Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SAZANI, ISHULLI I MILIONAVE/ RAMA: 100 JAHTE MUND TË SJELLIN MË SHUMË SE 10 MIJË TURISTË

Shqipëria nuk duhet ta masë më suksesin e turizmit vetëm me numrin e turistëve që hyjnë në vend. Kjo është strategjia që qeveria synon të ndjekë gjatë dekadës së ardhshme, me fokus te vizitorët me fuqi të lartë shpenzuese dhe investimet turistike të kategorisë së lartë.

Rama e cilësoi këtë model si “turizëm të vlerës”. Sipas tij, masiviteti i turistëve me buxhete të kufizuara mund të krijojë presion mbi trafikun, shërbimet publike dhe menaxhimin e mbetjeve, pa sjellë të njëjtin përfitim ekonomik.

Për të ilustruar këtë qasje, Rama iu referua jahteve, duke argumentuar se një numër i kufizuar vizitorësh me fuqi të lartë shpenzuese mund të gjenerojë më shumë të ardhura sesa mijëra turistë me buxhet të ulët.

Në këtë strategji, kryeministri vendosi edhe projektet e Sazanit dhe Zvërnecit, për të cilat tha se janë dy investime të ndryshme, edhe pse pas tyre qëndrojnë të njëjtët investitorë.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha se qeveria është ende në pritje të një projekt-propozimi të ri, ndërsa negociatat vijojnë. Sipas tij, variantet e mëparshme nuk janë pranuar.

Në qendër të debatit mbetet Sazani. Ishulli ka një sipërfaqe prej rreth 560 hektarësh, ndërsa sipas kufizimeve të vendosura nga qeveria, ndërtimi do të lejohet vetëm në rreth 8 për qind të territorit, ose afërsisht 45 hektarë.

Rama kundërshtoi pretendimet se i gjithë ishulli do të kthehet në kantier ndërtimi, ndërsa mohoi edhe informacionet për ndërtimin e 10 mijë dhomave.

Ai tha gjithashtu se nuk ka diskutuar me Donald Trump për investimin në Sazan dhe se përpjekjet për zhvillimin turistik të ishullit kanë nisur prej vitesh, edhe nga qeveritë e mëparshme.

Sipas kryeministrit, Sazani sot përballet me mungesë të rregullt të ujit dhe energjisë elektrike, ndërsa në territor ka ende zona të minuara.

Plani që po negociohet synon ta kthejë ishullin në një destinacion turistik të kategorisë së lartë, me vila, struktura hoteliere dhe hapësira për shëndet, mirëqenie dhe aktivitete të tjera.

Rama përmendi edhe marka ndërkombëtare si Cheval Blanc dhe Atlantis, duke deklaruar se kjo e fundit do të vinte për herë të parë në Europë.

Megjithatë, projekti nuk është ende përfundimtar. Negociatat vijojnë dhe sipërfaqja që do të zhvillohet, struktura e investimit dhe detajet e tjera do të përcaktohen nga marrëveshja finale.

Qeveria synon kështu një model turizmi të bazuar më shumë te cilësia dhe vlera ekonomike sesa te numri i turistëve. Ndërkohë, Sazani dhe Zvërneci mbeten në qendër të debatit për mënyrën se si do të zhvillohet territori shqiptar në vitet e ardhshme.

Advertisement