Politike
Rikthehet kriza/ Ligjvënës amerikanë kërkojnë sanksione të reja për Ballkanin
Çështja e Srebrenicës rikthehet në qendër të vëmendjes në Washington, pasi një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë i ka kërkuar administratës së Presidentit Donald Trump të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.
Thirrja vjen pas raportimeve se autoritetet lokale kanë marrë në pyetje punonjës aktualë dhe ish-punonjës, si edhe bashkëpunëtorë të Qendrës Memoriale të Srebrenicës, në lidhje me një raport që dokumenton mohimin e gjenocidit të Srebrenicës.
Deklarata është firmosur nga senatorët Jeanne Shaheen, Roger Wicker, Chuck Grassley dhe Dick Durbin, si edhe nga kongresmenët Bill Keating dhe Mike Turner. Ligjvënësit amerikanë shprehen të shqetësuar për atë që e konsiderojnë presion ndaj personave të angazhuar në dokumentimin dhe përkujtimin e krimeve të Srebrenicës.
Në kërkesën e tyre, ata i bëjnë thirrje administratës Trump të përdorë mekanizmin e parashikuar në ligjin vjetor të mbrojtjes, i cili hyri në fuqi në mars. Ky ligj i jep presidentit mundësinë të vendosë sanksione ndaj individëve që vlerësohen se kërcënojnë sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Deri tani, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë komentuar kërkesën e ligjvënësve.
Kjo nuk është përplasja e parë mes Kongresit dhe administratës Trump për politikën ndaj Republika Srpska. Në fillim të këtij viti, disa prej të njëjtëve ligjvënës i kërkuan Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarit të Thesarit Scott Bessent të vendosnin sanksione ndaj Milorad Dodikut, për shkak të qëndrimeve të tij në favor të shkëputjes së entitetit serb nga Bosnje dhe Hercegovina.
Por politika e administratës Trump ndaj Dodikut ka marrë një tjetër drejtim. Sanksionet ndaj tij u hoqën vitin e kaluar, ndërsa në muajin shkurt ai u prit në Washington.
Në të njëjtën kohë, Republika Srpska ka shpenzuar qindra mijëra dollarë për aktivitete lobimi pranë administratës së dytë Trump. Ky fakt ka shtuar pikëpyetjet mbi afërsinë politike mes përfaqësuesve të entitetit serb dhe administratës amerikane.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, ka argumentuar se kjo afërsi mund të jetë një prej faktorëve që shpjegon kujdesin e administratës Trump ndaj deklaratave që lidhen me gjenocidin e Srebrenicës.
Tashmë topi është në fushën e Shtëpisë së Bardhë. Administrata Trump duhet të vendosë nëse do t’i përgjigjet kërkesës së Kongresit dhe nëse do të aktivizojë mekanizmin e ri të sanksioneve për Ballkanin Perëndimor.
Një vendim i tillë do të kishte peshë jo vetëm për marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Republika Srpska, por edhe për ekuilibrat politikë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.