Connect with us

Bota

SHBA planifikon të rikthehet në UNESCO, do të paguajë…

Agjencia kulturore dhe shkencore e OKB-së, UNESCO, njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rikthehen në këtë agjenci dhe të paguajnë më shumë se 600 milionë dollarë detyrime të prapambetura pas një mosmarrëveshjeje dhjetëvjeçare të shkaktuar nga masa e organizatës për të përfshirë Palestinën si anëtare.

Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi për t’u kthyer ishte i motivuar nga shqetësimi se Kina po plotëson boshllëkun e lënë nga SHBA në politikëbërjen e UNESCO-s, veçanërisht në vendosjen e standardeve për inteligjencën artificiale dhe edukimin teknologjik në mbarë botën. Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i dërgoi një letër javën e kaluar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Audrey Azoulay, duke zyrtarizuar planin për t’u ribashkuar. Duartrokitjet shpërthyen në auditorin solemn të UNESCO-s teksa Azoulay u njoftoi planin ambasadorëve në një takim të posaçëm të hënën, dhe delegat u ngritën për të mirëpritur lajmin. Kthimi i SHBA-së, dikur financuesi më i madh i agjencisë, pritet të përballet me një votim nga 193 shtetet e saj anëtare muajin e ardhshëm, sipas një diplomati të UNESCO-s.

Vendimi është një nxitje e madhe financiare për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e njohur për programin e saj të Trashëgimisë Botërore, si dhe për projektet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për t’i mësuar vajzat shkrim-lexim. SHBA dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pasi ajo votoi për përfshirjen e Palestinës si shtet anëtar në 2011, dhe të dy vendet humbën të drejtat e tyre të votës në 2013. Administrata Trump vendosi në vitin 2017 të tërhiqej krejtësisht nga agjencia.

Në letrën e tij javën e kaluar, Verma vuri në dukje përpjekjet e UNESCO-s drejt reformës së menaxhimit dhe “uljes së debatit të politizuar, veçanërisht për çështjet e Lindjes së Mesme”.

Që nga zgjedhja e saj në 2017, Azoulay ka punuar për të adresuar arsyet e largimit të SHBA-së, përmes reformave buxhetore dhe ndërtimit të konsensusit midis diplomatëve jordanezë, palestinezë dhe izraelitë rreth rezolutave të ndjeshme të UNESCO-s. Vendimi i SHBA-së për t’u rikthyer “është rezultat i pesë viteve të punës, gjatë së cilës ne qetësuam tensionet, veçanërisht në Lindjen e Mesme, përmirësuam përgjigjen tonë ndaj sfidave bashkëkohore, rifilluam nismat kryesore në terren dhe modernizuam funksionimin e organizatës”, tha Azoulay për Associated Press.

Sipas planit, qeveria amerikane do të paguajë detyrimet e saj për vitin 2023 plus 10 milionë dollarë kontribute bonus këtë vit të destinuara për edukimin e Holokaustit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ukrainë, sigurinë e gazetarëve dhe edukimin shkencor dhe teknologjik në Afrikë, thuhet në letrën e shkruar nga Richard Verma. Administrata Biden ka kërkuar tashmë 150 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2024 për të paguar detyrimet e prapambetura të UNESCO-s. Plani parashikon kërkesa të ngjashme për vitet në vijim derisa të shlyhet borxhi i plotë prej 619 milionë dollarësh.

Kjo përbën një pjesë të madhe të buxhetit operativ vjetor prej 534 milionë dollarësh të UNESCO-s. Përpara largimit, SHBA-ja kontribuoi me 22% të financimit të përgjithshëm të agjencisë. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën edhe më parë nga UNESCO nën administrimin e presidentit Regan në vitin 1984 sepse e shihnin agjencinë si të keqmenaxhuar, të korruptuar dhe të përdorur për të çuar përpara interesat sovjetike. SHBA iu ribashkua organizatës në vitin 2003.

Marrë nga REL

Bota

Kremlini paralajmëron: Nëse Perëndimi përfshihet drejtpërdrejt në konfliktin me Ukrainën…

Kremlini i karakterizoi si “të rrezikshme” komentet e Sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron dhe presidentit francez Emmanuel Macron, që sinjalizonin përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të tyre në operacionet e Ukrainës në territorin e pushtuar nga Rusia.

“Ky është një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve rreth konfliktit të Ukrainës, i cili potencialisht mund të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane”, tha të premten në një konferencë shtypi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Këtu ne shohim një prirje kaq të rrezikshme të përshkallëzimit të tensioneve në deklaratat zyrtare. Kjo është një arsye për shqetësimin tonë”, tha ai.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha: “Kjo është hera e parë që një politikan perëndimor e ka pranuar kaq sinqerisht atë që ka qenë prej kohësh një sekret i njohur për shumicën e vendeve të botës: se Perëndimi po kryen një luftë të fshehtë kundër Rusisë me duart e ukrainasve”.

 

 

Rusia, shtoi ajo, do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike.

Gjatë një vizite në Kiev, David Cameron i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukraina ka të drejtë të sulmojë në vetëmbrojtje. “Ashtu si Rusia po godet brenda Ukrainës, ju mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina është detyruar të marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur”, tha ai.

David Cameron premtoi 3.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, duke shtuar të enjten se Londra nuk kishte asnjë kundërshtim ndaj përdorimit të armëve të saj për sulme brenda Rusisë.
Në një intervistë të veçantë të enjten, presidenti francez Macron ritheksoi pikëpamjen e tij se ai nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, një veprim që Rusia tha se do të çonte në një përshkallëzim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm të tensioneve rreth konfliktit në Ukrainë.

