Rezoluta për Srebrenicën, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në atë zonë gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi, pritet të jetë temë debati dhe votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Periudha në prag të debatit u përshkua me këshillime në selinë e Kombeve të Bashkuara, lobim aktiv nga mbështetësit dhe kundërshtarët e Rezolutës, si dhe deklarata të mprehta nga kritikët e udhëhequr nga rusët, përfaqësuesit e Serbisë dhe të Republikës Serbe të Bosnjës.

Deri në votim, shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme kanë mundësinë të paraqesin amendamente në tekstin e propozuar, që u hartua nga Gjermania dhe Ruanda. Udhëheqja e organizatës e ka bërë të qartë qëndrimin rreth kësaj çështjeje.

“Fakti që është kryer gjenocid në Srebrenicë, është konfirmuar nga gjykata. Sa herë që më pyesin nëse është vërtetuar, përgjigjem se po. Pra, këto fakte, për ne, nuk kanë ndryshuar. Shtetet anëtare do deklarohen për këtë sipas pikëpamjeve të tyre”, tha Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.

Mundësia e miratimit të një rezolute me të cilën vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara do të konfirmonin se në zonën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 është kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, alarmoi një pjesë të opinionit ballkanik dhe nxiti reagimin e ashpër të zyrtarëve të Serbisë dhe Republikës Serbe. Ajo gjithashtu hasi në kundërshtim të fortë nga Rusia, një vend me të cilin Serbia dhe Republika Serbe mbajnë lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake. Ekspertët e shohin përpjekjen për të debatuar dhe votuar për projektrezolutën si një lëvizje simbolike, pa asnjë pasojë negative, veçanërisht pasi ajo mbështetet në fakte të konfirmuara prej kohësh në lidhje me ngjarjet e korrikut të vitit 1995.

“Aktorëve u takon ta vendosin në një kuadër që u përshtatet interesave të tyre. Unë e shoh atë si një hap drejt pajtimit, sepse do të nënkuptonte një pranim simbolik që ngjarjet në Srebrenicë paraqesin gjenocid, i cili ishte subjekt i disa vendimeve nga gjykatat ndërkombëtare. Është e qartë se disa politikanë po përpiqen ta përdorin këtë moment si një mjet për të përshkallëzuar tensionet. Megjithatë, është përgjegjësi e rezolutës apo e politikanëve…. Nuk do të pajtohesha që vetë rezoluta të nxisë tensione”, tha për Zërin e Amerikës David Simon, drejtor i Programit të Studimeve mbi Gjenocidin në Universitetin Yale.

Dhjetëra vende të botës kanë vendosur ta mbështesin ose bashkë sponsorizojnë projekt-rezolutën, përfshirë Shtetet e Bashkuara. “(Projektrezoluta) kujton një fakt historik në një kohë kur gjenocidi mohohet gjithnjë e më shumë në rajon dhe kriminelët e luftës madhërohen. Bashkë sponsorët e saj besojnë se ka ardhur një moment i rëndësishëm për të përkujtuar atë ngjarje historike në një masë më të madhe. Vërtet nuk duhet të jetë sfidë, sepse nuk veçon asnjë vend apo popull, përveç kriminelëve që e kanë kryer atë vepër”, është pikëpamja e zotit Gabriel Escobar, Zv/Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, Rusia kundërshton me forcë projektrezolutën, duke kërkuar tërheqjen e saj. Në Nju Jork, në bashkërendim me Serbinë, ajo loboi në mënyrë aktive për këtë. “Ajo nuk mund të sigurojë pajtimin kombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, por vetëm mund të shtojë mosmarrëveshjet në atë vend dhe në Ballkan në tërësi. Dokumenti bart një akuzë kundër serbe, e cila është e qartë. Rezoluta nuk e akuzon drejtpërdrejt popullin serb, por u referohet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, si dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Srebrenicën, që vështirë se mund të quhet i drejtë në raport me serbët”. tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Në fillim të majit, me kërkesë të Rusisë, në Këshillin e Sigurimit u mbajt një seancë e jashtëzakonshme kushtuar Bosnjës e Hercegovinës, në të cilën u dëgjuan të njëjtat tone të përfaqësuesve rusë. Serbia në atë seancë përfaqësohej nga Marko Gjuriç, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Rezoluta nuk është gjithëpërfshirëse dhe mohon drejtësinë për shumicën e viktimave të luftës. Republika e Serbisë në vazhdimësi dhe me vendosmëri ka dënuar të gjitha krimet e konfliktit tragjik, dhe veçanërisht masakrën në Srebrenicë, një ngjarje e tmerrshme që shquhet për mizorinë e saj. Në vitin 2010, Kuvendi i Serbisë miratoi një deklaratë që dënonte krimin. Dy presidentë të Serbisë morën pjesë në përkujtimet në Qendrën Përkujtimore “Potoçari” dhe përfaqësuesit e saj morën pjesë edhe në përkujtimet në Kombet e Bashkuara në Nju Jork”, tha në atë seancë Marko Gjuriç.

