Lifestyle
Ja si mund të kontrolloni ëndrrat tuaja
Ishte një natë e zakonshme për shkencëtarin Benxhamin Beird, në atë kohë student i vitit të fundit në Universitetin e Kalifornisë. Ora ishte 1 e mëngjesit, dhe ai po lexonte gjithçka që mund të gjente në internet mbi temën e disertacionit të tij, që ishte ndërgjegjja njerëzore.
Në atë moment ai gjeti disa informacione rreth ëndrrave të kthjellëta.
“Nuk e kisha menduar kurrë se ishte e mundur diçka e tillë. A mund të jem i vetëdijshëm teksa jam në gjumë dhe duke parë ëndrra?”- thotë ai. Beird-in e zuri gjumi duke menduar për atë që sapo kishte lexuar. Shumë shpejt ai ishte në një botë ëndrrash. Po shihte dorën e tij.
Një. Dy. Tre. Prisni? Tre? “Oh”- mendoi ai: Unë jam në gjumë. Jam duke ëndërruar!”.
Puna e tij, së bashku me atë të të tjerëve, i ka ndihmuar shkencëtarët të gjejnë mënyra për të shfrytëzuar ëndrrat e kthjellta për përmirësimin e shëndetit mendor dhe performancës fizike.
Në vitet 1970, kur psikofiziologu i Universitetit të Stenfordit, Stefën LaBerge filloi të zhvillonte teknika që i lejonin vetes dhe të tjerëve të kontrollonin ëndrrat e tyre, bota shkencore ishte në fillim skeptike. Sepse ishte e vështirë të vërtetohej se LaBerge dhe të tjerët shihnin vërtet ëndrra duke qenë në një gjendje të vetëdijshme.
Por LaBerge dhe studiues të tjerë gjetën disa ëndërrimtarë të tillë që ishin të gatshëm të flinin në një laborator me të gjitha llojet e sensorëve të bashkangjitur në trupat e tyre, përfshirë mbi qepallat e tyre. Në një nga këto eksperimente, botuar në “Nature Communications” në vitin 2018, pjesëmarrësve në studim iu kërkua të lëviznin sytë majtas, pastaj djathtas, pastaj majtas, pastaj djathtas, si një sinjal se ishin të vetëdijshëm gjatë kohës së gjumit.
Pastaj, ndërsa shihnin ëndrra, pjesëmarrësit zgjatën njërin nga krahët, dhe me gishtin e madh vizatuan një rreth në ajër, duke ndjekur atë rreth me sytë e tyre. Për të qenë të qartë, pjesëmarrësit po i ëndërronin të gjitha ato veprime. Jashtë ëndrrës, në laborator, krahët e tyre ishin të palëvizshëm, por sytë e tyre jo.
Ndërsa sytë e tyre gjatë ëndrrave lëviznin në formën e një rrethi, po kështu ndodhi edhe me sytë e tyre në gjumë siç u regjistrua edhe nga sensorët. Më pas, në një studim të vitit 2021 nga Karen Konkoli dhe studiues të tjerë në Universitetin Veriperëndimor, njerëzit në studim kryen një lëvizje të ngjashme të syve majtas, djathtas, majtas dhe djathtas për të treguar qartësinë e tyre.
Pastaj Konkoli u kërkoi ëndërrimtarëve të kthjellët të bënin disa veprime matematikor. “Sa bëjnë 8-6?”- pyeti ajo një nga pjesëmarrësit e studimit. Ai i lëvizi sytë dy herë përpara dhe mbrapa, për të treguar se përgjigjja ishte “dy”. “Nuk mund ta besoja. Thirra disa studiues për të rishikuar të dhënat, dhe për të konfirmuar se pjesëmarrësi ishte me të vërtetë në gjumë”- shprehet ekspertja.
Për shumë vite, ëndërrimi i vetëdijshëm ishte ose një kalim kohe argëtuese ose një ndjekje shpirtërore. Por kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar disa përdorime interesante. Për shembull, sipas një studimi të botuar në vitin 2016 në “Journal of Sports Science”, njerëzit që praktikonin hedhjen e shigjetave gjatë një ëndrre të kthjellët, e përmirësonin performancën e tyre të gjuajtjes së shigjetave kur ishin zgjuar.
Një aplikim tjetër ka lidhje me ankthet e vazhdueshme, të cilat prekin deri në 6 për qind të të rriturve të paktën 1 herë në javë. Në një formë të terapisë me këto lloj ëndrrash, pacientët inkurajohen të përballen, intervistojnë, pranojnë dhe madje të miqësohen me demonët e tyre që shohin në ëndrra.
Në një studim të publikuar këtë vit në “Current Biology”, njerëzit që përdorën teknika të terapisë së ëndrrave ishin në gjendje të reduktonin numrin e maktheve që përjetuan. Ëndrrërimi në një gjendje të vetëdijshme, është një aftësi të cilën mund ta zhvilloni me praktikë.
Provoni vetë disa nga këto teknika, të zhvilluara fillimisht nga LaBerge: Mbani një ditar ëndrrash. Sapo të zgjoheni, përpiquni të mbani mend ëndrrat tuaja. Pastaj shkruajini ato. Vini re temat e zakonshme të ëndrrave. Përdoreni ditarin për të identifikuar njerëz ose tema të veçanta që priren të shfaqen në ëndrrat tuaja, veçanërisht nëse ato nuk kanë një kuptim logjik. Vendosini vetes një qëllim. Para se të shkoni për të fjetur, thuajini vetes: “Sonte, kur ta shoh atë klloun fluturues, do ta di se jam duke ëndërruar!”.