Kronike
“Dil jashtë të flasim”, zbardhet si përfundoi i vrarë me thikë në fyt 24-vjeçari shqiptar
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e 24-vjeçarit shqiptar Nurian Dalipaj, i cili humbi jetën mbrëmjen e së dielës në Vescovato, në provincën e Cremona-s. Sipas autoriteteve italiane, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të lidhur me motive xhelozie, i cili kishte nisur disa javë më parë.
Për vrasjen është arrestuar Mattia Miraglia, 32 vjeç, banues në Vescovato, i cili akuzohet se goditi me thikë shqiptarin, duke i shkaktuar plagë fatale. Gjatë përleshjes mbeti i plagosur rëndë edhe vëllai 20-vjeçar i viktimës, ndërsa vetë Miraglia pësoi një dëmtim në dorë dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore në spital.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, konflikti nisi fillimisht në një lokal në Cremona, ku ish-partnerja e autorit të dyshuar punonte. Aty, Miraglia pa të renë duke biseduar me Nurian Dalipajn dhe mes tyre shpërtheu një debat që më pas u shndërrua në përplasje fizike. Të pranishmit arritën t’i ndanin dhe situata u qetësua përkohësisht.
Pas largimit nga lokali, 32-vjeçari u kthye në banesën e tij në Vescovato. Sipas hetuesve, pak më vonë para shtëpisë së tij mbërritën Nurian Dalipaj dhe dy vëllezërit e tij. Në këtë moment, Miraglia zbriti me një thikë kuzhine dhe u kërkoi të largoheshin, por debati degradoi sërish në dhunë.
Gjatë përplasjes, 24-vjeçari u godit disa herë me thikë në fyt, ndërsa vëllai i tij 20-vjeçar u plagos në bark. Të tre u nisën drejt spitalit me automjet, por Nurian Dalipaj nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Vëllai i tij ndodhet në terapi intensive, jashtë rrezikut të menjëhershëm për jetën.
Sipas mediave italiane, miq të autorit të dyshuar kanë deklaruar se konflikti kishte nisur prej kohësh dhe lidhej me një vajzë me të cilën të dy kishin pasur marrëdhënie në periudha të ndryshme. Ata pretendojnë se rreth një muaj më parë kishte pasur edhe një tjetër përballje mes tyre, për të cilën ishte njoftuar policia.
Ndërkohë, komuniteti i Vescovatos mbetet i tronditur nga ngjarja, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe përgjegjësitë penale të rastit.