Politike
U shpall ‘non grata’/ Reagon Bekir Halimi: Jam në pritje të shtetësisë shqiptare
Bekir Halimi, një prej dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut që Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka shpallur “non grata”, ka reaguar për herë të parë, duke deklaruar se ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar për këtë vendim.
Në një përgjigje për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, Halimi tha se informacionin e ka mësuar vetëm përmes raportimeve mediatike dhe se do ta verifikojë përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
“Fillimisht, dua t’ju informoj se këtë informacion nuk e kam të verifikuar zyrtarisht dhe se do ta konfirmoj përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë”, u shpreh ai.
Halimi theksoi se aktiviteti i tij i fundit në Shqipëri ka qenë një bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës në kuadër të një projekti promovues ndërkombëtar, duke shtuar se, sipas tij, për kontributin në këtë projekt është në pritje të marrjes së shtetësisë shqiptare.
Ai mohoi çdo lidhje me organizata apo grupe të ndryshme, duke deklaruar se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka qenë i afiluar me asnjë organizatë kombëtare apo ndërkombëtare. Sipas tij, angazhimi i vetëm ka qenë pjesëmarrja në luftërat e UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë viteve 1998–2001.
Halimi shtoi se ka qenë dhe mbetet pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ku ushtron detyrën e hoxhës, duke theksuar se do të vazhdojë aktivitetin e tij fetar dhe publik në përputhje me bindjet e tij.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “non grata” Bekir Halimin dhe Valon Beljan (Valjon Bela), pas një propozimi të Njësisë Antiterror të Policisë së Shtetit, me argumentin se ndaj tyre ekzistojnë të dhëna për veprimtari në dëm të shtetit shqiptar.