Connect with us

Politike

Presidenti Begaj dhe Meta kujtojnë sulmin e 11 shtatorit

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka përkujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA me anë të një postimi në Twitter.

Njëkohësisht Begaj ka dënuar edhe sulmin kibernetik që goditi vendin duke bërë thirrje për përforcimin e lidhjeve me partnerët dhe aleatët e vendit.

“Sot ne nderojmë të gjithë ata që humbën dhe dhanë jetën në sulmet terroriste vdekjeprurëse të 11 shtatorit kundër SHBA-së dhe demokracisë, të cilat ndryshuan përgjithmonë.
Sulmet e fundit kibernetike në infrastrukturën tonë jetike na kujtojnë se siguria kombëtare është një përparësi kryesore. Ne duhet të ndërtojmë dhe zhvillojmë aftësitë tona kombëtare duke forcuar lidhjet me partnerët dhe aleatët tanë për të mbrojtur sigurinë e vendeve dhe njerëzve tanë.”

Edhe ish-Presidenti i vendit ka përkujtuar sulmi terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA me anë të një postimi në Facebook.

“Nderojmë sot kujtimin e paharruar të jetëve të pafajshme të humbura në sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe të gjithë popullin amerikan!

Shqipëria dhe SHBA, gjithmonë bashkë në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës, aleancës strategjike dhe miqësisë së shkëlqyer mes kombeve tona.
Krah për krah, si anëtare të NATO-s, në çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm dhe çdo kërcënimi, që rrezikon paqen dhe stabilitetin në botë.”

Sot mbushen 21 vjet nga sulmi i 11 Shtatorit 2001 në Qendrën Botërore Tregtare në New York, ngjarja më e rëndë në tokën amerikane, kur katër terroristë të grupit al-Kaeda morën peng katër avionë pasagjerësh dhe i përplasën duke vrarë rreth 3000 njerëz.

Dy avionë goditën kullat binjake në New York, ndërsa dy të tjerë në Virginia e Pennsylvania pak më vonë. Dhjetë vjet pas tragjedisë ushtria e SHBA bastisi kompleksin në Abbottabod, Pakistan, dhe vrau kreun e Al Kaedas, Osama bin Laden.

Sulmi ndryshoi përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe pas-goditjet e tij ndjehen edhe sot, jo vetëm nga të plagosurit dhe të afërmit e viktimave, por dhe të gjithë ata që e dëshmuan direkt në ekranet e televizioneve nëpër botë.

Advertisement