Bota
Ursula: Putini në Hagë, Klitschko: Boll me fjalë
Presidentja e Komisionit Evropian vizitoi qytetin e Irpin, në periferi të Kievit, së bashku me Olena Zelenska, gruaja e presidentit Volodymyr Zelensky.
Irpin është një nga qytetet martire të Ukrainës, ku ushtria ruse, me tërheqjen e saj, kreu masakra dhe shkatërrime.
Më parë, në Kiev, Ursula von der Leyen u takua me Zelenskyn, ku dhe deklaroi se Putini do të gjykohet në Hagë për krime lufte.
“Presidenti rus do të duhet të përgjigjet për veprimet e tij përpara Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë” – tha Presidentja e Komisionit
Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, kanë lëvizur për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe kanë vendosur – siç shkruan Sekretari i Shtetit Antony Blinken – të sanksionojnë 22 zyrtarë rusë, pesë prej të cilëve akuzohen për vjedhje dhe sekuestrimin e qindra tonëve grurë ukrainas, duke ndihmuar në përkeqësimin e krizës globale të ushqimit.
Në Potsdam të Gjermanisë, kancelari gjerman Olaf Scholz i dorëzoi “popullit ukrainas” çmimin prestigjioz M100 Media, çmim që u tërhoq nga kryebashkiaku i Kievit, ish-boksieri Vitali Klitschko, i cili megjithatë ishte kritik ndaj Gjermanisë.
“Zoti kancelar, ndoshta nuk jam i vetmi që më ka bërë kaq shumë përshtypje fjalimi juaj prekës. Këtë angazhim që po i ofroni Ukrainës, të gjithë neve, do të doja ta dëgjoja jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”.
Klitschko u ka bërë sërish thirrje institucioneve evropiane që të vendosin kufizime totale të vizave për qytetarët rusë, në mënyrë që ata të mos mund të udhëtojnë në Evropë për sa kohë që lufta në Ukrainë vazhdon.