Rajon
Vuçiç: Qëllimi i partive politike është të më rrëzojnë mua
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se pavarësisht përpjekeve të bëra për të përgatitur seancën plenare në Parlamentin serb për Kosovën, nuk kishte frymë bashkimi mes palëve politike. Ai tha se disa persona ishin përpjekur të shkaktonin incidente duke hedhur akuza të vazhdueshme.
Ai tha se qëllimi ishte vetëm rrëzimi i partisë së tij nga pushteti por shtoi se pavarësisht se fajësohej për marrëveshjen e Brukselit, nuk ishte ai që e kishte firmosur.
“Ne nuk kemi qenë të bashkuar në parlament për Kosovën, nuk bëhet fjalë për dallime politike, por se kanë për qëllim vetëm rrëzimin e SNS-së dhe mua si president, në parlament 190 herë është përmendur negativisht marrëveshja e Brukselit, dhe unë kam qenë fajtori, por asnjëherë nuk është përmendur se kush e ka nënshkruar marrëveshjen e Brukselit”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha mbrëmjen e djeshme se marrëdhëniet mes Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) janë dëmtuar ndjeshëm, por se nuk mendon se në këtë moment zgjedhjet janë zgjidhje e mirë për Serbinë. Ai tha se ka folur me kryetarin e SPS-it, Ivica Daçiç që aktualisht është ministër i Jashtëm dhe se do ta takojë atë gjatë ditës së sotme.