Kronike
Vdekja e të riut/ Rrumbullaku: Efektivët që e ndaluan, u pezulluan
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka deklaruar se punonjësit e policisë së patrullës që bënë ndalimin e Lear Kurtit, janë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Në një prononcim në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Rrumbullaku nuk preferoi të bëjë komente dhe të japë informacione të tjera në lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se duke qenë se policia ka qenë palë e kësaj ngjarje, nuk mund të japë asnjë deklaratë.
‘Policia duke qenë palë, në lidhje me problemin, nuk ka dhënë asnjë lloj deklarate. Ju lutem shumë, përgjigjia ime është e thjeshtë dhe e qartë. Është një rast fatkeq. Ju lutem shumë, nuk kemi një polici të inkriminuar. Nëse bëhet fjalë për rastin, do të ketë një ekspertizë mjekoligjore. Unë jam drejtor i përgjithshëm dhe nuk mund të jem pjesë e hetimit. Po janë të pezulluar punonjësit e policisë’, tha kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Policia tha se 32-vjeçari u ndje keq dhe u dërgua në spital ku humbi jetën, ndërsa në deklaratën e Traumës thuhet se Kurti ka shkuar në spital i vdekur. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, Prokuroria dhe AMP kanë deklaruar se brenda në stomak kishte një qese plastike që mendohet se kishte brenda lëndë narkotike. Në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.