Connect with us

Politike

Çfarë i bashkoi sot Berishën dhe Biberajn në SHBA, një vit pas përplasjes publike për PD-në

Lideri i së djathtës shqiptare u prit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një grup shqiptarësh, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë atje. Mëngjesin e së shtunës, ish-kryeministri Sali Berisha shkeli tokën amerikane, ndërsa ashtu siç kemi njoftuar edhe më herët, axhenda e tij gjatë këtyre ditëve është e ngarkuar me një sërë takimesh me përfaqësues të diasporës shqiptare.

Një prej takimeve u zhvillua së fundmi në New Jersey, ku Berisha, së bashku me disa shqiptarë të diasporës, shtruan një drekë dhe diskutuan mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Gjatë bisedës, ish-kryeministri ndau me të pranishmit edhe shqetësimin e tij për shpopullimin e vendit.

Në mesin e të ftuarve ishte edhe gazetari shqiptaro-amerikan dhe historiani i njohur Elez Biberaj. Siç shihet edhe në pamjet e publikuara nga vetë Berisha, gjatë takimit Biberaj ka marrë fjalën dhe ka qenë pjesë e diskutimit.

Një vit më parë kërkonte largimin e Sali Berishës nga

Elez biberaj pjese e takimit me Berishen

Prania e tij në të njëjtën tryezë me Berishën vjen vetëm një vit pasi, Biberaj ka dalë publikisht kundër vijimit të ish-kryeministrit në krye të Partisë Demokratike.

Në nëntor të vitit 2025, gazetari shqiptaro-amerikan analizoi krizën e brendshme të PD-së, duke argumentuar se pavarësisht peshës historike të Berishës, qëndrimi i tij në krye të partisë po pengonte ringritjen dhe rinovimin e opozitës.

Biberaj kishte theksuar nevojën për një riformësim të thellë të Partisë Demokratike, më shumë demokraci të brendshme dhe hapësirë për figura të reja, duke e konsideruar largimin e Berishës një mundësi për rigjallërimin e opozitës dhe krijimin e një alternative më moderne politike.

“Largimi i Berishës mund të shkaktojë beteja fraksionesh dhe paqëndrueshmëri afatshkurtër, por më shumë gjasa ka që të gjallërojë opozitën, duke çliruar energjinë dhe talentin e gjatë të shtypur. Partia Demokratike ka tashmë anëtarë të rinj premtues, potenciali i të cilëve është errësuar nga përçarjet e brendshme. Me hapësirë për t’u zhvilluar, ata mund të ndihmojnë në riformësimin e së ardhmes së partisë. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj duke tërhequr anëtarë dhe zëra të rinj, duke siguruar që rinovimi të mos kufizohet vetëm në ndërrimin e brezave, por të mbështetet në pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Me zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe ato parlamentare në vitin 2029, partia ka një mundësi vendimtare për t’u riorganizuar dhe rindërtuar”, shkruante ai aso kohe.

Çfarë shkruante Elez Biberaj një vit më parë, postimi i plotë: 

Elitat e Rrënjosura, Demokracia e Penguar:

Sistemi politik është ngurtësuar, duke gërryer kapacitetin institucional, penguar rinovimin dhe kufizuar mundësitë e pjesëmarrjes demokratike. Politika mbizotërohet nga Partia Socialiste dhe një Parti Demokratike e dobësuar. Këto dy parti kanë penguar në mënyrë sistematike fuqizimin e forcave të tjera politike dhe shfaqjen e alternativave të reja.

Rrjetet e klientelizmit dhe rrënjosja e elitave ushqejnë një sistem të ngurtë, ndërsa suksesi i brezit të ri shqiptar jashtë vendit nxjerr në pah potencialin e shpërdoruar brenda vendit. Emigrimi ka varfëruar kapitalin njerëzor, duke thelluar inercinë dhe duke zgjeruar hendekun mes gjallërisë shoqërore dhe ngurtësisë politike.

Përballë prirjeve autoritare dhe gërryerjes së mbikëqyrjes institucionale, e ardhmja demokratike e Shqipërisë kërkon një kundërvënie dhe mobilizim të gjerë në të gjitha sferat politike, institucionale dhe shoqërore. Kjo nënkupton një ndryshim rrënjësor: parti politike që ofrojnë alternativa të besueshme, një shoqëri civile të rigjallëruar, zëra intelektualë të angazhuar dhe një qytetari pjesëmarrëse, mbi të gjitha, një brez i ri i gatshëm të veprojë si promotor i ndryshimit.

Të dy partitë kryesore po përballen sot me kriza të përtëritjes, ndonëse në forma të ndryshme: Partia Demokratike si rrjedhojë e përçarjes dhe lodhjes, ndërsa Partia Socialiste si rrjedhojë e përqendrimit të tepruar të pushtetit dhe pajtimit të verbër me kryeministrin.

Kjo krizë e ngecjes është më e dukshme në Partinë Demokratike, e cila përballet me një sfidë vendimtare. Gabimet e viteve të fundit – mospjesëmarrja në procesin për ndryshimet territoriale, tërheqja nga parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore – e kanë shtyrë partinë drejt skajit politik.

Shpallja e Sali Berishës si person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara, pasuar nga problemet ligjore dhe vendosja në arrest shtëpiak, thelluan ndasitë e brendshme dhe dobësuan besueshmërinë e partisë. Megjithëse ajo garoi në një mjedis zgjedhor tërësisht të anuar kundër saj, rezultatet nxorën në pah një të vërtetë më të thellë: mesazhi i saj nuk arriti të gjejë jehonë. Retorika, stili i udhëheqjes dhe vizioni politik i Partise Demokratike duken gjithnjë e më të shkëputur nga aspiratat e elektoratit.

