeve, mund të dalin shumë gjëra të paparashikuara, që të bëjnë të ndryshosh planet. Por, përveç tyre, bëra ndërhyrje të tjera.

Si reagoi Pranvera ndaj kësaj, puna e saj s’po bëhej ashtu siç e kishte dhënë…

Ndryshimet po bëheshin për mirë, kështu që s’kishte pse të reagonte.

Po mund të ketë ardhur rreth 5 herë, në ato 4 vite e dy muaj që u ndërtua muzeu, jo më tepër. Një herë ishte për një intervistë që ka dhënë në muze, për Alfons Gurashin. Unë nuk e kam parë kurrë atë intervistë, ama e di që është bërë. S’di pse nuk e kanë shfaqur kurrë. Nejse…!

Në fillim, kur sapo nisi puna, Pranvera ishte më duket në Francë dhe nuk erdhi, pastaj kur u kthye erdhi e pa. Ndërkaq, unë kisha bërë 2 metra mur, të cilin e prishën, sepse nuk u pëlqente. Kaq. Por në mënyrë të vazhdueshme ata i ndiqnin punimet përmes filmimeve dhe fotografive që u shkonin përherë. Ishte një person i ngarkuar enkas me këtë punë, të fotografonte e filmonte.

A patët ndonjë “konflikt” gjatë kësaj periudhe? Jo se ju mund që t’i kthenit fjalë, por pakënaqësitë duken…?!

Jo, nuk pati pakënaqësi, për fat përfundoi me sukses, përveçse u vonua ca në kohë.

A nuk ishte kjo pakënaqësi për ta?

Edhe mund të ishte, por nuk kishte alternativa të tjera. Për kohën raportohej vazhdimisht. Merrej me këtë punë Ramiz Alia, i cili kur më pyeti një herë, i thashë të vërtetën, se nuk mund ta përfundonim, siç ishte parashikuar. Pas kësaj, ai na mblodhi bashkë me Pranverën dhe ministrat. “Pse jepni informacion të gabuar? – tha”. Ndërkaq, i kishte shkuar Enverit një letër nga banorë të Fierit, për një sallë teatri, që ishte shumë e vogël. U tërhoqi vërejtje për këto dy gjëra, muzeun dhe sallën.

Përfundoi një vit e pak më vonë, sepse edhe po të arrihej si ndërtim, nuk do mund të arredohej. Dhe në fakt, edhe ashtu siç u arredua, ishin sajesa, sepse ai quhet vërtet “Muzeu i Skënderbeut”, por prej tij e kohës së tij, aty nuk ka asgjë. Sidoqoftë, pas mbledhjes u dhanë disa fonde shtesë, në mënyrë që të realizohej.

Çfarë reagimesh kishte, pasi e përfunduat punën?

Reagimet ishin të mira, muzeu u pëlqye, megjithatë qëndrimet e tyre ndaj meje, nuk di pse, qenë gjithnjë jo të mira. Mua më kishin qarkulluar në Krujë, përpara kohës së muzeut dhe, në përfundim të tij, Pranvera më kishte premtuar, se do të më transferonte në Tiranë.

Ishte premtim që ajo e bëri publikisht në sy të të gjithëve, por nuk e mbajti. Edhe Ramiz Alia, sado që i thashë disa herë, nuk e bëri. Nuk e kam kuptuar këtë reagim, megjithatë, ndaj ne “punëtorëve” që realizuam muzeun, ngeli gjithnjë një qëndrim jo fort miqësor, meqenëse ishim të gjithë si me biografi jo të mirë. Prandaj edhe vendosën të mos na përfshijnë as në fotografinë përfundimtare, që u bë pas inaugurimit. Morën pjesë në të vetëm artistët, ne jo.

Erdhi Enver Hoxha në inaugurimin e veprës së vajzës së tij?

Mbaj mend se Sulo Gradeci, erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli, me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha, nuk kishte ardhur për në inaugurimin zyrtar!

Si është e mundur, u kujdes kaq gjatë për ta realizuar?

