Connect with us

Aktualitet

Gjuhët e flakëve vazhdojnë/ 7 vatra zjarri aktive në vend, vijon monitorimi në qarqet e prekura

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e situatës së zjarreve në territorin e vendit, në orën 20:00.

Gjatë ditës janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive, 10 janë nën mbikëqyrje dhe 13 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të zjarreve janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale, si dhe 21 automjete zjarrfikëse.

Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 1 dron, 13 mjete dhe 1 autoambulancë.

Në Qarkun Tiranë vijon aktive vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës kanë operuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe në Malin me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Dibër mbeten aktive disa vatra në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë dhe në Pleshë, Klos. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz. Zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Mnelë të Madhe është shuar.

Në Qarkun Fier, zjarri në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktiv, ndërsa vatra në Peshtan mbahet nën monitorim. Për ndërhyrjen në Çërrilë janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.

Situata paraqitet më e qëndrueshme në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, ku vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës vijon puna në terren, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikohen banesa.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

Advertisement