Kronike
Nga lokal në biznes ilegal, arrestohet pronari dhe menaxheri
Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Vlorë pasi kanë përshtatur lokalin për organizimin e lojërave të fatit. Mësohet se në pranga kanë përfunduar administratori i lokalit si dhe pronari i tij. Po ashtu gjatë operacionit u sekuestruan 6 kompjutera që përdoreshin për hedhjen e lotarive të palejuara.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Vijojnë operacionet për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në fushën e lotarive të palejuara. Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Tabs”. Përshtatën lokalin për organizimin e lojërave të fatit, vihen në pranga pronari dhe administratori i lokalit. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme. Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve në lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat mund të organizohen lotari të palejuara, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në lagjen “Isa Boletini”, organizohej kjo veprimtari e paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tabs”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A.M., 31 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”, pronari i lokalit dhe Sh. N., 35 vjeç, banues në lagjen “Pavarsia”, administrator i lokalit. Këta shtetas dyshohen se kanë përshtatur lokalin që ndodhej në lagjen “Isa Boletini”, për organizimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, nëpërmjet 6 kompjuterave, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.