Connect with us

Aktualitet

Harta e rrezikut/ IGJEO jep alarmin për temperatura deri në 37 gradë

 Vala e të nxehtit dhe mungesa e plotë e reshjeve do ta mbajnë Shqipërinë nën rrezik të lartë për zjarre në pyje, sipas parashikimit zyrtar të Institutit të Gjeoshkencave. Mungesa e shiut dhe temperaturat e larta krijojnë kushtet ideale për përhapjen e flakëve në pothuajse të gjithë territorin.

Sipas IGJEO-s, pjesa më e madhe e vendit, përfshirë qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, përballet me rrezik të lartë zjarresh, ndërsa Shkodra, Kukësi dhe Dibra janë në nivel të moderuar.

Mungesa e plotë e reshjeve të shiut dhe temperaturat e larta, që pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në vendet e ulëta, e mbajnë situatën në shkallë kritike. Përveç kësaj, erërat e lehta deri mesatare dhe kushtet e favorshme klimatike kërkojnë vigjilencë të lartë për mbrojtjen e pyjeve nga flakët.

Përballë këtij alarmi nga IGJEO, ka reaguar Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe kujdes maksimal. Demo kërkoi shmangien e çdo veprimi me rrezik, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura apo hedhja e bishtave të cigaresh në natyrë, duke theksuar se çdo vatër duhet të raportohet menjëherë.

“Mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët. Me kujdesin e secilit prej nesh, mund të parandalojmë zjarret dhe të mbrojmë natyrën,” u shpreh ai./

Advertisement