Jo vetëm u kujdes, por faktikisht, ajo quhet vepër e Enver Hoxhës. Ne pritëm deri më datë 1 nëntor të vitit 1982, që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë, por asgjë. Nga Byroja Politike, erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë, që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete.

Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin me atentat, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë kosovare, në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të, apo jo, kjo nuk dihet!

Gur-gdhendësi Kurt Murati: “Projekti i Pranverës, i ngjante një bunkeri”

Kanë kaluar aq shumë vite, saqë Kurt Murati nga ndërtimi i Kalasë së Krujës, kujton vetëm “ngjarjet kryesore”. Ai vetë ka qenë gurgdhendës për tre vite. Do ta çonte punën deri në fund, po ta lejonin. Si çdo ndërmarrje, rrugë a shtëpi, edhe aty ishin të dërguarit e posaçëm, për të marrë e çuar zëra.

Jo se dëgjohej ndonjë gjë, kush të pipëtinte, po ngjarjet mund të krijoheshin edhe vetë. Ndër gurgdhendësit, Kurti ishte më i vjetri, përvoja e të cilit njihej jo vetëm në veprat e qytetit ku banonte. Për këtë, përveçse të skaliste gurin, shkëmbente shpesh mendime me zbatuesit e projektit. Zbatuesi nga ana e tij, marrëdhëniet i kishte me realizuesin.

Zyrtarisht, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mban firmën e arkitektes Pranvera Hoxha dhe të Pirro Vasos. Emri i këtij të fundit, nuk kishte pse të lakohej kaq shumë. Fundja, asokohe, të gjithë përmendnin vetëm Pranverën. Në fund të viteve ’70-të, e bija e Enver Hoxhës, po i dhuronte vendit një vepër të madhe. Por cila është e vërteta e këtij muzeu? Me aq sa kujton, Kurt Murati, ai që e ka bërë me dorën e tij muzeun, na tregon…:

Kush e ka bërë projektin e Muzeut të Skënderbeut nw Krujë?

Përveç rëndësisë që ka ai muze, si ndër pak më të rëndësishmit në Shqipëri, në kohën që nisi ndërtimi, u bë dyfish i rëndësishëm për shkak të emrit të arkitektes, asaj që bëri planin e parë të Muzeut, Pranvera Hoxha.

Pse planin e parë, pati të dytë?

Në letra jo, d.m.th., zyrtarisht jo, që të dihej nga të tjerët.

Çfarë duhet të dinin të tjerët?

Që pavarësisht të gjithave, vlerave të arkitektes e të tjera, atë muze e ka bërë zbatuesi i planit. Arkitekti Robert Kote, që si edhe unë ishim me “njollë” në biografi, thuajse e ka ribërë projektin e parë. Natyrisht këto gjëra nuk thuheshin lart e poshtë, askush nuk merrte vesh se ç’bëhej, por ata që kishin parë planin e parë të punës, e kishin shumë të thjeshtë më pas të bënin ndryshimin.

Ishte një projekt i ngjashëm me bunkerin, por asgjë nuk u bë nga ajo, u tjetërsua e mori pamjen që mund të shihni sot. Memorie.al

Continue Reading

DOSSIER

Gazeta amerikane: 1 milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha…

“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes. Javën e kaluar, një ministër kabineti i qeverisë thellësisht staliniste shqiptare, gjeneral-major Panajot Plaku, u arratis nga atdheu i tij, duke rendur në mes të natës nëpër shtigjet që pat mësuar së pari si partizan në Luftën e Dytë Botërore, për të kaluar në Jugosllavi. Plaku është komunisti i rangut më të rëndësishëm mes 5-6 mijë shqiptarëve, që i janë larguar errësirës së atdheut të tyre, që nga koha e luftës…”! Kjo hyrje është pjesë e një shkrimi jo të gjatë të edicionit të datës 3 qershor 1957, të revistës amerikane ‘Time Magazine’.

Arratisja e madhe kishte ndodhur në mesnatën e 15-16 majit 1957, pra rreth dy javë më parë; lajmi ishte shokues dhe efekti zgjati disa vjet, sepse megjithëse brenda një vendi të izoluar ilaçi gjendet shumë shpejt, duke e etiketuar ushtarakun e njohur si; “tradhtar, armik, agjent”, etj., etj., buja do të vazhdonte jashtë Shqipërisë, në Lindje dhe në Perëndim.

