Connect with us

Kronike

Ti pa mua nuk bën/ Studentja që la Tiranën pas ndarjes dhe hakmarrja tragjike e 35-vjeçarit

Jo në pak raste kemi dëgjuar krime që pasojnë pas një ndarjeje apo refuzimi. Në të shumtën e tyre, burrat janë ata që nuk e pranojnë dot fundin e një marrëdhënie dhe kësisoj arrijnë të shkrepin armën apo të kryejnë akte të tjera makabre.

E tillë, fatkeqësisht, është edhe historia e një vajze dhe 35-vjeçarit Ferit Buzi (i njohur ndryshe si Nertili), të dy nga fshati Vidhisht i Roskovecit. Me diferencë të konsiderueshme në moshë, ata u fejuan kohë më parë. Siç kanë rrëfyer të afërmit e vajzës, bashkëjetuan në Tiranë për një periudhë, pasi 23-vjeçarja po studionte për Infermieri.

Mirëpo, për shkaqe që ende nuk janë qartësuar plotësisht, e reja vendos t’i japë fund lidhjes. Kaq mjaftoi që ajo të ishte vazhdimisht nën kërcënimet me armë të ish-partnerit, aq sa u detyrua të lërë universitetin dhe të rikthehet në fshatin e lindjes.

Po as atje nuk do të kishte qetësi për të…

Nertili, siç tregojnë të afërmit e vajzës, është arrestuar e liruar disa herë. Madje, së fundmi, ishte nën masën e arrestit në shtëpi.

“Ti pa mua nuk bën”, mësohet se i thoshte ai shpesh 23-vjeçares. Kështu, rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, 24 korrik 2026, ai shkon në shtëpinë e saj dhe vret me armë zjarri të atin, 58-vjeçarin Kosta Plaka dhe i plagos nënën, e cila aktualisht ndodhet në spital.

Ulërimat u dëgjuan nga të afërmit e familjes, që jetonin aty pranë, por askush nuk guxoi të futej brenda sepse 35-vjeçari kërcënonte se “do i vriste të gjithë”.
Mori ish të fejuarën dhe me automjetin e parkuar mbrapa shtëpisë u largua, pa harruar armën e gjahut.

Pas disa orësh kërkime, Policia e lokalizoi atë dhe e reja i shpëtoi rrëmbimit, megjithatë po negociohet për dorëzimin e autorit të vrasjes.
Ngjarja në Roskovec na dëshmon edhe një herë se tragjikja paraprihet nga presioni psikologjik, kontrolli dhe frika, që mbeten të paadresuara në kohë.

……………….

“Gjeni 400 mijë stërlina”/ Mori peng ish-partneren, i vrau të atin e i plagosi nënën, historia e Buzit në Londër, si u rrëmbye dhe keqtrajtua nga 7 shqiptarë

Emri i Nertil Buzit është përmendur në media edhe në 2022, atëherë kur në Angli u mor peng.

Ishte policia që arriti ta shpëtonte atë, ndërsa ishte rrëmbyer nga shtetas shqiptarë te evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli.

Policia britanike arrestoi në atë kohë 7 shqiptarë.

Buzi u mbajt peng për një javë nën kërcënimin se do ta vrisnin nëse nuk paguheshin 400 mijë sterlina nga të afërmit.

Shkaku i pengmarrjes dyshohet se është përplasja mes dy grupeve rivale në kontrollin e shtëpive të barit. Ai ishte keqtrajtuar në mënyrë ç’njerëzore dhe videot i dërgoheshin familjarëve të tij.

Ditën kur skadonte afati pagesës, së ndërhyri policia dhe liroi pengun duke çuar në pranga 7 persona të përfshirë në këtë vepër penale.

Advertisement