Connect with us

Rajon

Serbia i ‘shtrin dorën’ Kroacisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha në Zagreb, se Serbia dhe Kroacia, në vend të urrejtjes, duhet të bëjnë garë në ndërtimin e paqes dhe marrëdhënieve të mira, si dhe të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Shefi i diplomacisë serbe tha se “marrëdhëniet e mira” ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë janë para së gjithash në interes të popullit serb dhe kroat, por edhe të gjithë rajonit.

Daçiç theksoi gjithashtu se ringjallja e dialogut konstruktiv, është “e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura që vazhdojnë të rëndojnë” marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

“Pavarësisht se çfarë ndodhi 10 apo 30 vjet më parë, ne duhet të shikojmë të ardhmen”, tha Daçiç.

Gjatë vitit të kaluar, zyrtarët e Serbisë dhe Kroacisë shkëmbyen retorikë të ashpër. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve fqinje u tronditën më tej nga rasti që Serbia nisi, në qershor të vitit 2022, kundër pilotëve kroatë, duke i akuzuar ata për krime lufte. Ministri kroat i Drejtësisë, Ivan Malenica deklaroi, në gusht të vitit 2022, se aktakuza kundër pilotëve kroatë mund të bllokojë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Por një nga problemet më të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve është dhe çështja e të pagjeturve, të zhdukur gjatë luftës.

 

Advertisement