Aktualitet
SPAK shtrëngon lakun, hedh rrjetën mbi pasutitë, gjurmimi i parave hyn në një epokë të re
SPAK vendos gjurmën e parave në qendër të hetimeve. Një udhëzim i ri synon të unifikojë mënyrën se si prokurorët, hetuesit financiarë dhe BKH-ja do të analizojnë pasuritë, të ardhurat dhe transaksionet e personave nën hetim.
Në fokus janë jo vetëm veprat penale, por edhe ajo që ndodh me paratë e tyre: nga llogaritë bankare te pronat, bizneset, automjetet, transfertat dhe çdo aset tjetër që mund të zbulojë burimin e pasurisë.
Udhëzimi, i firmosur nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, përcakton një model të unifikuar për kryerjen e analizës financiare dhe pasurore. Dokumenti është i detyrueshëm për prokurorët, hetuesit financiarë dhe hetuesit e BKH-së.
Në praktikë, kjo do të thotë se hetimi financiar nuk trajtohet më si një element dytësor i dosjes. Pasuria, lëvizjet e parave dhe lidhjet financiare vendosen përballë burimeve të deklaruara të të ardhurave.
Modeli parashikon relacionin financiar, analizën në format Excel, burimet institucionale të informacionit dhe metodologjinë e analizës.
Hetuesit mund të mbledhin dhe të krahasojnë të dhëna nga sistemi bankar, regjistrat e pronësisë dhe biznesit, administrata tatimore, deklarimet e pasurisë dhe regjistrat e automjeteve.
Kështu, synimi është rindërtimi i plotë i gjurmës së pasurisë: sa janë deklaruar, sa janë fituar, ku kanë lëvizur paratë dhe në çfarë asetesh janë investuar.
Për zyrtarët dhe politikanët që janë objekt hetimi, deklarimet e pasurisë mund të shërbejnë për të krahasuar pasuritë me të ardhurat e deklaruara. Ndërsa në dosjet e krimit të organizuar, hetimi mund të shtrihet te kompanitë, pronat, transaksionet dhe personat e lidhur.
Kjo merr një rëndësi të veçantë edhe për procedurat e sekuestrimit dhe konfiskimit. Kur plotësohen kushtet ligjore, të dhënat e mbledhura gjatë hetimit financiar mund të përdoren në procedurat për pasuritë e paligjshme.
Megjithatë, udhëzimi nuk do të thotë se një kategori e caktuar politikanësh apo biznesmenësh do të kontrollohet automatikisht. Ai përcakton mënyrën se si SPAK do të zhvillojë hetimet financiare dhe pasurore kur ato janë pjesë e një çështjeje konkrete.
Mesazhi është i qartë: SPAK po standardizon mënyrën e ndjekjes së parave.
Dhe në dosjet ku dyshimet për korrupsion, krim të organizuar apo pastrim parash shoqërohen me pasuri të pajustifikuara, hetimi nuk ndalet më vetëm te pyetja “çfarë krimi është kryer?”, por shkon te pyetja tjetër, shumë më e rrezikshme:
Ku janë paratë, nga kanë ardhur dhe në emër të kujt përfundojnë?
Ky është pikërisht momenti ku hetimi penal takohet me pasurinë.