Kosova
Pas dorëheqjes së policëve serbë, EULEX-i zbarkon në veri
Në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore të vendit. Ndërkohë, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme.
Nuk kanë mbetur edhe shumë orë deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për shqiptimin e gjobave për qytetarët që në veturat e tyre bartin targa ilegale, KM në vend të atyre legale, RKS.
Derisa qytetarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se nuk pajtohen me zëvendësimin e targave, Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur në zbatimin e këtij vendimi.
E serbët lokalë kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme.
Pikërisht, kundërshtimi për shqiptimin e masave bëri që drejtori i policisë në veri të shkarkohet, që pasoi me dorëheqjen e kryetarëve të komunave, policëve, gjyqtarëve e prokurorëve, asamblistëve, doganierëve e shumë zyrtarëve të tjerë serb.
Duke parë situatën, në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore.
E komandanti i 25 karabinierëve italian që erdhën së fundmi në Kosovë, Mariano Bastanza thotë se tani po monitorojnë situatën.
“Ne jemi këtu për të mbështetur mandatin e misionit të EULEX-it që do të thotë të ndihmojmë të gjitha autoritetet dhe popullin e Kosovës për të përmirësuar gjendjen e tyre aktuale, e cila mbetet e ndjeshme, veçanërisht në veri”, thotë Mariano Bastanza, komandant italian. “Po, le të themi se duhet vetëm të monitorojmë, deri tani, situatën”.
Ai thotë se po e mbështesin Policinë e Kosovës.
“Sepse ne kemi disa informacione se çfarë po ndodh dhe situata është ende e ndjeshme”, tregon Bastanza. “Ne jemi këtu për të mbështetur, në thelb, policinë e Kosovës – dhe autoritetet. Këshillimi i tyre dhe monitorimi i situatës – ky është mandati ynë deri më tani”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po përpiqen për të gjetur një zgjidhje para të hënës kur edhe hyn në fuqi masa e shqiptimit të gjobave për qytetarët me targa ilegale.
Për këtë, të premten, BE ftoi në një takim palën kosovare dhe atë serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas paralajmërimeve, pritet të takohen të hënën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të gjetur zgjidhje në lidhje me këtë çështje./RTK/