Aq sa çështja Panajot Plaku do të kthehej edhe në objekt bisede mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. nga njëra anë, dhe Nikita Sergejeviç Hrushovit. nga ana tjetër. “Pse nuk e rishikoni qëndrimin tuaj ndaj Panajot Plakut, dhe ai të kthehet në atdhe”? sugjeroi lideri sovjetik, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1959. Përgjigja nuk linte vend për ekuivoke: “Panajotin nuk kemi ndër mend ta falim. Bile po të na e sillni në Shqipëri, do ta varim në mes të Tiranës”!

Në bazë të studimit të disa dokumenteve interesante të historianit Albert Kotini, ne jemi përpjekur në këtë shkrim të rindërtojmë historinë tashmë prej kohësh të harruar të Panajot Plakut. Arratisja e ministrit shqiptar, nuk ishte e rastësishme. Nuk ishte as makinacion agjenturash, nga ato që diktatura komuniste nuk e kishte të vështirë t’i artikulonte: “Dali Ndreu e Liri Gega u kapën pa mundur të arratiseshin, ndërsa Panajot Plaku, ia doli me ndihmën e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”, siç do të thuhej shumë vite më pas.

Historia duket të jetë mjaft më e thjeshtë se kaq, atij po i rrezikohej jeta personalisht, pasi pothuajse të gjithë njerëzit e spikatur të familjes dhe farefisit, po ia eliminonin një nga një. Dhe në vendin që sipas Time-s; “një milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha”, këto fenomene nuk ishin të pazakonta. Megjithatë, e pazakontë dhe e rëndë akoma dhe për një diktaturë, ishte sjellja e regjimit ndaj Panajot Plakut dhe familjes së tij.

Në kartelën e tij personale me numër 21, jepen këto të dhëna: “Është arratisur në Jugosllavi më 15 maj 1957. Ka lindur në Hoçisht të Korçës, më 17 mars 1919. Flet dhe shkruan gjuhët rusisht, italisht dhe më pak anglisht e frëngjisht. Josif Plaku, është arrestuar, si babai i Panajotit, në vitin 1940 nga regjimi në fuqi. Ka dy vëllezër dhe dy motra, të quajtur Kalo, Koço, Theodora e Meri Plaku. Ka patur si pronë 18 ha. tokë, 2 shtëpi, 7 lopë dhe tre kuaj, të cilat ia dorëzoi të gjithë Reformës Agrare, me përjashtim të një dynymi.

Ka mbaruar shkollën fillore 1926-1931, në Hoçisht, shkollën e mesme Teknike, shkollën Unike 1934-1936, në Korçë dhe atë ‘Normale’, 1936-1941 në Elbasan. Anëtar i Partisë Komuniste që nga 21 korriku 1942, me numër tesere 012334, lëshuar nga Komiteti i Partisë së Tiranës. I pa përjashtuar nga partia. Është arrestuar më 12 prill 1942 nga fashistët italianë, për pjesëmarrje në demonstratë dhe është mbajtur në burg 3 muaj. Pas lufte, ka qenë me delegacione në Itali dhe në Bashkimin Sovjetik. Të gjithë pjesëtarët e familjes dhe gruaja, Vjollca, kanë qenë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste. Në 28 nëntor 1944 gradohet nën/kolonel”.

Në karakteristikën e punës, firmosur nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, renditen të gjitha të dhënat e tjera, që nga gradimi i parë pas lufte, si kolonel, më 1 korrik 1951, detyrat në luftë si partizan i thjeshtë në çetën e Devollit, deri në zv/komisar i Brigadës së Parë. Nuk harrohet të përmendet fakti që Panajoti, kishte një xhaxha në Amerikë, Vangjelin, një intelektual me dy doktoratura. Kthehet pas studimeve 1948-‘50 në Akademinë Ushtarake sovjetike “Voroshillov”, si komandant divizioni.

