Connect with us

Bota

132 viktima…Shembja e urës me VIDEO

Thellohet bilanci i viktimave që humbën jetën nga shembja e urës në Indi. Në media po qarkullojnë pamje disa sekonda para shembjes së urës, ku disa persona po e tundin pa e ditur rrezikun që i kanosej. E gjithë skena është xhiruar nga një kamera sigurie. Disa sekonda pas fillimisht të filmimeve, ura shembet dhe të gjithë përfundojnë në ujë. Deri më tani raportohet për 132 të vdekur, ndërsa autoritetet vlerësojnë se rreth 500 njerëz, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ishin mbi dhe rreth urës, duke marrë pjesë në ngjarjet për një festë fetare.

Ura mbi lumin Machu, e cila kalon përmes Morbit, rreth 200 kilometra në perëndim të Ahmedabad, qyteti më i madh në shtetin e Gujarat, u ndërtua gjatë periudhës së sundimit kolonial britanik. Por sapo ishte rihapur për publikun pas muajsh mirëmbajtjeje.

“Njerëzit ranë mbi njëri-tjetrin kur ura u largua. Ata ishin mbledhur për ceremonitë e festës së Divalit. Mes viktimave ka shumë gra dhe fëmijë”, tha një dëshmitar okular për një media indiane.

Ura e varur, 233 metra e gjatë, është ndërtuar në vitin 1880, me materiale të sjella në Gujarat nga Anglia. Sipas informacioneve të transmetuara nga rrjeti televiziv NDTV, ajo u rihap për publikun të mërkurën e kaluar pas shtatë muajsh punë mirëmbajtjeje, por ende nuk ka asnjë certifikatë sigurie nga autoritetet.

Aksidentet që kanë lidhje me infrastrukturën e degraduar janë të zakonshme në Indi, veçanërisht në ura. Në vitin 2016, shembja e një ure këmbësorësh në qytetin e Kalkutës (Lindje) u mori jetën e të paktën 26 personave. Në vitin 2011, të paktën 32 njerëz vdiqën kur ura mbi të cilën ndodheshin u shemb gjatë një festivali fetar në Indinë verilindore, rreth 30 kilometra nga qyteti i Darjeeling. Më pak se një javë më vonë, rreth 30 njerëz të tjerë vdiqën nga shembja e një ure për këmbësorë që lidh dy brigjet e një lumi në shtetin e Arunachal Pradesh (verilindje).

Advertisement