Sport
FIFA mohon zërat: Infantino nuk telefonoi Trumpin për ta ndihmuar
FIFA ka hedhur poshtë si të pavërteta raportimet se presidenti i saj, Gianni Infantino, ka kërkuar mbështetjen e administratës së presidentit amerikan Donald Trump pas dështimit të një plani për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës.
Në një deklaratë zyrtare, organizata mohoi se Infantino ka zhvilluar biseda telefonike me Trumpin apo me ndonjë zyrtar të administratës amerikane gjatë ditëve të fundit.
“Presidenti i FIFA-s nuk ka folur në telefon me presidentin e SHBA-së apo me ndonjë anëtar të qeverisë së tij. Këto janë trillime”, thuhet në reagimin e FIFA-s.
Reagimi vjen pasi gazeta New York Post raportoi se Infantino ishte përpjekur pa sukses të kontaktonte Trumpin, pas dështimit të planit për të transferuar një pjesë të të drejtave komerciale të FIFA-s në një kompani të re të mbështetur nga investitorë privatë.
Sipas projektit, FIFA synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë përmes shitjes së rreth 20% të aksioneve të kësaj kompanie, e cila do të administronte të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera. Plani u braktis pas kundërshtimeve nga federata dhe konfederata të ndryshme.
Dështimi i projektit ka shtuar spekulimet për të ardhmen e Infantinos në krye të FIFA-s, ndërsa mandati i ardhshëm për periudhën 2027–2031 shihet tashmë si më i pasigurt.
New York Post raportoi gjithashtu se Infantino kishte planifikuar një takim privat me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit e përgënjeshtroi këtë informacion, duke bërë të ditur se nuk ishte planifikuar asnjë bisedë mes Rubios dhe presidentit të FIFA-s.
Ndërkohë, Infantino ka vijuar të publikojë në rrjetet sociale mesazhe mbështetjeje nga federata të ndryshme anëtare të FIFA-s, mes tyre ato të Sri Lankës, Kuvajtit, Katarit dhe Marokut.