Zëdhënësja Zakharova tha se Rusia është e gatshme të marrë në konsideratë propozimet “serioze” të paqes nga Ukraina, bazuar në ato që ajo i quajti “realitetet” ekzistuese dhe shqetësimet e sigurisë së Moskës, përfshirë zotimin që Ukraina të mbetet ushtarakisht neutrale në të ardhmen.

Kushtet e Moskës janë identike me ato që Ukraina tashmë i ka refuzuar disa herë.

Rusia gjithashtu paralajmëroi të premten se do të përgjigjej me “sulme hakmarrëse shkatërruese” nëse Ukraina godet Krimenë ose Urën e Krimesë, që lidh Rusinë jugore me gadishullin e Detit të Zi.

“Ura e Krimesë është sërish në pikëpyetje”, tha Zakharova në konferencë. “Përgatitjet për një sulm ndaj saj, gjë që është e vështirë të besohet, tani po bëhen hapur, me guxim dhe me mbështetjen absolute të drejtpërdrejtë dhe të paturpshme të Perëndimit”.

Moska tha se besonte se Ukraina, e cila së fundmi është furnizuar me sistemin e raketave me rreze të gjatë veprimi “MGM-140” nga Shtetet e Bashkuara, po planifikonte të sulmonte urën përpara ose më 9 maj, që përkon me përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë naziste nga Rusia në Luftën e Dytë Botërore.

Flota ruse e Detit të Zi, e cila është sulmuar vazhdimisht nga Ukraina, është e stacionuar në Krime.

Kievi ka thënë se e konsideron të paligjshëm ndërtimin e urës rrugore dhe hekurudhore, e cila është përdorur në të kaluarën për të lëvizur trupat ruse dhe armatimin, që përdoret kundër Ukrainës. Kievi kërkon kthimin e Krimesë nën autoritetin e Ukrainës. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Një raketë ruse goditi rajonin qendror të Ukrainës, Kirovohrad të premten, duke plagosur një civil dhe duke dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturën civile, tha një zyrtar lokal në rrjetin social Telegram.

Infrastruktura energjetike e Ukrainës ka qenë në shënjestër të sulmeve të intensifikuara të Rusisë në muajt e fundit. Ushtria ruse e ka goditur rrjetin energjetik të Ukrainës me raketa dhe dronë, ndërsa Kievi po përballet me një mungesë serioze të armëve të mbrojtjes ajrore.

Dy persona u vranë të premten në një sulm rus në qytetin e Kurakhovës, që ndodhet në rajonin lindor të Donetskut, ku po zhvillohen luftime të ashpra midis forcave ukrainase dhe atyre ruse./VOA

Continue Reading

Bota

Kremlini i quan “përshkallëzuese” komentet e Cameronit për armët britanike në Ukrainë

Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.

Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.

Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.

“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.

“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.

Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo.

Continue Reading

Bota

Drejtori i CIA-s në Kajro, takime për konfliktin në Gaza

Drejtori i CIA-s, William Burns, mbërriti në kryeqytetin egjiptian Kajro të premten për takime rreth konfliktit në Gaza, tha një burim egjiptian i sigurisë dhe tre burime në aeroportin e Kajros.

Egjipti, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr përpjekjet për të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Hamasit për të ndërmjetësuar një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

CIA nuk pranoi të komentonte, duke reflektuar politikën e saj për të mos zbuluar udhëtimin e drejtorit.

Egjipti bëri një shtytje të përtërirë për të ringjallur negociatat në fund të muajit të kaluar. Kajro është alarmuar nga perspektiva e një operacioni tokësor izraelit kundër Hamasit në Rafah në Gazën jugore, ku më shumë se një milion njerëz janë strehuar pranë kufirit me Gadishullin Sinai të Egjiptit.

 

 

Ndërmjetësuesit thonë se kanë pritur që Hamasi të japë përgjigjen e tij mbi versionin më të fundit të një propozimi për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza.

Continue Reading

Bota

Non-grata në krye/ Borrell habit me deklaratën: Mezi pret të punojë me Qeverinë e re serbe

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë, por shtoi se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në bllok.

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.

Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën.

Borrell theksoi se “rreshtimi përkrah dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë, janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”.

Së fundi, BE-ja edhe zyrtarisht e ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçeviq tha një ditë para se të votohej Qeveria e tij se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Vuçeviq, do të ketë një kabinet që do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Pjesë e tij si zëvendëskryeministër do të jetë edhe ish-kreu i shërbimit inteligjent të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej korrikut 2023 – mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, do të jetë edhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol.

Ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është i zhgënjyer me propozimet për Qeverinë e re të Serbisë./REL

Continue Reading

Bota

Çnjerëzore/19-vjeçarja lind foshnjen në tualetin e konviktit dhe e hedh në kosh

Një studente 19-vjeçe në Universitetin e Tampas lindi foshnjen e saj në tualetet e konviktit dhe më pas e dhe më pas e braktisi duke e lën në koshat e mbeturinave. Gjithashtu autoritetet kanë identifikuar 19-vjeçaren. Më pas e reja ka thënë se nuk e dinte se ishte shtatzënë dhe se pasi e kishte lindur fëmijën, kishte kuptuar se nuk kishte puls. Ndërkohë 19-vjeçarja deklaroi se foshnja në sekondat e parë të lindjes ka qarë, por më pas, pasi e ka mbështetur në gjoks, ka pushuar.

Po ashtu ajo tha se e ka larë dhe e ka mbledhur me një peshqir, duke e lënë në tokë, ndërsa ka fjetur për rreth një orë. Por e reja tha se pasi është zgjuar vajza nuk kishte më puls dhe më pas ajo e ka hedhur në kosh. Megjithatë Hetuesit po punojnë për të zbardhur shkakun e vdekjes së foshnjes dhe fazën e saj zhvillimore.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING