Connect with us

Aktualitet

Ekzekutimi i Erjon Xhenjes/ Çfarë dëshmoi babai dhe kamarieri

Një nga personat e parë që u pyet në lidhje me vrasjen e Erjon Xhenjes, ishte edhe kamarieri i lokalit ku ndodhi vrasja.

Një nga shumë dëshmitarët okularë në vendngjarje.

Kamarieri i Lokalit

 

Rreth orës 18:00 po luhej ndeshja Vllaznia-Kastrioti.

Në këtë moment në lokal kishte shumë klientë sepse po shikonin ndeshjen. Ndeshja mbaroi diku nga ora 19:45 edhe shumica e njerëzve u larguan. Unë mblodha gotat dhe filxhanët e mbetur nëpër tavolina edhe i çova te banaku për t’i larë. Më pas u ula në tavolinën ngjitur me banakun duke u marrë  me telefonin. Në njërën prej tavolinave ishte i ulur Erjon Xhenje me disa shokë. Ndërsa në tavolinën ngjitur me ta kanë qenë edhe tre ose katër persona. Gjatë kësaj kohe dëgjova krisma arme edhe në këtë moment pashë të gjithë të vraponin duke ardhur në drejtimin tim, të cilët po tentonin të ngjiteshin në katin e dytë të lokalit. Në këtë moment edhe unë u ngjita lart bashkë me ta.

Kur mbaruan krismat u ulëm poshtë edhe pashë se kishin vrarë Erjonin. Mora në telefon pronarin dhe i tregova ngjarjen. Më pas erdhi policia, e cila më gjeti vetëm mua dhe viktimën, pasi të tjerët ishin larguar me vrap.

Por ai që i përjetoi më nga afër krismat dhe u trondit nga humbja tragjike e jetës së Erjon Xhenjes, do të ishte një nga klientët e lokalit.

I cili rrëfeu për grupin hetues edhe këtë moment të trishtë për të

Klient në lokal

Në momentin e vrasjes kam qenë në lokal në këmbë së bashku me shokët e mi.

Kam qenë më fytyrë nga qendra e qytetit. Kur vura re se nga rrugica ngjitur me lokalin doli një motor dhe në të ishin dy persona me skafandër në kokë. Ata ndaluan në fund të shkallëve të lokalit. Personi që ishte pasagjer zbriti nga motori dhe vura re që nxorri pistoletën. Ai erdhi ngjitur pas meje dhe qëlloi djalin që ishte ngjitur me tavolinën ku ndodheshim ne. Unë nga frika ia futa vrapit dhe ika në shtëpi.”

Por ai që do të jepte të dhëna të rëndësishme për grupin hetues, lidhur mbi vrasjen e të birit, do të ishte babai i Erjon Xhenjes.

Personi që shikoni edhe në këto pamje filmike, vetëm pak minuta pas ekzekutimit të të birit.

Teksa i kërkon me ngulm policisë, të shikojë trupin e pajetë të djalit.

Babai i Erion Xhenjes, që dha për grupin hetues, një indicie të arsyeshme se kush mund të ishin autorët e vrasjes së djalit të tij.

I cili, edhe pse nuk hodhi akuza të drejtpërdrejta, tregoi për hetuesit, se ai kishte shkuar për të shprehur ngushëllime në familjen Çekorja.

Për humbjen në atentat të të afërmit të tyre.

Ismet Çekorja, që ishte ekzekutuar më 2 shtator 2022,

Familje, të cilat i ndanin vetëm 100 metra nga banesat e tyre.

Por që sipas babait të Erjon Xhenjes, ai ishte pritur ftohtë nga familja Çekorja.

Çka kishte rritur dyshimin te ai, se diçka nuk shkonte.

Pa e menduar, se vrasja e Ismet Çekorjas, kishte lidhje me familjen e tij.

Dhe aq më pak të dyshonte, që hakmarrja e shpejtë e tyre, do të binte mbi djalin e tij.

Babai i Erion Xhenjes

Shkova në ceremoninë mortore të Ismet Çekorjas. Por ata më pritën ftohtë.

Pas kësaj mora nipat në telefon dhe i pyeta. A mos keni ju gisht ne vrasjen e Çekorjas? Ata më thanë, jo. Por, kur u vra djali, as vëllai dhe as nipat nuk më erdhën për ngushëllim.

 Edhe pse babai i Erjon Xhenjes e pyeti familjen e vëllait të tij, përse kjo ftohtësi nga ana e familjes Çekorja, ai nuk e mori kurrë këtë përgjigje.

Madje, ishte e habitshme mungesa e familjes së vëllait në mortin që tashmë kishte rënë në familjen Xhenje.

Por ç’lidhje kishte familja Xhenje, me vrasjen e Ismet Çekorjas?

A u kthye i riu Erjon Xhenje, në martir të një lufte të përgjakshme interesash, ku ai duket se ishte më i pafajshmi në këtë histori?

Sipas dosjes hetimore, edhe në vrasjen e të riut Xhenje, personi i parë i dyshuar, është Bajram Çekorja.

I njëjti, i cili bashkë me mikun e tij Tornato Fusha, është në kërkim nga policia, edhe për atentatin e dështuar më 25 gusht 2022, ndaj Alban Bruçit.

Policia e Shkodrës

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 18 Shtator 2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 19-vjeçari, Erion Xhenje, nga provat e grumbulluara, dyshohet se autori i kësaj ngjarje, është Bajram Çekorja, 24 vjeç, banues në Shkodër. I cili është identifikuar dhe shpallur tashmë në kërkim.

