Kosova
Të shmangim ato të dhjetorit/ Kurti paralajmëron sezon të gjatë zgjedhjesh në Kosovë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i ka dërguar dy herë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, por, sipas tij, mënyra e vetme që LDK-ja do të pranonte të bëhej pjesë e qeverisë ishte që të ishte edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Kurti ka theksuar se nuk e kupton “saktë” sjelljen e LDK-së në skenën aktuale politike dhe sipas tij, ajo refuzon të hyjë në një qeveri të udhëhequr nga ai dhe nuk dëshiron të formojë qeverinë e saj me partitë e tjera, por insiston në zgjedhje të reja për të përsëritur sloganin se ata dalin të parët – diçka që sipas Kurtit nuk mund të ndodh.
Kryetari i LVV-së ka nënvizuar se përpos balotazhit, vendin e presin edhe dy palë zgjedhje të reja parlamentare – në dimër dhe në pranverë – për shkak të zgjedhjes së presidentit. Prandaj, ai ka kërkuar që të shmangen zgjedhjet e mundshme në dhjetor..
“Unë besoj se do të kishte qenë mirë të ishim kursyer së paku nga zgjedhjet e dhjetorit. Nëse s’ia dalim t’i shmangnim zgjedhjet në prill, atëherë së paku në dhjetor të mos i kishim”, ka vlerësuar Kurti