Connect with us

Kronike

Atentatet me eksplozivë/ Sulmet alarm për ekspertët

Në të gdhirë të 18 qershorit, kamerat e sigurisë në rrugën e “Shenjtorëve” në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, fiksuan një makinë të zezë që ecte me shpejtësi. Në orën 03:11, një prej pasagjerëve flak nga xhami i përparmë i makinës një objekt që lëshon xixa, që përplaset me fasadën e bardhë të ndërtesës 2-katëshe buzë rrugës dhe pas disa kërcimesh, ndalon pranë qepenit të godinës.

Tetë sekonda më vonë kamerat fiksojnë një shpërthim të madh që flak në rrugë një pjesë të vetratës dhe thyen xhamat e saj.

Shpërthimi tronditi 58-vjeçarin Shaban Aga, i cili po flinte i vetëm në katin e dytë të ndërtesës së sulmuar.

“Që pas vendosjes së tritolit zgjohem shumë herë natën,” thotë Aga ende i traumatizuar, ndërsa këmbëngul se nuk ka asnjë konflikt dhe se nuk di ku ta drejtojë gishtin.

 

 

“Menjëherë pas ngjarjes vendosa kamera sigurie në objekt, por ende nuk jam i qetë,” shtoi ai për ngjarjen, që vazhdon të mbetet e pazbardhur në skedarët e policisë.

Sulmi ndaj banesës së Agës është vetëm një ndër ngjarjet e rënda si pasojë e shpërthimeve me eksploziv. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN përmes raporteve të policisë dhe prokurorisë, eksplozivi u përdor për të kërcënuar sipërmarrës të vegjël, punonjës policie apo persona publikë në shtatë raste në qytetin e Durrësit.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në rang vendi u shënuan 65 raste të tilla në dy vitet e fundit, por vetëm një numër i vogël i atentateve apo kërcënimeve të kësaj natyre u zbardhën nga organet ligjzbatuese. Nga 65 incidente me eksploziv në total, vetëm 4 raste ose 6% u dërguan në gjykatë dhe vetëm 3 persona u dënuan në përfundim të proceseve.

Ekspertët e kriminalistikës u bien këmbanave të alarmit se sulmet e shpeshta me eksploziv janë një tregues i mjeteve të shantazhit që po përdor krimi i organizuar në Shqipëri, sipas një modeli të kopjuar nga mafia italiane.

“Disa prej këtyre [grupeve] janë stërvitur edhe andej, e kanë përdorur edhe andej duke u atashuar pranë grupeve mafiozie në Itali,” tha Ervin Karamuço, profesor i kriminalistikës në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.

Hetimet ngecin te transportuesit

Humbja e gjurmëve dhe zbulueshmëria e ulët i ka bërë të lakmueshëm eksplozivët dhe ka ndihmuar lulëzimin e tregtisë së tyre. Vetëm në Durrës gjatë dy viteve të fundit, policia ka sekuestruar disa kilogramë lëndë eksplozivë, kryesisht tritol dhe C4 dhe 9 mina të lidhura me celularë për shpërthime në distancë.

Dymbëdhjetë persona janë raportuar të arrestuar për këto raste, por vendimet gjyqësore për tre prej çështjeve të dërguara në gjykatë në këtë periudhë, tregojnë se të arrestuarit dhe dënuarit ishin vetëm transportues apo posedues të lëndëve plasëse dhe jo porositës të tyre.

Dokumentet gjyqësore të njërës prej çështjeve të gjykuara në Durrës tregojnë se një sasi prej 18 kilogramësh eksploziv u sigurua në një minierë kromi në veri të vendit dhe dyshohej se do të shitej për 12 mijë euro në Durrës.

Lënda plasëse u sekuestrua në fillim të vitit 2021, e ndarë në 29 kallëpe dhe e fshehur në bagazhin e një automjeti poshtë mbulesës së gomës rezervë. Policia e Durrësit arrestoi Shkumbin T, 31 vjeç dhe Bajram B, 42 vjeç, që të dy nga Kukësi, por autorësia u mor përsipër nga 31 vjeçari.

Shkumbin T., u dënua me 5 vjet e 4 muaj burg pasi tregoi se lëndën plasëse do ta shiste në Durrës, por porositësi i saj mbeti i paidentifikuar.

