Connect with us

Lifestyle

Studimi: Gratë paguhen më pak se burrat, ndonëse studiojnë më shumë

Është 8 Marsi, festa e gruas. Bilanci në vite tregon për një rritje të rolit të tyre në ekonomi dhe sidomos në politikë. Sot, Shqipëria është ndër vendet që ka peshën më të lartë të femrave në kabinetin qeverisës, në nivele të njëjta me Finlandën.

Megjithatë femrat edhe pse janë më të arsimuara vazhdojnë të paguhen më pak sesa meshkujt, në pjesën më të madhe të profesioneve. Edhe në shtëpi, pushtetin e kanë burrat që kanë në emër të tyre llogaritë bankare, por edhe guxojnë më shumë, duke marrë kredi.

Burrat paguhen më shumë se gratë

Burrat paguhen më shumë sesa gratë në pjesën më të madhe të profesioneve. Madje të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare e meshkujve shënoi një rritje më të shpejtë në 2022, në raport me atë të femrave.

Mesatarisht, një punonjës në vend u pagua me 61,898 bruto në muaj në 2022, me një rritje nominale prej 8.2%.

Për meshkujt, paga mesatare ishte 63,773, me një rritje prej 9.2%. Për femrat, paga mesatare arriti në 59,813, ose 7.3% më shumë sesa një vit më parë.

Rritja më ritme më të larta e pagave të burrave në krahasim me ato të grave bëri që të thellohet sërish hendeku gjinor mes pagesave të të dy gjinive. Gratë u paguan 6.2% më pak sesa burrat në 2022, nga 4.2% që kishte zbritur diferenca në 2021.

Nga 36 grup profesione, që raporton INSTAT, vetëm në 5 prej tyre gratë paguhen më shumë.

Fusha ku gratë “shkëlqejnë” është drejtimi. Sipas INSTAT, femrat në grup profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 189,393 në vitin 2022. Ky nivel, jo vetëm që është paga më e larta nga të gjithë grup profesionet në vend, por është dhe 11.1% më e lartë sesa e meshkujve. Në krahasim me një vit më parë, paga për këtë grupprofesion u rrit me rreth 10%, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë është grupi tjetër, ku femrat marrin më shumë se meshkujt. Paga e femrave në këtë grup është 64,365 lekë, ose 10.7% më shumë sesa burrat.

Në dy profesionet e tjera, “Punëtorë shërbimi dhe ndihmës” dhe “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes”, gratë marrin përkatësisht 1.3% dhe 1.1% më shumë se burrat.

Administrata është institucioni që nuk i “diskriminon” femrat në paga, teksa “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” marrin njësoj, rreth 92 mijë lekë në muaj.

Ndërsa në arsim preferenca është tek meshkujt, që paguhen gati 80 mijë lekë në muaj, ose 12% më shumë sesa gratë e të njëjtit profesion.

Edhe në shëndetësi ekziston diferenca. Grup profesioni “Specialistë të shëndetësisë” i paguan meshkujt 85.8 mijë lekë në muaj, ose 13.8% më shumë sesa femrat. Për “Asistentë të specializuar të shëndetësisë”, paga mujore e burrave është 65.8 mijë lekë, ose rreth 8% më shumë sesa e grave të të njëjtit profesion.

Diferenca më e lartë femra meshkuj është në prodhim, ku rekordin e mban industria, që i paguan burrat 24.6% më shumë sesa gratë. (shiko në fund grafikun e pagave sipas sektorëve dhe gjinisë)

…Por gratë janë më të arsimuara

Ndonëse paguhen më pak sesa burrat, gratë kanë nivel më të lartë arsimimi. Sipas INSTAT vajzat tentojnë më shumë që të ndjekin Universitetin, në krahasim me djemtë. Në total, 21.3% e femrave mbi 25 vjeç kanë mbaruar arsimin e lartë, përkundrejt 18.2% të meshkujve.

