Bota
Pezeshkian thyen heshtjen: Nuk jap dorëheqjen
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, ka hedhur poshtë zërat për një dorëheqje të mundshme, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra dhe se do të vijojë të qëndrojë në krye të vendit.
Në një video të publikuar nga mediat iraniane, Pezeshkian tha se çdo vendim i mundshëm për largimin nga posti do të bëhej publik zyrtarisht, ndërsa theksoi se aktualisht nuk ekziston një skenar i tillë.
“Për momentin, do të qëndroj i vendosur”, deklaroi presidenti iranian.
Ai mohoi gjithashtu raportimet për një përçarje mes tij dhe liderit suprem të Iranit, ajatollah Mojtaba Khamenei, duke i cilësuar spekulimet si përpjekje për të krijuar përshtypjen e mosmarrëveshjeve brenda udhëheqjes iraniane.
Videoja, e titulluar “Raport për popullin”, pritet të publikohet e plotë në ditët në vijim.
Prej javësh në mediat ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale kanë qarkulluar raportime të pakonfirmuara se Pezeshkian mund të largohej nga posti, ndërsa spekulimet u shtuan pas ndryshimeve të fundit në udhëheqjen e Republikës Islamike.
Së fundmi, Mohammad Baqer Kharazi, sekretar i përgjithshëm i partisë Hezbollah në Iran, pretendoi se lideri suprem Mojtaba Khamenei kishte paralajmëruar se një kërkesë e re për dorëheqje nga Pezeshkian do të pranohej, megjithatë këto deklarata nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht që prej shpalljes së tij si lider suprem, ndërsa deri tani janë publikuar vetëm deklarata me shkrim që i atribuohen atij.