Në një adresë të errët të Durrësit, deri para pak kohësh pronë në duar të krimit të organizuar, sot të rinjtë e këtij qyteti zhvillojnë veprimtari të dobishme.
Me kënaqësi pashë se aty tashmë lexohet Kadare, Buzzati, Orwell, mësohen gjuhë të huaja, matematika, fizika, etj.. Tek kjo qendër e thjeshtë mund të shihet se si një biznes kriminal është shndërruar në biznes social. Tek kjo qendër mund të shihet edhe vizioni se si duhet luftuar krimi i organizuar, duke e vënë pasurinë e tij në shërbim të publikut.

OFL dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit e kanë shumëfishuar vëllimin e pasurive kriminale të sekuestruara apo të konfiskuara. Agjencia përgjegjëse për administrimin e tyre është tashmë përpara sfidës për zgjidhje origjinale, me qëllim që përmes menaxhimit të përshtatshëm të jepen mesazhet e duhura ndaj krimit. Rruga kriminale është pa krye, pasuritë që rezultojnë prej saj nuk kanë të ardhme.

Në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe me partnerët ndërkombëtarë, agjencia e administrimit do të sigurojë që pasuritë e krimit të organizuar të shkojnë në dobi të Policisë së Shtetit, SPAK, aktorëve të shoqërisë civile, viktimave të krimit dhe posaçërisht familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës.