Kronike
Tërhoqi para nga bankomati/ Dhunohet dhe grabitet aktori Rezart Veleshnja
Aktori i njohur humorit, Rezart Veleshnja, i njohur për rolet epike në emisionin e humorit “Portokalli” që kanë mbetur në kujtesën e publikut, ka rënë pre e një grabitje me dhunë disa ditë më parë. “Prapaskena” mëson se Rezart Veleshnja është goditur në befasi pranë një bankomati nga një grup personash, në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Aktori është goditur sapo ka tërhequr një shumë të hollash nga bankomati, e më pas agresori bashkë me disa persona të tjerë i kanë futur duart në xhep dhe i kanë marrë paratë. Si pasojë e sulmit, aktori Rezart Veleshnja ka pësuar dëmtime deri në një shkallë të rëndë, në disa pjesë të trupit.
Nga ana e saj, Policia ka arritur të zbulojë grabitësit, duke i arrestuar. Deri më tani është zbuluar se grupi i grabitësve ndiqnin qytetarët duke i sulmuar në kohën që dilnin nga banka duke u marrë paratë me dhunë. Autorët tashmë rrezikojnë nga 5 deri në 15 vite burg për grabitje me dhunë.