Në parlament dominojnë burrat, në qeveri e kanë marrë “pushtetin” gratë

Në vitin 1920 në Kuvendin Shqiptar nuk kishte asgjë grua. Epoka e socializmit mund të njihet për diktaturë, por të paktën në periudhën 1970-1990, në Kuvend femrat përbënin 30% të Kuvendit. Me ardhjen e demokracisë pushteti ligjvënës u kthye sërish tek meshkujt, që dominonin me gati 94% të pjesëmarrjes në këtë institucion të lartë në 2011-n. Dekadën e fundit pjesëmarrja e grave në Kuvend është rritur sërish, duke arritur në 2021-2022 në rekordin historik të 36% pjesëmarrje, ndonëse ende në pakicë në raport me burrat.

Por, nëse ka një vend ku ato dominojnë, është në qeverisje. Në qeverinë aktuale, nga 16 ministri, 10 drejtohen nga ministre femra. Në fund të vitit 2023, Shqipëria renditej e para në botë për pjesëmarrjen e femrave në kabinetin qeveritar, me 67% të totalit, e ndjekur nga Finlanda, me 64% dhe Spanja me 64%, sipas indeksit të fuqizimit të gruas, të publikuar nga programi i CFR për gratë dhe politikën e huaj. Aktualisht kjo peshë ka zbritur në 62.5% pas ndryshimeve të fundit në qeveri, që larguan një ministre dhe shtuan një ministër.

Ndryshe nga qeveria, në Administratë dominojnë meshkujt në drejtim. Sipas INSTAT, përqindja e femrave në pozicione menaxheriale në vitin 2022 ishte 35%, në ulje nga 35.5% vitin e mëparshëm.

Indeksi i fuqizimit të gruas, barazia në politikë

Gratë jetojnë më gjatë se burrat, grup mosha 35-39 vjeç ka më shumë meshkuj se femra

Për vetë gjenetikën, apo stilin më të kujdesshëm të jetesës, gratë jetojnë më gjatë sesa burrat. Sipas INSTAT, jetëgjatësia e pritshme në lindje është 80.9 vjeç për gratë dhe 77.3 vjeç për burrat.

Femrat martohen mesatarisht 27.7 vjeç, ndërsa meshkujt 31.2 vjeç.

Në vend, sipas INSTAT ka 2.77 milionë banorë. Nga këta 1.4 milionë ose 50.4% janë femra, ndërsa 1.37 milionë janë meshkuj.

Në Shqipëri lindin më shumë djem sesa vajza. Sipas INSTAT, në grup moshën 1-4 vjeç, vajza janë 48.5%. Për grup moshën 20-24 vjeç, popullsia ndahet në dy pjesë të barabarta. Grup mosha që ka më shumë meshkuj se femra është 35-39 vjeç.

Mbi 40 vjeç ka më shumë femra se meshkuj, për shkak të emigracionit më të lartë të tyre pas viteve ’90.

Në moshat mbi 70 vjeç mbizotërojnë femrat për shkak të jetëgjatësisë më të lartë të tyre.

Paratë i mbajnë burrat

Në llogaritë e shtëpisë gratë mund të jenë më jenë më të ekonomizuara, por kur vjen puna te bankat, janë burrat ata që dominojnë. 56.5% e llogarive depozituese në sektorin familjar zotërohen nga meshkujt.

Edhe rrezikun e marrin burrat përsipër. 57% e llogarive humarrëse janë nga meshkujt.

Lifestyle

Disa rregulla që ekzistojnë për një martesë të lumtur

Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë. Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Të gjithë ne, para se të lidhim martesën, nga nëna dhe gjyshja jonë kemi marrë këshilla për bashkëshortësi të mirë dhe të suksesshme. Por, a janë ato këshilla me të vërtetë të dobishme dhe a duhet në mënyrë të verbër t’i respektojmë?

Ja disa “rregulla martesore” për të cilat shumë revista për femra konsiderojnë se lirisht mund të thyhen. Një nga këshillat që është e vjetër sa edhe vetë pyetja “a është e para veza apo pula”, është këshilla që mos të shkojmë të hidhëruara në krevat.

Është e vërtetë se përderisa grindemi gjatë kohës kur na merr gjumi, kur jemi të lodhura ose nën stres, asgjë e mirë nuk mund të dalë nga ajo grindje.

Nëse jeni në gjendje të dakordoheni se nuk pajtoheni dhe të shkoni në gjumë, e grindjen ta lini kur të jeni më të pushuar dhe me kokë të ftohtë. Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë.

Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Kur janë në pyetje pushimet, kryesisht rekomandohet që kohën e lirë ta kaloni njëri pranë tjetrit, por problemi mund të krijohet në atë moment kur ju dhe partneri juaj keni komplet kuptime të ndryshme për pushimin. Ju dëshironi të hulumtoni, ai dëshiron të qëndroni në një vend, ju dëshironi në mal, ai në det…

Në këto raste ndoshta është mirë që nganjëherë në pushime të shkoni ndaras, secili në anën e vetë, por jo gjithmonë.

Fëmijët

Një nga gabimet më të shpeshta të çifteve në martesë është ajo që lidhjen e tyre e anashkalojnë sapo arrijnë fëmijët në shtëpi. Nëse në disa raste e veni lidhjen tuaj në rend të parë para fëmijëve, nuk do të thotë se jeni prindër të këqij, por përkundrazi.

Nëse në rend të parë punoni në lidhjen tuaj, kjo nuk është mirë vetëm për ju, por edhe për fëmijët tuaj, sepse rritja me prindër që duhen dhe që mirëkuptohen është një bazament i shkëlqyeshëm për një jetë të lumtur.

“Asnjëherë mos flini në krevat të ndarë” është ajo që po ashtu e dëgjojmë nga ana e atyre që kanë përvojë më të madhe në martesë. Por nëse partneri juaj gërhet me të madhe, rrotullohet ose tërë natën shikon TV, derisa ju përpiqeni të flini, ndoshta në këto raste është më mirë të flini në krevat të ndarë, por të mos lejoni që kjo t’ju ndikojë në jetën seksuale dhe afërsinë fizike.

Edhe për fund, nuk e keni patjetër që çdo çast ta kaloni së bashku. Ideale do të ishte opsioni që të kishit interesime të përbashkëta, por nëse burri juaj do të merret me automobila, ndërsa ju dëshironi më shumë të dilni në natyre – nuk duhet të humbisni guximin për këtë gjë.

Opsioni më i mirë është të shkoni dhe të bëni aktivitete të ndryshme, por po ashtu të gjeni një të përbashkët.

Nuk ekzistojnë rregulla për martesë të lumtur, përshtatni sipas afiniteteve tuaja sepse çdo lidhje, si dhe çdo njeri, është e veçantë dhe e ndryshme.

Continue Reading

Lifestyle

Mungesa e gjumit dhe lidhja e tij me depresionin/ Gjithçka që duhet të dini

Mungesa e gjumit është treguar se dëmton funksionin e sistemit imunitar. Shqetësimet e shëndetit mendor, të tilla si depresioni , janë të lidhura fort me cilësinë e dobët të gjumit dhe çrregullimet e gjumit.

Një studim me 2672 pjesëmarrës zbuloi se ata me ankth dhe depresion kishin më shumë gjasa të raportonin rezultate më të dobëta të gjumit sesa ata pa ankth dhe depresion.

Kur jemi të lodhur, aftësia jonë për t’u përqëndruar në detyrat, reflekset dhe kohën e reagimit zvogëlohet.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se 1 në 25 njerëz ka rënë në gjumë në timon gjatë vozitjes. Ata që flinin më pak se 6 orë kishin më shumë gjasa të binin në gjumë gjatë vozitjes.

Një studim i vitit 2018 zbuloi se njerëzit që flinin 6, 5, 4 ose më pak se 4 orë kishin një rrezik për të shkaktuar një aksident automobilistik që ishte përkatësisht 1.3, 1.9, 2.9 dhe 15.1 herë më i lartë. Ky studim sugjeron që rreziku juaj për një aksident automobilistik rritet ndjeshëm me çdo orë gjumi të humbur.

Në studime të tjera, njerëzit me çrregullime të gjumit gjithashtu raportojnë shkallë më të lartë të depresionit.

Nëse keni probleme me gjumin dhe vini re se shëndeti juaj mendor është përkeqësuar, është e rëndësishme të flisni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor.

Continue Reading

Lifestyle

Ja çfarë i ndodh trupit gjatë fluturimit me aeroplan

Të marrësh pushim nga puna dhe jeta e përditshme për të udhëtuar është një mënyrë mjaft e mirë për ta rifreskuar mendjen dhe trupin, por nëse keni për të bërë një udhëtim të gjatë me aeroplan, atëherë duhet t’i dini disa rreziqe shëndetësore që shkaktohen nga fluturimi

Një infografikë e lëshuar nga Citybase Apartments tregon se çfarë ndodh saktësisht në trupin tuaj gjatë fluturimit.