Ajo çka binte në sy tek Panajot Plaku, përveç talentit dhe inteligjencës që shquante tek gjithë fisi e tij, ishte shpirti i lirë, thënia e mendimit troç edhe kur binte ndesh me eprorët, çka në zhargonin zyrtar, do të përkthehej: “Nuk është i disiplinuar në shkallën që duhet të jetë një komandant divizioni, dhe me shumë zor i zbaton urdhrat, e çmon shumë veten. Do kontroll të fortë dhe seriozitet nga lart”.

Dhe ai që nuk kishte bërë asnjë autokritikë deri në vitin 1950, detyrohet ta bëjë këtë pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, “para shokëve gjeneralë; Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Bedri Spahiu dhe Teodor Heba”. Por çfarë ndodhi në jetën e Panajot Plakut, derisa ai vendosi “të tradhtojë”?

Vëllai i Panajotit, Jorgo Plaku, ishte shpallur dëshmor, pasi u vra më 7 janar 1944, sipas deklaratave zyrtare, “në përpjekje me armiqtë”, por në fakt u qëllua nga pas, ndërsa ishte duke ecur në kolonë me shokët pranë Voskopojës, dhe kur “armiq” nuk kishte asgjëkund. Megjithëse dëshmitarët kishin heshtur që prej asaj kohe, familjarët patën gjithmonë dyshime. Radha do t’i vinte më pas vëllait tjetër të Panajotit, Kalo Plaku, dy vjet më i ri.
Komisar batalioni në kohën e luftës, Kalo emërohet në vitin 1945 në Berat, si oficer i Ministrisë së Brendshme.

Duke parë torturat dhe bastisjet që u bëheshin familjeve të tëra nga regjimi i sapo-instaluar, ai neveritet dhe kërkon të lirohet nga uniforma. Kalon në bujqësi dhe në vitin 1952 emërohet drejtor i fermës së Sukthit. Menjëherë pas tij, emërohen në poste drejtuese të fermës edhe dy ish punonjës të Sigurimit, të cilët do t’i viheshin pas për katër vjet me radhë.

Në 12 qershor 1956, Kalo Plaku niset herët në mëngjes për punë, sepse fillonte fushata e korrjeve. Në mbrëmje, shoferi i tij i ri (i ardhur një vit më parë, dhe më pas me karrierë shoferistike në Komitetin Qendror të PPSh-së dhe nëpër ambasada), e lajmëron se makina ishte prishur. Kalo fle ku e zë nata dhe të nesërmen në mëngjes, pi një gotë dhallë që do të ishte e fundit. Nxjerr shkumë nga goja dhe vdes në moshën 35 vjeçare, “sepse iu zmadhua zemra”!

Sapo trupi i të vëllait mbërrin në shtëpi, Panajoti i nxjerr të gjithë përjashta, merr kufomën dhe e çon në Tiranë, për autopsi. I kërkon Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, t’i bënte autopsinë, dhe përgjigja ishte; “Zmadhimi i zemrës shkaktoi vdekjen”. Por në autopsi, mori pjesë edhe një mjeke sovjetike. Konstatimi i saj? Ndryshonte rendi i lidhjes shkak-pasojë: “Ishte vdekja ajo që solli zmadhimin e zemrës”. Panajoti kërkoi përgjigje të tjera nga Hungaria, por ato nuk erdhën kurrë.

Në shtëpinë e ministrit pa portofol, vijnë për ngushëllim gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me Enverin në krye. Kur Panajoti ia përsërit udhëheqësit konkluzionin e mjekes sovjetike, duke i kërkuar në sy një analizë tjetër për të vëllanë, ky nxihet dhe hesht. Aq më tepër që pak kohë më parë, (siç ka deklaruar pas viteve ‘90-të, ish titullari i lartë i viteve të para pas çlirimit, Nexhmi Ballka), kishte patur një debat me Panajotin, pasi ky i fundit nuk ishte aspak dakord, që Rita Marko të hynte në Byronë Politike.