Prokuroria e Durrësit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se dënimet ishin vetëm për transportuesit dhe se hetimet ishin fokusuar te këta persona.

“Është e vërtetë që janë dhënë dënime vetëm për personat që e transportojnë si dhe hetimet janë fokusuar tek këta persona kryesisht”, tha Prokuroria.

Megjithatë, ajo shtoi se në shumicën e rasteve, hetimet për porositësit veçoheshin dhe vijonin.

Mina me telekomandë

Por ndërsa eksplozivët e marrë nga miniera janë të palidhur me kapsolla apo fitilë, jo rrallë policia ka sekuestruar paisje më komplekse të lidhura me celuarë, të përdorura për shpërthime në distancë. Këta eksplozivë janë përdorur më shpesh në atentate më të dhunshme, përfshi hedhje në erë makinash apo edhe vrasje.

Policia e Durrësit ka sekuestruar në dy vitet e fundit nëntë raste me eksplozivë të tillë. Në dy raste, vendimet e Gjykatës së Durrësit tregojnë se si të rinj me precedentë të lehtë penalë janë kapur nga kontrolle rastësore me mina me telekomandë, të cilat shiten në treg të zi për 2000 deri në 3000 euro copa.

Një person 29 vjeç me inicialet E.V u arrestua në 23 dhjetor 2020, pasi policia ushtroi kontroll dhe i gjeti dy celularë të lidhur me lëndë eksplozive. Policët që e ndaluan thanë në dëshmitë e tyre se qëndrimi i të riut pranë Muzeumit të Dëshmorëve u kishte ngjallur dyshime.

Vetëm disa muaj më vonë, në afërsi të Muzeumit të Dëshmorëve, policia e Durrësit arrestoi sërish një të ri, pas një telefonate anonime që i bënte me dije se ai kishte armë në një çantë të dyshimtë.

I riu u identifikua nga policia si Eluar Th.,dhe u kap me një qese në të cilën u sekuestruan dy mina me telekomandë të lidhura me aparatet celularë përmes të cilave do të realizohej shpërthimi.

Dy të rinjtë u dënuan respektivisht me 3.8 vite burg dhe 3.4 vite burg për posedimin e minave të telekomanduara. Ekspertizat e bëra në minat e kapura tregojnë se ato kishin lidhje funksionale dhe mund të shpërtheheshin nga distanca.

Ekspertët shpjegojnë se në një pjesë të rasteve, këto mina që shpërthehen me telekomandim janë të importuara. “I trafikojnë nga kufinjtë veriorë, që do të thotë se vijnë nga Serbia, Kosova, por më shumë nga Mali i Zi dhe janë industriale,” shpjegoi Karamuço.

Prokuroria e Durësit pranoi në një komunikim zyrtar se zbardhja e rasteve të shpërthimeve dhe hetimi përtej transportuesve kishte qenë i vështirë. Sipas prokurorisë, në tre vitet e fundit vetëm një rast shpërthimi me eksploziv ishte zbardhur.

Prokuroria vuri në dukje se shpesh hetimet për porositësit veçoheshin dhe ishin në vijim, por theksoi se në shumicën e rasteve, personat e kapur ishin autorë të vetmuar dhe nuk kishte indicie për grupe kriminale.

“Nga hetimet e këtyre procedimeve penale, rezulton se autorët veprojnë individualisht dhe nuk kemi patur indicie për grupe të strukturuara, pasi rrjedhimisht do ishte kompetencë e Prokurorisë së Posaçme,” tha Prokuroria e Durrësit.

Megjithatë, dështimi i hetimeve i mban shenjestrat e shpërthimeve me eksploziv në pasiguri.

Tre muaj pas ngjarjes, Shaban Aga thotë se nuk ka asnjë informacion për autorin e sulmit ndaj tij.

“Pas ngjarjes fillimisht gati çdo javë shkoja në Prokurorinë e Durrësit për të mësuar se çfarë ishte bërë, por më thoshin që është në hetim e sipër,” rrëfen Aga, i cili shtoi se tashmë hetimet po ndiqeshin nga avokati i tij.

“Akoma nuk dimë asgjë prej gjëje, as për autorët e dyshuar, as se ku kanë shkruar hetimet,” përfundoi ai./Reporter.al

Advertisement