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën ‘Saraçej’, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohen se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po përse Bajram Çekorja, qëlloi pikërisht ndaj të riut të familjes Xhenje, për të marrë hakun e babait të tij?

Cili ishte dyshimi që e brente?

Për të kuptuar edhe njëherë pse kjo vrasje, vinte në vazhdën e atyre që kishin tronditur në seri muajin e fundit Shkodrën, grupi hetues beson se vrasja e Erjon Xhenjes erdhi si hakmarrje, pikërisht për shkak të ngjarjeve të fundit.

 Dosja Hetimore

Nga informacionet e marra në rrugë operative është arritur në dyshimin e arsyeshëm se autori i mundshëm i vrasjes së Erjon Xhenjes, është shtetasi Bajram Çekorja. Kjo pasi viktima, Erjon Xhenje, është djali i xhaxhait të shtetasit Shkëlzen Xhenje i shpallur në kërkim.

Siç shikohet edhe nga dosja hetimore, vrasja e Erjon Xhenjes, dyshohet të jetë një hakmarrje e Bajram Çekorjas, ndaj djemve të xhaxhallarëve të tij.

Shkëlzen dhe Sehar Xhenje.

Dy emra të njohur për policinë e Shkodrës, të lidhur në ngjarje të mëparshme kriminale, të ndodhura në këtë qytet.

Ku thuhet që vëllezërit Xhenje, kishin lidhje shoqërore me Astmer Bilalin.

Një tjetër emër i përveçëm, i rëndësishëm, i krimit në Shkodër.

Personi që sot ndodhet në kërkim nga policia, për vrasjen e Ismet Çekorjas.

Babait të Bajram Çekorjas.

Edhe pse nuk ka prova konkrete, policia ka dyshime të forta se Shkëlzen Xhenje, është një nga personat, e përfshirë në vrasjen e Ismet Çekorjas.

Vrasje, të cilën mendohet, se ai e ka kryer për llogari të Astmer Bilalit.

Çka besohet, se ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të Bajram Çekorjas, duke vrarë të afërmin e vëllezërve Xhenje.

Vrasja e Erjon Xhenjes, që thuhet se u krye në po të njëjtën dinamikë si ajo e Ismet Çekorjas.

Një mesazh i qartë ky hakmarrje nga autorët.

Të cilët, mesa duket, nuk dëshironin të linin mëdyshje, se kush ishin vrasësit dhe përse u krye krimi.

Ndërkohë që fill pas ngjarjes, policia ushtroi kontroll në banesën e personave të dyshuar për vrasjen e Erion Xhenjes, por pa mundur ti kapë ata.

Dosja Hetimore

Menjëherë pas vrasjes së Erion Xhenjes, u ushtrua kontroll në banesat e shtetasve Bajram Çekorja dhe Abedin Bajraktari.

Të cilët nuk u gjendën në banesë. Për këtë arsye u pyetën familjarët e shtetasit Bajram Çekorja, nëna dhe motra e tij, të cilët deklaruan se nuk kanë dijeni për venddodhjen e tij. Ndërkohë që ky shtetas është në kërkim edhe si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri në tentativë të shtetasit Alban Bruçi, ndodhur më datë 25 Gusht 2022 në qytetin e Shkodrës .

Edhe pse policia krehu zonën dhe sekuestroi kamerat e sigurisë në lokalin ku ndodhi vrasja, ata nuk mundën të binin në gjurmët e autorëve.

Të cilët, edhe sot vazhdojnë të jenë në arrati.

Ndërkohë që grupi hetues, investigoi edhe rolin e një të riu, që dyshohet se vëzhgoi dhe informoi ekzekutorët, mbi lëvizjet e Erjon Xhenjes.

Person, i cili thuhet se u shoqërua dhe u mbajt në polici për disa orë, por që më pas u la i lirë.

Por ajo që e përjetoi edhe më shumë dhimbjen e humbjes të së birit, ishte padyshim nëna e Erjon Xhenjes.

Ajo e cila, në një dedikim të gjatë për të birin, sot kërkon jo vetëm drejtësi, por edhe ti mbrohet jeta e familjes.

E cila ndihet edhe më shumë e kërcënuar pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Shkodër.

Nëna e Erion Xhenjes

Jam Elvira Xhenje, nëna e të ndjerit Erjon Xhenje, të riut që u vra në Shkodër me datë 18 Shtator 2022.

Vrasja e djalit tonë ka qenë një tronditje e madhe për familjen tonë, por jo vetëm. Dhimbjen për djalin tim e kam parë në sytë e gjithë prindërve që në sytë e mi kanë parë veten e tyre, sesi një fëmijë të pafajshëm i merret jeta me pa të drejtë. Dhimbjen për Erjonin e kam parë në sytë e të rinjve që e kuptojnë sesa e pasigurtë dhe e pa vlerë është jeta në Shqipëri.

Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penalë. Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim.

Erjon Xhenje ka qenë student i degës fizioterapi. Ka qenë një i ri me angazhime në jetën personale dhe shoqërore.

Erjoni është edukuar me vlera dhe i ka manifestuar në familje dhe në rrethin e tij të pastër shoqëror.

Erjoni ka qenë një djalë besimtar. Jam e sigurtë qe ai është lule në xhenet.

Allahu e pastë në mbrojtje pasi në këtë jetë ka padrejtësi.

Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim. Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje, pasi ndihemi të pambrojtur.

Advertisement