Kronike
Turisti kolumbian mbetet i izoluar, shpëtohet nga policia
Pas disa orësh kërkimesh është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i turistit kolumbian, i cili kishte mbetur i bllokuar në një zonë të pyllzuar dhe të thepisur të fshatit Dhërmi pasi kishte humbur rrugën. Policia njofton se në bashkëpunim me rapartin e zjarrfikësve është bërë i mundur lokalizimi dhe shpëtimi i tij.
Blutë e Himarës bëjnë me dije se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pësuar lëndime.
NJOFTIMI I POLICISË:
Himarë/Punonjësit e Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e zjarrfikëses, i vijnë në ndihmë një turisti kolumbian që kishte mbetur i izoluar në një zonë të pyllëzuar, në terren të vështirë, në fshatin Dhërmi.
Mesditën e sotme, në sallën operative Himarë ka ardhur një telefonatë se një turist kolumbian kishte mbetur i izoluar në një zonë të pyllëzuar dhe të thepisur, në fshatin Dhërmi. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e zjarrfikëses, pas disa orësh kërkimi, kanë bërë të mundur gjetjen e turistit kolumbian, i cili ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. DVP Vlorë fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.