Fryrje, të ftohtë, rrahje të parregullt të zemrës dhe një rritje të rrezikut të prishjes së dhëmbëve janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat duhet të përgatiteni para fluturimit tuaj të ardhshëm.

Grafika tregoi gjithashtu se të çoheni në këmbë dhe të bëni zgjatje gjatë fluturimit ndikon që të mos i përjetoni problemet e cekura.

Goja: Atmosfera në kabinë do t’ju dehidratojë në mënyrë natyrale, dhe sigurisht, kjo përkeqësohet nëse pini alkool gjatë fluturimit.

Zemra: Disa udhëtarë mund të vuajnë nga ‘aritmia’, një çrregullim i rrahjes së zemrës. Kjo ndodh sidomos tek ata që kanë shtypje të lartë të gjakut ose që kanë konsumuar kafeinë shumë ose alkool.

Stomaku: Ngjashëm me mushkëritë, stomaku do të zgjerohet në shkallë të lartë, duke shkaktuar dhimbje abdominale dhe kapsllëk. Për ta evituar këtë, qëndroni larg pijeve me gaz.

Këmbët: Të qëndrosh ulur në pozitën e njëjtë për orë të tëra jo vetëm që është e parehatshme por edhe ndikon në formimin e mpiksjeve të gjakut. Një mpiksje mund të ndalojë rrjedhjen e gjakut në këmbë, duke shkaktuar ënjtje dhe zgjerim të venave.

Veshët: Duke u nisur aeroplani, ajri në veshë mblidhet, duke formuar një vakum. Nëse tubat ‘Eustachian’ në veshë bllokohen, shkakton dhimbje në timpanin e veshit.

Hunda: Keni 100 herë më shumë gjasa që të ftoheni gjatë një fluturimi. Kjo për shkak se kabinat janë virtualisht pa lagështi, një atmosferë e përsosur për të shpërndarë grip.

Dhëmbët: Ndryshimet në presionin e ajrit mund të shkaktojnë vrima të vogla të gazit në dhëmbë dhe të ndikojnë në prishjen e tyre.

Mushkëritë: Ajri në kabinë bën që mushkëritë të zgjerohen, duke shkaktuar fryrje. Tek ata që kanë astmë, mund të ketë komplikime të tilla si dështim të mushkërive.

Continue Reading

Lifestyle

A e dini se edhe sytë “digjen” nga dielli? Çfarë duhet të bëni për t’i mbrojtur

    

Ka gjithmonë një pjesë të fytyrës suaj që nuk mbroni si duhet, sytë tuaj. Gjatë dhe pas pushimeve të verës, shumë njerëz ankohen për probleme të syve dhe shikimit. Mjaft persona përjetojnë shqetësime sikur kanë copëza prej qelqi në sytë e tyre. Këto janë shenja që sinjalizojnë fotokeratitin. Fotokeratiti është në thelb një djegie nga dielli në pjesën e përparme të syrit tuaj, që quhet kornea.

Ashtu si djegia e lëkurës nga dielli mund të jetë e dhimbshme, fotokeratiti sjell shqetësime serioze në sy.

Përveç ndjenjës së “copëzave të xhamit”, fotokeratiti shkakton skuqje, shikim të paqartë, ndjeshmëri ndaj ndriçimit dhe në raste të rralla edhe humbje të përkohshme të shikimit. Sa më gjatë t’i ekspozoheni sytë ndaj rrezeve UV, aq më të rënda mund të jenë simptomat, thonë specialistët.

Gjendja, gjithashtu, mund të shkaktohet nga reflektimet nga dielli, kur pasqyrohet në ujë ose shkëmbinj të bardhë dhe rërë.

Për fat të mirë, dëmtimi i syve nga dielli, zakonisht nuk është i përhershëm. Njëlloj si djegiet në lëkurën tuaj, fotokeratiti zgjat vetëm për disa ditë, thonë ekspertët.

Rreziku i dëmtimit të përhershëm është i ulët nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV është kufizuar në pjesën e përparme të syrit, te kornea.

Megjithatë, nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV ndikon tek retina, që ndodh nëse shikoni direkt në diell, ekziston një rrezik më i madh dhe më serioz i problemeve të përhershme me shikimin.

Ndërsa sytë tuaj shërojnë nga fotokeratiti, ata mund të trajtohen duke përdorur pika të syrit, pika antibiotike, ose pomadë të rekomanduara nga një mjek okulist.

Ashtu si mbroni lëkurën tuaj nga dielli, është e rëndësishme të mbroni sytë tuaj për të parandaluar ndonjë djegie.

Ndërkohë që, pa dyshim, nuk vendosni kremin kundër djegies në sy, por duhet të lyeni gjithmonë kapakun e syve tuaj.

Një studim zbulon se njerëzit kanë tendencë të lënë pa trajtuar me krem kundër djegies rreth 10 për qind të fytyrës së tyre – duke përfshirë zonën e syve.

Lëkura e hollë dhe e ndjeshme rreth syve është zona ku ndodhin 10 për qind të rasteve të kancerit të lëkurës. Prandaj është shumë e rëndësishme të siguroheni që po mbroni të gjithë zonën e syve nga rrezet e dëmshme.

Continue Reading

Lifestyle

Lëngu i lakrës së kuqe, si ta përdorni për veshkat, mëlçinë dhe tretjen

Lëngu i lakrës së kuqe është i jashtëzakonshëm për organizmin.

Ai është i pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë të cilët forcojnë imunitetin, luftojnë sëmundjet dhe mbrojnë organet prej tyre.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, lakra e kuqe është një nga burimet më të mrekullueshme të vitaminës C, që ndikon pozitivisht për shumë funksione në organizëm.

Një gjysëm gote uji me lëngun e lakrës së kuqe përmban 150 miligramë vitaminë C, që është edhe 100% e nevojës ditore të organizmit për këtë vitaminë.

Në të njëjtën sasi  mund të merrni 650 miligramë kalium që përbën 14% të dozës së rekomanduar ditore dhe 102 mikrogramë të vitaminës K, që përbën 85% të nevojës ditore të organizmit për këtë vitaminë.

Lakra e kuqe ka 10 herë më shumë vitaminë A se lakra e bardhë.

Kjo vitaminë e mban lëkurën të shëndetshme, forcon imunitetin dhe mbron shikimin.

Për më tepër, lakra e kuqe ka dyfishin e hekurit që ofron lakra e bardhë.

Në këtë artikull do të mësoni tre receta të rëndësishme të lëngjeve me bazë të lakrës së kuqe, të cilat ju ndihmojnë për mbrojtjen e veshkave, pastrimin e mëlçisë dhe sistemin tretës.

Për pastrimin e mëlçisë
Për të marrë një dozë të lartë antioksidantësh kundër radikaleve të lira dhe pastrimin e mëlçisë, rekomandohet:

Përbërësit:
Gjysma e një lakre të kuqe të përmasave mesatare
Një panxhar mesatar
Kokrrat e një shege
Një copë e vogël xhenxhefili e qëruar.
Hidhini të gjithë përbërësit në një shtrydhëse frutash dhe pijeni lëngun menjëherë.

Për shëndetin e veshkave
Përbërësit:
1 tufë me kopër
Gjysëm molle jeshile,
3 gota uji me lakër të kuqe të grirë.
Hidhini të gjithë përbërësit në shtrydhëse dhe pijeni rregullisht.

Lëngu i lakrës së kuqe për tretjen
Lakra e kuqe rekomandohet edhe për përmirësimin e tretjes.

Për të marrë përfitimet e saj ndiqni recetën e mëposhtme:

Përbërësit:
2 gota uji me lakër të kuqe të grirë
3 kërcenj selinoje
Gjysma e një limoni me gjithë lëkurë
Gjysma e një molle jeshile
Lajini të gjithë përbërësit dhe kalojini në shtrydhësen e frutave.

Lëngun pijeni menjëherë.

Ky lëng eliminon gazrat e tepërt në stomak dhe vë në lëvizje të gjithë sistemin tretës.

Nga secili prej lëngjeve mund të pini një gotë në ditë për rreth 2 javë e ta përsërisni sa herë të jetë e nevojshme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING