Aktualitet
Të gjithëve po ju vjen fundi/ Agron Shehaj hap dosjen e vilave të pushtetit
Nga vila luksoze në Palasë, “infinity pool”-i me pamje nga deti dhe vaskat e hidromasazhit, te akuza për paratë e tenderave dhe pasuria e zyrtarëve të lartë.
Dosja e SPAK-ut për vilën e dytë të sekuestruar ish-zv.kryeministres Belinda Balluku ka ndezur një tjetër përplasje politike.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke iu referuar përmbajtjes së dosjes, ngre pretendimin se vila nuk është financuar me paratë e Ballukut, por me paratë e përfituesve të tenderave të lidhur me të.
Sipas Shehajt, nëse këto para kanë ardhur nga korrupsioni me fondet publike, atëherë luksi i vilës është paguar në fund nga taksapaguesit shqiptarë.
“Para që duhet të shkonin në shëndetësi, në arsim, kanë shkuar për të ndërtuar ‘infinity pool’, për ta bërë Belindën të ndihet e llastuar si në hotel”, deklaron Shehaj.
Ai ndalet edhe te detajet e vilës të përmendura në dosje, duke sjellë në vëmendje pishinën “infinity pool”, dy vaskat e hidromasazhit dhe ambientet e jashtme të veshura me dru “teak”.
Por për kreun e Mundësia, çështja nuk përfundon te Balluku.
Shehaj e përdor dosjen për të ngritur një akuzë më të gjerë ndaj mënyrës se si, sipas tij, është krijuar pasuria e zyrtarëve të lartë të qeverisë.
“Këta kanë të gjithë vila, këta janë bërë milionerë duke vjedhur popullin më të varfër në Europë”, shprehet ai.
Njëkohësisht, Shehaj e cilëson si ndryshim të rëndësishëm faktin që, sipas tij, nuk ka më persona të paprekshëm.
“Të gjithëve po iu vjen fundi, po dalin përpara drejtësisë”, deklaron kreu i Mundësia.
Dhe më pas vjen mesazhi që e kthen reagimin e tij në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit.
“Tani radhën e ka Edi Rama”, thotë Shehaj.
Ai kërkon që SPAK të hetojë pasurinë e kryeministrit dhe e vendos fokusin te vilat dhe asetet e Edi Ramës.
“Tani është radha e vilave dhe pasurisë së Edi Ramës”, deklaron Shehaj.
SPAK e ka akuzuar Belinda Ballukun për vepra penale që lidhen me korrupsionin, abuzimin me tenderat, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Këto janë akuza që do të shqyrtohen në procesin gjyqësor.
Ndërsa beteja politike tashmë merr një tjetër drejtim: nga dosja e vilës së Ballukut, te pyetja e Agron Shehajt se kush do të jetë emri i radhës në fokusin e drejtësisë.