Beogradi zyrtar, përkundër disa aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare të cilat vërtetojnë se në Srebrenicë në vitin 1995 ishte kryer gjenocid ndaj boshnjakëve, nuk e njeh këtë dhe e karakterizon ngjarjen si një krim të përmasave masive.

Rusia, e cila po kryen agresion brutal kundër fqinjit të saj të parë, Ukrainës për të tretin vit, mbështet fuqishëm politikën rajonale dhe qëndrimet e udhëheqjes serbe. Nëntë vjet më parë ajo bllokoi në Këshillin e Sigurimit miratimin e Rezolutës për Srebrenicën, e cila dënonte gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve.

“Ajo është gjithnjë e më e përfshirë në marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjithë Evropën dhe shpesh nuk përdor kanalet e tij diplomatike për këtë, por mjetet përmes të cilave zhvillon luftën informative. Nuk dua të ndalem te akuzat ndaj saj për dezinformim, por dua të tërheq vëmendjen në nxitjen e pikëpamjeve populiste dhe nacionaliste, qëllimi i të cilave është dëmtimi i Evropës së bashkuar liberale”, nënvizon David Simon nga Universiteti Yale.

Karakteri antiserb i projektrezolutës, që do t’i etiketojë serbët dhe Serbinë si komb gjenocidal, është rrëfim i zyrtarëve të shumtë të Serbisë, Republikës Serbe dhe Rusisë, që kundërshtojnë debatin dhe miratimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Teksti i propozuar, në të cilin Zëri i Amerikës kishte qasje, nuk përmend asnjë lloj përgjegjësie të asnjë kombi apo shteti, por, ndër të tjera, bën thirrje për dënimin pa rezerva të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Dokumenti dënon gjithashtu veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Zyrtarët si (Milorad) Dodik, ata në Beograd dhe të mos harrojmë Moskën, do të përpiqen të mohojnë faktet e vërtetuara, ose të flasin për to sa më pak të jetë e mundur. Megjithatë, e gjithë kjo tashmë është në procesverbalet gjyqësore”, thotë për Zërin e Amerikës James Goë, profesor në King’s College të Londrës.

Pretendimet e Milorad Dodikut, politikanit të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion dhe kërcënim ndaj tërësisë tokësore të Bosnjë se Republika Serbe mund të shkëputet nëse rezoluta miratohet, eksperti britanik i vlerëson si teprim. “Dyshoj se do ta bëjë një gjë të tillë, por asgjë nuk duhet përjashtuar. Nëse ai do ta bënte këtë, do të ishte një reagim i tepruar ndaj diçkaje të mbështetur nga pjesë të qeverisë së përbashkët shtetërore në Sarajevë. Bëhet fjalë për kujtesën ndërkombëtare, për të cilën pres që të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pavarësisht ndarjeve të mprehta. Pala që nuk e pranon mund ta injorojë, sikundër shumë aktorë që kthejnë kokën nga gjëra ndoshta edhe më të rëndësishme”, vlerëson profesor Goë.