Kosova
Serbia akuzon Kurtin për hakmarrje politike në veri pas dështimit në zgjedhjet e 12 tetorit
E ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se në aksionin policor në Zveçan dhe Zubin Potok – dy nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – janë arrestuar shtatë serbë, ndonëse autoritetet në Kosovë – deri më tani – ende nuk kanë njoftuar për të arrestuar.
Nga kjo zyrë kanë deklaruar se operacioni policor, i cili ka nisur në orët e hershme të së dielës nën dyshimin e rrezikimit të personelit të Kombeve të Bashkuara, vrasjes së rëndë dhe sulmit ndaj personit zyrtar, synon “frikësimin dhe krijimin e trazirave në mesin e familjeve serbe” që, sipas tyre, jetojnë prej dekadash në veri të Kosovës.
“Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurti kundër serbëve në veri të Kosovës për shkak të fitores së serbëve në zgjedhjet e fundit [lokale], por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, të cilin Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, thuhet në reagim.
Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë bastisur nëntë lokacione në veriun e territorit kosovar nën dyshimet për krime të rënda – shtatë bastisje janë kryer në Zubin Potok dhe dy në Zveçan – ndërsa Serbia vazhdon narrativën e saj të njohur – viktimizimin e serbëve lokalë dhe portretizimin e çdo veprimi ligjor si “hakmarrje” të Prishtinës.