Sot, Partia Demokratike mbijeton kryesisht falë qëndrueshmërisë personale dhe trashëgimisë së Berishës. Karizma dhe pesha e tij historike vazhdojnë të sigurojnë besnikëri, por nuk mund të zëvendësojnë një program të qartë apo një platformë të orientuar drejt së ardhmes. Pa një riformësim të guximshëm – demokraci të brendshme, zëra të rinj dhe një vizion bindës –partia rrezikon të shihet si mbetje e së shkuarës, jo si forcë e rëndësishme për demokracinë e sotme. Berisha mbetet një nga figurat më përcaktuese të historisë postkomuniste të Shqipërisë: presidenti i parë demokratik i vendit, kryeministër dy herë dhe një udhëheqës opozitar i palëkundur.

Tani, ai ka mundësinë ta përmbyllë karrierën publike duke marrë rolin e një burri shteti të respektuar dhe duke hapur rrugën për udhëheqje të re, në vend që të kapet pas pushtetit. Duke udhëhequr një kalim të hapur dhe konkurrues, ai mund të kontribuojë që e ardhmja e partisë të mos kushtëzohet nga besnikëria ndaj një figure të vetme, por të formësohet nga debati i hapur, meritat e anëtarësisë dhe vizioni i qartë politik për të ardhmen.

Në fund të fundit, asnjë udhëheqës, sado me peshë, nuk mund të mbajë pafundësisht barrën e sigurimit të mbarevajtjes së një partie – besueshmërinë, rëndësinë dhe rolin e saj në peizazhin politik. Shtyrja e ditës së pashmangshme të përballjes do të zgjasë vetëm agoninë e Partisë Demokratike, duke thelluar paralizën e brendshme, duke gërryer besimin publik dhe duke e bërë kalimin në udhëheqjen e ardhshme më të ndërlikuar dhe më të kushtueshëm.

Largimi i Berishës mund të shkaktojë beteja fraksionesh dhe paqëndrueshmëri afatshkurtër, por më shumë gjasa ka që të gjallërojë opozitën, duke çliruar energjinë dhe talentin e gjatë të shtypur. Partia Demokratike ka tashmë anëtarë të rinj premtues, potenciali i të cilëve është errësuar nga përçarjet e brendshme.

Me hapësirë për t’u zhvilluar, ata mund të ndihmojnë në riformësimin e së ardhmes së partisë. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj duke tërhequr anëtarë dhe zëra të rinj, duke siguruar që rinovimi të mos kufizohet vetëm në ndërrimin e brezave, por të mbështetet në pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Me zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe ato parlamentare në vitin 2029, partia ka një mundësi vendimtare për t’u riorganizuar dhe rindërtuar.

Rinovimi demokratik duhet të përfshijë edhe Partinë Socialiste në pushtet. Ironikisht, kjo parti ka qenë më demokratike në brendësi gjatë viteve ’90 nën udhëheqjen e Fatos Nanos sesa është sot. Nën udhëheqjen e Ramës, besnikëria ka zëvendësuar llogaridhënien, ndërsa pluralizmi i brendshëm i ka lënë vendin pajtimit të verbër. Partia Socialiste duhet të përballet me rreziqet e sundimit të një njeriu të vetëm dhe të rimarrë karakterin e saj institucional, duke promovuar një debat të vërtetë politik dhe duke toleruar mendimin ndryshe.

Ky ngushtim i pluralizmit të brendshëm pasqyrohet edhe në peizazhin më të gjerë politik, ku tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, nuk kanë dalë alternativa të besueshme që të sfidojnë mbizotërimin e dy partive kryesore. Pas arrestimit të ish presidentit Ilir Meta për akuza korrupsioni, partia e tij pothuajse u shpërbë, duke lënë jetën politike shqiptare të mbajtur peng nga socialistët dhe demokratët.

Mungesa e alternativave pasqyron jo vetëm ngecjen e sistemit politik dhe ngushtimin e zgjedhjes demokratike, por nënvizon edhe domosdoshmërinë e hapjes së rrugëve për aktorë të rinj. Brezi i ri i Shqipërisë e ka dëshmuar aftësinë e tij për inovacion jashtë vendit, por roli i tij në atdhe mbetet i papërfillshëm. Për të marrë drejtimin, ky brez duhet të kanalizojë aftësitë e veta në angazhim qytetar, organizim nga baza dhe ndërtimin e platformave politike që pasqyrojnë realitetin e tyre. Universitetet, rrjetet profesionale dhe lidhjet me diasporën mund të shërbejnë si terren për të nxitur formimin e udhëheqjes, duke ndihmuar të rinjtë shqiptarë të shndërrojnë përvojën e fituar jashtë vendit në reforma brenda atdheut.

Shfrytëzimi i këtij potenciali përmes lëvizjeve qytetare dhe ndryshimeve institucionale mund të sjellë një rigjallërim politik. Pa këtë, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend me njerëz të talentuar, por i drejtuar nga një politikë e ngurtë. Demokracia shqiptare do të përfitonte ndjeshëm nga forca të reja politike moderne, me platforma që i përgjigjen realiteteve të një brezi të lindur pas komunizmit, në vend që të mbetet e lidhur me trashëgimitë e së kaluarës.

Nevoja për rinovim shtrihet përtej partive politike, duke përfshirë themelet e vetë jetës demokratike. E ardhmja e vendit nuk mund të varet vetëm nga Partia Socialiste, Partia Demokratike apo ndonjë aktor i vetëm politik. Ajo që kërkohet është një rinovim që angazhon qytetarët, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar llogaridhënie dhe për të nxitur pjesëmarrjen qytetare. Së bashku, këto shtylla përbëjnë themelin e ringjalljes demokratike, por secila është e brishtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

Advertisement