Aktualitet
28 punonjës largohen/ Drejtori i Gardës: Trupë elitare, por nuk përballojnë dot jetesën
Garda e Republikës po përballet me largimin e punonjësve, kryesisht për shkak të punësimit në institucione apo vende të tjera. Gjatë vitit 2026, nga kjo strukturë janë larguar 28 efektivë, shifër e bërë publike nga drejtori Simon Zereci gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Largimet u diskutuan pas shqetësimeve të deputetit të opozitës, Erald Kapri, për pagat dhe kushtet financiare të punonjësve të Gardës. Sipas tij, pavarësisht përgjegjësive dhe kualifikimit që kërkon ky shërbim, shumë efektivë e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet e jetesës në kryeqytet dhe të mbajnë familjet me të ardhurat që marrin.
I pyetur për numrin e largimeve, drejtori i Gardës konfirmoi se 28 punonjës kanë lënë detyrën gjatë këtij viti, shumica për t’u punësuar në vende të tjera, ndërsa një pjesë e vogël për arsye shëndetësore.
Kapri kërkoi një trajtim më dinjitoz financiar për efektivët, duke paralajmëruar se largimi i profesionistëve nga një strukturë që konsiderohet elitare në fushën e sigurisë përbën një problem që duhet adresuar nga institucionet.
Ndërkohë, gjatë raportimit u prezantua edhe projektbuxheti i Gardës për vitin 2027, i cili parashikon 2.84 miliardë lekë, me një rritje prej 2.6% krahasuar me vitin 2026.
“E bëra këtë pyetje se kisha informacion dhe bindjen që në radhët e Gardës, që ka shumë profesionistë që konsiderohen si trupa elitare e shërbimit në fushën e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, e lënë detyrën se me kapacitetin dhe punën që ofrojnë e kanë të vështirë të mbajnë familjen e tyre, të bëjnë një punë të dytë, se jeta në kryeqytet për ta është pothuajse e pamundur”, deklaroi Kapri.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për trajtimin e punonjësve të Gardës, duke theksuar se kjo problematikë vijon të mbetet e pazgjidhur.
“Është tragjike ta mendosh sesi një punonjës Garde, me kualifikimin që ka, me profesionin që ka, të mos marrë mbrapsht nga shteti dhe shoqëria atë që i takon. Flasim për një trupë elitare”, u shpreh deputeti.