Connect with us

Politike

Tirana “zien” nga protesta, Rama nga Vlora nënshkruan bashkëpunimin midis dy kompanive

Nënshkruhet sot Memorandumi i Bashkëpunimit mes kompanisë së industrisë detare Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë, me synim zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.

Një hap me rëndësi në përgatitjen e brezit të ri të specialistëve shqiptarë që do të mbështesin rritjen e qendrës së re industriale detare në Pashaliman, teksa forcon më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në këtë ceremoni fjalën e tij e mbajti edhe kryeministri Rama, i cili u shpreh se nga sot industria ushtarake nis një fazë të re të modernizimit dhe rritjes së kapacitetit të Forcave të Armatosura.

“Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu! Një histori e re nis për bazën e Pashalimanit. Jemi me një kolos të kësaj industrie, Fincantierin për të nënshkruar një marrëveshje me KAYO dhe shkollën industriale “Pavarësia”. Një kantier detar fillon në klasë.

Jemi sot në një ditë kur qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ, ku do të angazhohet i gjithë financimi i nevojshëm për të arritur të gjithë targetin e vendosur nga ne në NATO. Fitues të drejtpërdrejtë janë të gjithë ata që janë pjesë e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Historia e industrisë sonë ushtarake dihet.

Nga një prej vendeve më të militarizuar në botë, në një vend që humbi gjithçka pas ndryshimit të regjimit. Sot jemi në një fazë krejt të re, kur industria po rilind hap pas hapi. Kjo e sotmja nuk është marrëveshja e vetme, duam të kemi një sistem ushtarak, që funksionon nga veshjet, deri te mjetet më të sofistikuara.

Në qendër të këtij procesi është KAYO, që është aty për të përfaqësuar interesat e shtetit. Është një kapërcim i jashtëzakonshëm ky i kalimit në një fazë kur interesat e shtetit dhe publikut strukturohen përmes agjencish të dedikuara.

Janë 500 vende pune që krijohen nga ky partneritet dhe siç e tha edhe adiministrarori i Fincantieri, kërkohen njerëz ekspertë, që do të jenë të mirëpaguar. Ata që do të përfshihen nuk do të jenë vetëm njerëz që zotërojnë një zanat, por do të shihen edhe nga ana e figurës së tyre, sepse do të jenë pjesë e ushtrisë. Çdo informacion do të duhet të mbetet këtu brenda. Unë besoj se këtu në Vlorë ne i kemi burimet me të cilat do të nisë puna”, u shpreh Rama.

Advertisement