Panajot Plaku po vërente se po ia vrisnin, degradonin apo përjashtonin nga partia, për një arsye apo një tjetër, gjithë familjarët dhe fisin që kishte nxjerrë vetëm partizanë dhe më vonë plot 28 komunistë idealistë dhe individë të talentuar. Në të njëjtën kohë, atë e kishin promovuar në ministër, çka mendja e tij e stërvitur, e përktheu menjëherë si rrahje e shpatullave, para prerjes së kokës. Ndaj konkludoi se kishte ardhur radha e tij. Vendosi të arratisej. Urdhëron shoferin të bëjë gati makinën, se do të shkojnë në Pogradec, për punë. Në Qafë Thanë, zbret pak për “t’u çmpirë”, merr një monopat dhe nuk kthehet më.

“Ika nga Shqipëria se Enver Hoxha më helmoi vëllanë”. Lajmi i dhënë nga agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, mori dhenë. Pas tronditjes fillestare, Tirana merr menjëherë kundërmasat dhe në shtypin zyrtar, botohet një artikull ku nëna e “tradhtarit”, Kostandina Plaku, mallkon qumështin që i ka dhënë të birit. Por ç’kishte ndodhur në të vërtetë?

Sipas rrëfimeve në vitet e para ‘90-të të Pandora Plakut, gruas së Kalos së helmuar, vëllai i vogël i Panajotit dhe gjeologu i talentuar Koço Plaku, mori një ftesë të çuditshme: “Frrok Pjetër Gega, i sapozgjedhur në Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe komshiu përballë shtëpisë sonë, kishte thirrur Koçon në shtëpinë e tij dhe pas 3-4 orë bisedimesh midis tyre, Koço vjen me tekstin e artikullit në dorë.

I bërë meit në fytyrë, me zë të dredhur, ia jep të ëmës letrën në dorë dhe i thotë: “Firmose, po na deshe edhe neve të tjerëve”. Kuptohet që tekstin Frrokut, ia kishin dhënë gati, sepse niveli i tij prej punëtori, nuk e bënte dot edhe pse më vonë u bë Zv/ministri i Punëve të Brendshme. Kostandina Plaku firmosi tekstin e gatshëm, ku mallkonte të birin; “Harram qumështin e nënës”.

Dhe ‘mjeshtëria’ e Sigurimit, nuk kishte fund. Për të neutralizuar çdo deklaratë të Panajotit të arratisur, Pandora vijon të figurojë komuniste, për të ruajtur versionin zyrtar, se i shoqi “vdiq në krye të detyrës”. Fëmijëve të Kalos, u jepet shkolla e lartë, paçka se natën.

Panajot Plaku ndihet gjysmë i burgosur në Jugosllavi. Ai flet kundër regjimit, në të cilin më parë ishte hierark i lartë, në intervista të ndryshme, ndërkohë që i dërgoi Hrushovit një letër të gjatë, ku rendit të gjitha stalinizmat e liderit shqiptar, Enver Hoxha. Kërkon të shkojë në Bashkimin Sovjetik, por Tito nuk e lë të ikë. Gjatë kësaj kohe, nuk kishte rast më të mirë për Tiranën zyrtare, për ta përfshirë Panajot Plakun, në grupin agjenturor dhe regjim-përmbysës të radhës, e në këtë mënyrë ta pajisnin edhe atë me një dosje, për t’u pasur zili: Ishte “zbuluar” banda e Teme Sejkos, me kompani!

Gazeta “Bashkimi”, e numrave të majit 1961, është e mbushur me deklaratat në gjyq të “komplotistëve”, që kishin synuar përmbysjen e diktaturës me ndihmën e të gjithëve: Rusë, grekë, jugosllavë, amerikanë e anglezë. Kolektivat punonjës dërgojnë letra falënderimi për Partinë, që zbuloi këtë grup të rrezikshëm: nga Uzina “Enver”, nga kooperativa “Stalin” e Krutjes, nga ajo “Mao Ce Dun” e Divjakës, e deri nga kooperativa e Konispolit, për të dhënë përshtypjen se; çamët e dënojnë tradhtinë e Teme Sejkos dhe se ai meriton plumbin ballit.

