Connect with us

Kosova

Albin Kurti as në ‘stolin e rezervave’/ Ambasada e SHBA nuk i bën ftesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në takimin që do të organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti tha se ka pritur nga emisari amerikan të thoshte në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni I komunave me shumicë serbe do të bëhet patjetër, pavarësisht nga çfarë thotë kryeministri i Kosovës.

Duke folur për planin europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtejshëm. Ai përsëriti gjithashtu se propozimi nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

I pyetur nëse Kosova mund të ketë sanksione si humbja e mbështetjes ose zvogëlimi i mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk ka progress në dialog, kryeministri Kurti u shpreh: Nuk ka diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të kenë aluduar se mbështetja që pritet për Kosovën, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk do jetë konstruktive

Kryeministri Kurti po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

 

Advertisement