Politike
Kim: Kam vetëm një kufizim nga Uashingtoni
TIRANË- Yuri Kim, si ambasadore e SHBA-së ka vetëm një kufizim nga Uashingtoni, të mos takojë personat që janë në listën e zezë të Amerikës si të korruptuar dhe minues të demokracisë, e këtu bën pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një kohë kur ka nisur takime intensive me përfaqësues të partive politike, përfshirë këtu edhe me Ilir Metën, Kim ka theksuar se jo vetëm ajo, por asnjë zyrtar amerikan nuk do të takojë kurrë Berishën, apo çdo njeri tjetër që është ‘i padëshiruar’ në SHBA-
“Do të vazhdoj të takohem me një gamë të gjerë drejtuesish politikë nga të gjitha partitë. E dini, kam vetëm një kufizim, dhe nuk është kufizim që ia vendos unë vetes, por është kufizim nga Uashingtoni…(Për Z. Berisha) …dhe ky kufizim është që nuk do të takohem me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor ose minim të demokracisë”, tha Kim.
Në nië intervistë, diplomatja është ndalur të flasë edhe për takimin me ish-presidentin Ilir Meta, me të cilin ka pasur marrëdhënie jo aq diplomatike. Mirëpo Kim, tha se te ai takim i bërë nuk kishte asnjë mesazh të fshehtë. Sipas saj, mesazhi kryesor është që institucionet demokratike kanë rëndësi dhe për aq kohë sa Meta drejton një parti politike, atëherë takimi me të ishte i rëndësishëm. Diplomatja amerikane dha edhe detaje duke thënë se është diskutuar për shumë çështje, për të cilat jo domosdoshmërish ka pasur një dakordësi mes palëve.
“Edhe një herë, nuk është mesazh i fshehtë. Është një mesazh shumë i hapur, që institucionet demokratike kanë rëndësi. Dhe, është normale në për vende, po e diskutoja këtë me stafin tim, që është normale, që në festën për Ditën tonë të Pavarësisë, që është festa më e madhe, më kryesorja, është normale që Ambasadori të flasë në emër të Shteteve të Bashkuara. Dhe është normale të ftohet përfaqësuesi më i lartë i vendit pritës. Kemi nderin e madh që thuajse çdo vit të kemi Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe për ne, pavarësisht kush është ai person, ai është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është ai që flet në emër të popullit shqiptar. Folëm, mendoj, për mbi dy orë. Ishte një diskutim shumë i mirë dhe disa nga gjërat, ish-Presidenti Meta përmendi disa nga gjërat, dhe mendoj se ishte një shkëmbim i mirë pikëpamjesh…A ishim në një mendje për të gjitha temat? Jo, sigurisht që jo”, tha Kim.