Po Panajot Plaku? Ai kishte qenë ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes, për të cilën paskëshin financuar mbi 20 organizata ndërkombëtare spiunazhi, dhe nëse në përfundim të farsës gjyqësore, Aranit Çela kërkoi dënim me vdekje për Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Hajri Manen, etj. Panajot Plaku, me këto akuza që u dhanë në pretencën e prokurorit, do të mund “të varej prej gjuhe”. Sigurisht, asnjë krim, asnjë spiunazh nuk u faktua, përveç deklaratave të dëshmitarëve të rremë dhe rrëfimeve të nxjerra prej të pandehurve të shqepur në dru.

Në korrik 1966, Panajot Plaku vdes papritur në Beograd, në moshën 47 vjeçare, nga zemra. Sërish “zemra”, në fisin Plaku. Shumë interesante kjo copëz e artikullit të “Zërit të Popullit”, të datës 19 korrik 1966: “Do të vijë me siguri dita, kur edhe gjithë armiqtë e popullit shqiptar, që janë grumbulluar në Jugosllavi, të japin llogari për veprën e tyre tradhtare. Fati i tyre, nuk do të jetë më i mirë nga ai i tradhtarit Panajot Plaku, i cili vdiq (ose u vra nga padronët e tij, si limon i shtrydhur), si spiun, si provokator…”!

Pse do ta vrisnin jugosllavët Plakun, tashmë profesor në universitetin e Beogradit?! Cilin profesionist në “zmadhimet e zemrës”, ngarkoi me këtë detyrë Sigurimi Shqiptar?! Kjo ndoshta pak rëndësi ka sot. Ajo që vlen më tepër, është të theksojmë se çuditërisht, pas kaq dekadash, mbi këto “grupime armiqësore” dhe “tradhtar”, si Panajot Plaku, ende rëndon damka e vjetër për të cilën shumë pak përpjekje janë bërë për ta hequr. Të gjithë shokët e shkollës dhe të luftës të Panajot Plakut, si; Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, pas viteve ‘90-të, kanë folur me respekt për kapacitetin e tij, si më i shkolluari, më cilësori, kurajozi dhe njeri me karakter…!

Sa për sagën e familjes Plaku, e ëma e Panajot Plakut, Kostandina, për fatin e saj, vdiq në vitin 1970, duke mos mbetur gjallë për të parë fundin e “të fundmëve të familjes Plaku”. Dhe ishte radha e shkencëtarit të gjeologjisë, kryeinxhinierit Koço Plaku, i cili kishte mbetur gjallë deri atëherë, vetëm për hir të gjenisë së tij profesionale. E radhisin në “grupin e sabotatorëve të naftës”; kishin filluar spastrimet e 1974-ës.

Ndër krimet e tij më të rënda, seria e plotë e veprave të Dostojevskit, çka mjaftonte për ta pushkatuar. Lipe Nashi, që i shpëtoi pushkatimit, ka treguar më pas se; “Në gjyq, vetëm Koço Plaku, nuk ka treguar falje, ndërsa ne të tjerët po”. Koço e kish të qartë: “Enver Hoxha më ka vrarë vëllezërit. Nuk do të kërkoj falje dhe këtë e di ai, siç di që do të më vrasë edhe mua”.

Hyn edhe një herë në lojë makiavelizmi i Sigurimit të Shtetit me tredhjen shpirtërore të njerëzve: Koço ka shkuar me të shumtët, por vëllai i gruas së tij, mbetet anëtar partie. Nga ana tjetër, i biri i të helmuarit Kalo Plaku, Jorgo, sapo mori diplomën e inxhinierit, caktohet të punojë në veprën gjigante të Fierzës, ku shkëlqen.

Në 9 dhjetor 1980, familja e tij njoftohet për rrëzimin e një mikrobusi në lumin Drin, ku gjeti vdekjen dhe inxhinieri Jorgo Plaku, me diagnozën zyrtare; “Asfiksi nga mbytja”. Familjarët kërkuan hapjen e arkivolit ato dhjetë minuta që i lanë ta qanin viktimën në shtëpi. Dhe panë se pjesa e pasme e kokës së viktimës, ishte e çarë. Me goditje./ Memorie.al

Shkruar nga Alqi Koçiku

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING