Thinking ...
Connect with us

Bota

SULMOHET BAZA AJRORE NË ARABINË SAUDITE/ Goditet një Eurofighter italian, Roma konfirmon dëmet

Një avion luftarak italian Eurofighter F-2000 është goditur dhe dëmtuar gjatë sulmeve të natës ndaj bazës ajrore të Ta’ifit në Arabinë Saudite.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili bëri të ditur se avioni ndodhej brenda bazës, në një zonë periferike të saj, në momentin kur u godit.

Sipas Crosettos, asnjë ushtarak italian nuk është plagosur dhe nuk janë regjistruar dëme të tjera në mjetet apo infrastrukturën që përdoret nga personeli italian në bazë.

Në Ta’if ndodhen forca italiane të angazhuara në kuadër të operacionit “Inherent Resolve”. Ministri italian tha se ka ndjekur personalisht zhvillimet gjatë natës dhe se ka kërkuar një vlerësim të ri mbi situatën, sigurinë e personelit dhe opsionet operative.

Sulmi vjen në një moment kur përplasjet mes Arabisë Saudite dhe Houthive janë intensifikuar ndjeshëm. Ditët e fundit, sulmet me dronë kanë prekur territorin saudit, ndërsa konflikti po shton shqetësimet edhe për sigurinë e korridoreve strategjike të Detit të Kuq.

Autoritetet italiane nuk kanë bërë ende publike shkallën e plotë të dëmtimit të Eurofighter-it.

 

Advertisement