Kosova
Xhelozi, inat dhe cinizëm/ Kurti e pranon: Kosova shkon sërish në zgjedhje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare mund të dështojë në bërjen e Qeverisë së re të vendit, duke thënë se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
Ai tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar e duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.
“Eshtë intoksikuar shumë atmosfera, ka xhelozi, inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë, por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje te reja”, theksoi Kurti, partia e te cilit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur i vetëm.
Opsionet tashmë janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.