✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Vuçiçi ra, kambana bie për Ramën: Fija e pushtetit mund të këputet edhe në Tiranë

Shkruar nga Irena Beqiraj
Humbja e Vuçiçit është kambana që bie për ekuilibristin e Tiranës i cili mund të zotërojë cirkun politik, mund të zgjedhë orkestrën, të komandojë spektatorët dhe të urdhërojë duartrokitjet, por nuk mund ta urdhërojë fijen të mos këputet.

Është e vërtetë se liderët formësohen nga prejardhja, karakteri dhe përvojat e tyre, ashtu siç është po aq e vërtetë se kultura dhe historia formësojnë mënyrën se si kombet i pranojnë, i adhurojnë apo i rrëzojnë udhëheqësit.

Por humbja e Aleksandar Vuçiçit, pas asaj të Viktor Orbánit, nxjerr në pah një paradoks , të cilin shpesh e anashkalojmë kur analizojmë pushtetin e Autokratëve edhe fundin e pa lavdi të tyre .

Për të mbijetuar, autokratët duhet të ruajnë ekuilibra delikatë, nga të cilët burojnë njëkohësisht fuqia dhe brishtësia e tyre.

Vuçiçi dhe Rama njihen për  përqendrimin në duar të tyre të gjithë  pushteteve. Por një pushtet i tillë absolut  nuk vjen falas. Fatura paguhet me ekonomi të deformuar nga klientelizmi, administratë të populluar me besnikë, institucione të nënshtruara, media të varura dhe parti ku mendimi i pavarur trajtohet si akt armiqësor.

Për të kontrolluar çdo gjë, Vuçiç si Rama dobësuan gjithçka, duke e paraqitur veten si të vetmit të aftë për të drejtuar atë që vetë dobësuan.

Manuali politik i Ramës dhe Vuçiçit ka qënë i njëjtë: si në një shfaqje  cirku kanë ecur mbi fijen e hollë të pushtetit, duke mbajtur në  dorë shkopin e imazhit të liderit popullor.

Megjithatë, instrumenti më i sofistikuar i mbijetesës së tyre mbetet kultivimi i perceptimit të popullaritetit të pakufishëm.

Në këtë aspekt  Rama mban vendin e parë pasi  ka investuar jo pak talent artistik. E kemi parë të këndojë tallava, të kërcejë si arusha Silva, të bëjë humor, të improvizojë spektakle komike dhe të flasë «gju më gju» e «sy më sy» me popullin. Kuvendin,  vendin ku duhet të japë llogari e bojkoton, ndërsa skena e monologjeve cinike është vendi ku  ka marrë duartrokitje, edhe  kjo skenë i është përshtatur gjithmonë më shumë.

Në komedinë e tij politike, rolet janë ndarë me kujdes. Sukseset kanë një autor, Kryeministrin. Dështimet kanë një ushtri fajtorësh duke filluar nga bashkëpuntorët më të ngushtë,  ministrat, drejtorët dhe vartësit. Kur inaugurohet një rrugë, meritën e merr  KM-ja. Kur rruga shembet, fajin e ka projektuesi. Kur ekonomia rritet, është vizioni i tij. Kur qytetari ankohet për koston e jetesës, problemi zhvendoset tek inflacioni mbarë botëror.

Vartësit i ka përdorur pa mëshirë si amortizatorë të zemërimit publik. Herë sakrifikohen, herë zëvendësohen, herë lihen të luftojnë mes tyre, ndërsa Rama mbetet gjithmonë i paprekur nga rrëmuja që vetë ka krijuar.

Por edhe kjo mjeshtëri e ka një defekt të pariparueshëm: nuk mund të jesh pafundësisht autori i çdo suksesi dhe spektatori i pafajshëm i çdo dështimi.

E pra humbja e Vuçiçit është kambana që bie për ekuilibristin e Tiranës i cili mund të zotërojë cirkun politik, mund të zgjedhë orkestrën, të komandojë spektatorët dhe të urdhërojë duartrokitjet, por nuk mund ta urdhërojë fijen të mos këputet.

Dhe kur fija këputet, duartrokitjet  nuk e mbajnë dot më në ajër.

Advertisement