Connect with us

Politike

Vendimi i Gjykatës së Lartë për Berishën/ Paloka: Skandal! U shkel Ligji

Pas Gjykata e Lartë vendosi gjatë ditës së enjte, që Sali Berisha të mos marrë pjesë në seancat parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i PD, Edi Paloka, ka deklaruar se nuk është habitur aspak nga ky vendim.

Paloka tha se drejtësia e re është në duart e Ramës dhe se GJ shkeli ligjin.

“Për fat të keq nuk ka asgjë të re edhe në vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë. Është pjesë e një sistemi tashmë të kapur e të korruptuar të drejtësisë, të ashtuquajtur “drejtësisë së re”, e cila, të paktën siç e kemi denoncuar që në fillim, po vërtetohet çdo ditë e më shumë se nuk është gjë tjetër përveçse një mjet në duart e Ramës për të bërë presion, për të dënuar opozitën dhe për të mbajtur jashtë telasheve, jashtë problemeve, gjithë hajdutët dhe gjithë të korruptuarit e qeverisë. Kjo është e thënë trashë. Pra, unë kam kohë që nuk pres gjë, të jem i sinqertë, nga asnjë prej gjykatave.

Shihni vetëm një detaj, që është skandaloz. Nuk po i hyj gjithë historisë, sepse gjithë historia e dënimit të z. Berisha, “dënimit” – mbajtjes nën arrest të z. Berisha dhe të z. Malltezi – është një skandal. Por shihni vetëm detajin që është publik tashmë dhe një fakt i njohur botërisht me këtë gjyqtaren, Irena Gjokën, se Irena ka tre emra.

Domethënë kanë dalë të gjitha faktet që vërtetojnë se kjo zonja ka shkelur ligjin e duhet të ishte kjo sot përpara drejtësisë sepse ka shkelur ligjin duke deklaruar ose duke mos deklaruar – kjo është e njëjtë me një deklarim të rremë në deklaratën e saj – dhe nëse këto fakte janë publike, jo vetëm që ajo zonjë nuk hiqet, sepse dorëheqje nuk e lënë të japë, por “nuk e lejojnë” të japë dorëheqje.

Ajo është zgjedhur e tillë dhe jo vetëm ajo: të gjithë këta që janë zgjedhur për këtë të ashtuquajtur “drejtësi të re” janë zgjedhur qëllimisht me cene, janë zgjedhur qëllimisht me probleme, që të kenë se ku t’i kapin, ku t’i bëjnë presion dhe se si t’i detyrojnë që të bëjnë atë që kërkon Rama dhe ata që janë rrotull Ramës”, tha Paloka.

Advertisement

TRENDING