Bota
SHBA dhe Irani mund të rinisin sulmet, Trump takon gjeneralët
Megjithë kontaktet e ndërmjetësuara, SHBA dhe Irani po bëhen gati për rifillimin e luftës, edhe pse është në fuqi një armëpushim pa afat.
Donald Trump u njoh dje në një takim të mbyllur nga krerët e ushtrisë me plane mbi rifillimin e mundshëm të sulmeve. Mediat amerikane konfirmojnë takimin dhe thonë se edhe Irani po bën një rigrumbullim të kapacitetit të tij militar. Irani thotë se do të marrë kohë deri sa negociatat të japin rezultat. Presidenti amerikan thotë se ecuria e bisedimeve njihet vetëm nga ai dhe pak njerëz të tjerë.
Shefi i Centcom-it (Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane), Brad Cooper, dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, e kanë informuar gjatë natës presidentin Donald Trump mbi planet për sulme të mundshme ndaj Iranit. Këtë e raporton Axios, duke cituar dy zyrtarë, sipas të cilëve informimi i djeshëm ka zgjatur 45 minuta. Ky briefing tregon se Trump po shqyrton seriozisht mundësinë e rifillimit të operacioneve të rëndësishme luftarake, si për të zhbllokuar situatën në negociata, ashtu edhe për të dhënë goditjen përfundimtare para se të përfundojë lufta. Sipas Axios, Centcom ka përgatitur një plan për një seri sulmesh “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj Iranit, të cilat me shumë gjasë do të përfshijnë objektiva infrastrukturore, me shpresën për të zhbllokuar ngërçin në negociata.
Ndërkohë edhe Irani në anën tjetër është vënë në lëvizje. Teherani po shfrytëzon armëpushimin për të nxjerrë armët e tij. Sipas NBC News, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy burime të tjera të njohura me çështjen, regjimi ka intensifikuar operacionet e gërmimit për të rikuperuar raketa dhe municione të tjera të fshehura nëntokë ose të varrosura nën rrënojat e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite. Shtetet e Bashkuara besojnë se regjimi dëshiron të rindërtojë shpejt kapacitetet e tij për përdorimin e dronëve dhe raketave, për të qenë në gjendje të kryejë sulme në të gjithë Lindjen e Mesme, nëse presidenti Donald Trump vendos të rifillojë operacionet ushtarake.
Trump ka thënë ditët e fundit se negociatat tani po zhvillohen në telefon. Të entjen ai u tha gazetarëve se ecuria e tyre dihet vetëm nga ai vetë dhe pak njerëz pranë tij. Ndër të tjera Trump këmbënguli se Teherani, dëshiron shumë një marrëveshje.
Megjithatë negociatat do të marrin kohë sidomos për të prodhuar një rezultat. Agjencia iraniane IRNA raportoi këtë të premte duke cituar një zëdhënës të ministrisë së jashtme iraniane se është jorealiste të priten rezultate të shpejta nga bisedimet me Shtetet e Bashkuara.