Politike
Rreziku nga zjarret, Skënder Hita: Ata që i ndezin do të përballen me drejtësinë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha se uniformat blu kanë nisur më herët marrjen e masave për parandalimin e zjarreve që mund të prekin vendin, ndërsa temperaturat vijojnë që të rriten.
Teksa mori pjesë në aktivitetin për “Prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, rritjen e gatishmërisë së strukturave shtetërore dhe koordinimin në terren për çdo emergjencë”, kryepolici theksoi se rëndësinë e reagimit në kohë, duke theksuar se është çelësi i parandalimit dhe neutralizimit të zjarrit si dhe garancia për të shpëtuar jetët në rrezik.
“Ndaj, Policia e Shtetit e konsideron bashkëpunimin me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Urgjencën Kombëtare, të domosdoshëm për garantimin e jetës dhe pronës së qytetarëve, nga fatkeqësitë, dhe për përballimin e emergjencave. Ne do të vijojmë të forcojmë këtë bashkëpunim, duke ndarë përgjegjësi, kapacitete dhe angazhim të përbashkët në shërbim të qytetarëve.”, tha ai.
Ai paralajmëroi edhe ata që i ndezin dhe vënë në rrezik jetët dhe pronat e qytetarëve, me ose pa dashje, do të dërgohen para drejtësisë.
“Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor. Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.”, shtoi ai.
Kam kënaqësinë të jem sot mes jush, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për një nga shërbimet e rëndësishme dhe të sakrificës në vendin tonë.
Puna juaj nuk është thjesht një detyrë. Ashtu si misioni i Policisë së Shtetit, dhe misioni juaj është në shërbim të jetës dhe pronës së qytetarëve.
Në çdo rast emergjence, në çdo vatër zjarri, në çdo situatë rreziku për jetën dhe pronën e qytetarëve, ju keni qenë në vijën e parë, me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim.
Ngjarjet e fundit treguan dhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe koordinimit mes shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor, për të bërë të mundur reagimin e shpejtë, evakuimin në kohë të banorëve dhe minimizimin e pasojave.
Çdo sekondë është e vlefshme ndaj reagimi në kohë, është çelësi i parandalimit dhe neutralizimit të zjarrit, dhe garancia për të shpëtuar jetët në rrezik.
Ndaj, Policia e Shtetit e konsideron bashkëpunimin me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Urgjencën Kombëtare, të domosdoshëm për garantimin e jetës dhe pronës së qytetarëve, nga fatkeqësitë, dhe për përballimin e emergjencave.
Ne do të vijojmë të forcojmë këtë bashkëpunim, duke ndarë përgjegjësi, kapacitete dhe angazhim të përbashkët në shërbim të qytetarëve.
Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor.
Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Në përfundim dua të shpreh vlerësim për çdo efektiv zjarrfikës që shpesh në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real, vijon të kryejë detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë, bashkërisht me punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ky është misioni ynë fisnik, t’iu shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar dhe jetët tona.
Ju falënderoj për punën, sakrificën dhe kontributin tuaj.