Connect with us

Politike

Vajza e Bujar Nishanit zgjidhet në Këshillin Kombëtar të PD: E lumtur…

Fiona Nishani, vajza e presidentit të ndjerë Bujar Nishani, është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, në zgjedhjet që u mbajtën në fundjavë. Ajo falenderon Sali Berishën për mundësinë dhe për atë që Fiona Nishani e quan ripërtëritje të partisë.

“Mirënjohje e veçantë për të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike për besimin dhe mbështetjen duke më zgjedhur pjesë të Këshillit Kombëtar. Një falënderim i sinqertë për kryetarin Prof.Dr Sali Berisha për vizionin, vendosmërinë dhe përkushtimin në hapjen e një faze të re për Partinë Demokratike.

Ky Këshill i ri nuk është thjesht një strukturë organizative, por përfaqëson një frymë të re politike, një vizion të rifreskuar dhe një hapësirë më të gjerë për kontributin e grave dhe të rinjve, të cilët janë energjia dhe e ardhmja reale e PD dhe e vendit”, shkruan ajo.

Fiona Nishani ndalet edhe tek kontributi dhe rruga e babait të saj, të cilën tashmë asaj i duhet ta vazhdojë më tej. Bujar Nishani ishte një nga figurat e respektuara dhe kontributore të Partisë Demokratike, në pushtet dhe opozitë, ndërsa shërbeu edhe si President i Republikës.

“Jam e lumtur që i jap vazhdimësi një rruge të nisur para meje, të cilën sot e mbaj me përgjegjësi dhe krenari. E shoh këtë detyrë si përgjegjësi të madhe dhe si mundësi për të kontribuar me ide, energji dhe përkushtim në forcimin e PD dhe afrimin e saj më shumë me qytetarët. Faleminderit për besimin. Puna fillon tani”, shkruan vajza e Bujar Nishanit, Fiona.

Advertisement